Niketa Topia ishte biri i Karl Topias dhe Voisllava Balshës. Emri i tij përmendet për herë të parë në 1388. Pas vdekjes së Karl Topias, Marco Barbarigo mori në trashëgimi Krujën përmes martesës së tij me Helena Topian, motrën e madhe të Niketës, ndërsa vëllai i madh i Niketës, Gjergj Topia u bë lord i Durrësit. Ndërkaq Niketa mbajti një territor në jug të Durrësit. Pas vdekjes së Sulltan Bajazitit I, shumë shqiptarë iu nënshtruan Venedikut, si përshembull Niketa Topia, Gjon Kastrioti dhe Koja Zaharia. Venedikasit ishin të interesuar të kishin ca zona mes tyre dhe osmanëve në mënyrë që të amortizonin konfliktin që vinte nga osmanët, të cilët po avanconin drejt Evropës Perëndimore. Në 1403, Niketa Topia arriti t’ia merrte Krujën motrës së tij, Helena Topias, duke rifituar një territor, që më parë mbahej nga familja e tij, Topia, dhe përkohësisht i kishte shkuar Barbarigo-ve. Niketa Topia ish i martuar me të bijën e Komnen Arianitit. Vajza e tyre, Mara Topia, u martua me Balshën III në 1407. Nëpërmjet kësaj martese Balsha III dhe Niketa hyri në një aleancë, në mënyrë që të përzinin venedikasit nga Shqipëria. Niketa pastaj filloi të jetë ndërmjetës në mes Balshajve dhe venedikasve gjatë Luftës së Parë të Shkodrës. Në fund të vitit 1411, Niketa Topia pësoi një humbje të rëndë nga forcat e Teodor Muzakën II gjatë një beteje. Ai vetë u mbajt i burgosur, po me ndërhyrjen e Republikës Raguzane u lirua, gjithsesi vetëm pasi u dha disa territore rrotull Shkumbinit familjes Muzaka. Konti Niketa Topia qëndronte në Krujë si vasal i Venedikut, por as vdekjes së tij më 1415, kalaja ra në duart e Perandorisë Osmane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here