Gërmimet në qytetin-ishull e dikurshëm të Motya kanë nxjerrë në sipërfaqe një pishinë të madhe të shenjtë që fenikasit e lashtë e përdornin për ritet religjioze dhe gjurmimin e lëvizjes së yjeve.
Baseni artificial, i gjetur në Siçilinë perëndimore, rezultoi se nuk ishte një strukturë ushtarake siç mendohej, por një pishinë e shenjtë me një faltore monumentale me qëllime astronomike, më e madhja e zbuluar në rajonin e Mesdheut. Fenikasit kanë jetuar në këtë rajon prej vitit 2500 para erës sonë deri në vitin 64 kur u pushtuan nga Pompei.
Gërmimet në vitet 2002-2010 rezultuan në gjetjen e një ndërtese gjigande, Tempulli i Ba’al që nderonte hyjneshën fenikase. Ishte një gjetje e habitshme, që nuk përkonte me ato të strukturave ushtarake, ndaj ekipit iu desh një dekadë për të tharë dhe gërryer basenin ujor. Ky i fundit ishte me përmasa më të mëdha se sa një pishinë olimpike, 52.5 metra i gjatë, 36.25 i gjerë dhe furnizohej vazhdimisht me ujë nga burimet natyrore.
Gjetjet më të rëndësishme në të ishin një tempull përgjatë perimetrit të tij dedikuar perëndeshës Astarte dhe një ndërtesë e tretë e quajtur “Altari i Ujërave të Shenjta”. Gurë varri, altare, kurbane dhe një piedestal ishin pjesë e zbulimit. Në piedestal kishin mbetur këmbët e një statuje të dikurshme, për të cilën arkeologët besojnë se përfaqësonte perëndeshën Ba’al.
Më tej, një hartë e ‘liqenit’ tregon lidhjen e tij me yjet dhe ndjekjen e lëvizjes së tyre. Në studim, thuhet se fenikasit e sinkronizonin jetën e tyre me kozmosin dhe natyrën. Sot, kjo pishinë e lashtë ekziston ende pasi kërkuesit e mbushën sërish me ujë dhe vendosën një kopje të statujës së Ba’al në piedestal duke pasqyruar kështu idenë e lavdisë së dikurshme./tvklan.al