Janë me dhjetëra, historianët e Greqisë së lashtë dhe të Romës, që kumtojnë se pellazgët në trevat e Ballkanit kanë qenë para grekëve, madje duke i lokalizuar në vise të ndryshme të Greqisë dhe më gjerë në Ballkan, Azi të Vogël, Azinë Qendrore, gadishullin italik etj.
Mund të përmendim disa gjurmë të botës pellazge që kanë lidhje me problemin e etnogjenezës së shqiptarëve. Dhe këto, jo vetëm në Ballkan por më thellë në lindje të tij.
Profesor Fossati, historian i artit të Lindjes së Largët në Universitetin e Gjenovës, më ka bërë të ditur gojarisht se ka një vazo të epokës neolitike në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, rreth 4000 vite para erës së re, qe është identike me vazot kineze. Mendova se do të jetë tip vazoje e ndonjë kulturë të vjetër hinduse, kufitare me kulturën kineze, çka do të fliste për Hindinë, si një nga djepet e lashta të pellazgëve, ashtu siç mund të kenë qenë shumerët, popullsi indoevropiane, të vendosur në Mesopotaminë e Poshtme, me një qytetërim që vjen nga mijëvjeçari i katërt para erës së re. Në mitologjinë e tyre gjejmë kulte të përbashkëta me ato tonat si ai i shqiponjës, i diellit etj. Në krahun tjetër të bregut veriperendimor të detit Kaspik, ku kanë banuar shumerët, në bregun lindor të Kaspikut ka qenë treva e emëruar Albania kaukaziane, ku kanë banuar albanët (Plutarku, Lukuli 26, Pompeu 34 etj.). Sot kjo trevë korrespondon me Lezgistanin, banorët e të cilit, lezginët, e quajnë veten lezgijar. Është për t’u shënuar si karakteristike prapashtesa -ar ne analogji me gjuhën shqipe fshat – ar, këpuc-ar, kolonj-ar. Deri në vitin 1928 gjuha lezgine shkruhej me alfabetin latin, dhjetë vite më vonë u kthye mbi bazën e alfabetit cirilik.
B. Terracini në vepren e tij “Toponomastika sarde, f. 112, duke folur për shumësin e disa fjalëve që mbarojnë me -ar, sjell si shembull clan, shumësi clenar, shënon se një dukuri e tillë vërehet edhe në gjuhët kaukaziane.
Në një vrojtim që bën G. Dottin në veprën “Popujt e vjetër të Evropës”, Paris 1916 për fjalën “oior” (njeri), e cila në shumës bën “enarees” (njerëz) në gjuhën e skithëve, shohim një analogji të pastër me gjuhën shqipe. Por kjo dhe të tjera të natyrës gramatikore ndodhin ngaqë janë të rrënjës indoevropiane. Ndryshe është kur takojmë toponime, etnonime, antroponime e të tjera që na kujtojnë iliro-pellazgët.
Për përhapjen gjeografike të tyre takojmë toponime si këto dhe shumë të tjera që flasin në gjuhën shqipe: Dacia maluensis-Dakia malore (Mark Aureli), Dacia ripensis-Dakia me male rrypa-rrypa, të thepisura (Diokleciani). Në Atike njihej një komune malore me emrin Skambonidhe-vis shkëmbor (A. Bailly. Fjalori Greqisht (e vjetër) – Frengjisht, Paris, 1950). Në kufirin midis Çekisë dhe Polonisë kemi vargmalet Karpate-shqip karpe, shkrep; malet Beskide-shqip bjeshkë. Ka folur E. Çabej për këto të fundit.
Të ç’epoke janë këto emërtime? Problem i vështirë, por që ngacmon. Për këtë dhe të tjera duhet të merren ekipe studiuesish për t’i ardhur sa më pranë të vërtetës historike. Ngacmuese janë etnonimet pellazge, albane, ilire, që ndërthuren dhe shfaqen ngatërrimisht në kohë. Krahas pellazgëve vërejmë të flitet për albanët dhe Albania, në Azinë Qendrore, në Kaukaz e më gjerë, madje dhe për hyllet, për bardejtë.
“Albania” në autorët romakë Plini (shek.I era e re), Taciti (shek i-II era e re) e shënojne si vis në brigjet e detit Kaspik. Si fis ilir përmenden albanët (Albanoi) për të parën herë bashkë me qytetin e tyre Albanopolis nga gjeografi dhe astronomi Ptoleme (shek. II-II era e re). Vlen të shënohet se fjala “Alban” vjen nga gjuha latine albus, a (e, e bardhë). Prandaj shpesh takojmë dhe etnonimin bardei, Bardili, Bardii.
Po në këtë hapësirë gjeografike, në mbretërinë perse, njihemi me një farë Bardii, vëlla i Kambyzit dhe ky babai i mbretit Kir (Falls. 3000 vitet e para).
Tani, tepër larg këtij areali, gjejmë një popull me emrin Bardili, në krahinen Tarakonense në verilindje të Spanjës. Mos vallë ka qenë një emigrim i iberëve dhe albanëve (bardhenjve, bardylëve) të Kaukazit në këtë vis të Evropës? Këto e të tjera mbeten ende për t’u hulumtuar.
Kaj Mari, gjeneral dhe burrë shteti romak (shek.II para erës së re) truprojën e kishte të përbërë me Bardei, skllevër ilirë, të njohur për trimëri (Plutarku, Lukuli). Një autor romak, Kapitolini, quan Bardei një popull tq Ilirisq. Tërë kjo histori flet qartë për atë që Bardejtë janë Albanët, fis ilir, dhe në një kuptim të gjerë ilirët.
Duke rrëmuar me kujdes dhe duke qëmtuar ato çka na duken më domethënëse në lidhjet e tyre të brendshme e të drejtperdrejta, mund të arrijmë në perfundime me interes në të mirë të tezës në fjalë. Sepse ka shpesh sprova për të shpjeguar një dukuri, duke u mbështetur në përputhje të rastësishme, apo në zbërthime empirike simpliste etimologjike të një fjale.
Nga Prof. Dr. Muzafer Xhaxhiu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here