Tetë vite më parë, në orën 01:00 të mëngjesit të asaj të enjteje të datës 6 shkurt 2014, u shua në një spital në Bazel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, Vaçe Zela. Kishte shteruar së frymuari kumbimi i një zëri që mahniti një brez të tërë dhe ngasi në grishje gjeneratën që pasoi të artistëve. Me zërin e saj të papërsëritshëm, Vaçe Zela për më shumë se 40 vjet, krijoi mitin e së përhershmes, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari, brenda dhe jashtë Atdheut.

Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit që mishëruan tek ajo, pavdekësinë.

Ishte dhe mbeti e papërsëritshme.

Kumbimi dhe emocioni i këtij zëri vazhdon të magjeps jo vetëm nostalgjikët por edhe gjeneratën e re të këngëtarëve dhe artdashësve. Forca kumbuese, thellësia dhe aftësia depërtuese, bënë që ky dëshmim i artit shqiptar të rrëmbej edhe interesin dhe vlerësimin në arenën ndërkombëtare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte, atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e kolonës zanore muzikës të filmave.

Kujtesa jone kolektive është gjithnjë e më e gjymtuar, prej egos së njeriut bashkëkohor, i cili duke u ndier plot energji krijuese dhe me një shpirt flakatar protagonizmi, e ka ta pamundur të ngjitet aq lart për të vendosur qoftë edhe një mirënjohje mbi mermerin e ftohtë të Panteonit ku ruhet shkëlqimi i atij dielli që na ngrohu zemrën dhe na mbush me mall kujtimesh.

Një ndërmendje e mbushur përplot nderim dhe respekt, shkon për çdo copëz malli që përbashkon me kohën kur rrugëtoi ndër zemra ky zë, kjo qasje virtuoze e skenës së këngës. 

Nga: Albert Vataj

(Titulli, redaksional)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here