Gjatë luftës së rrethimit të Janinës (1820-1822), Ali Pasha, herë pas here, e hapte portën e kalasë dhe i urdhërnte shërbëtorët që t’i gostitnin oficerët otomanë me kafe e llokum. Për dikend kjo mund të mos ketë kuptim pasi që gostitet armiku që e kishte rrethuar dhe kërkonte vdekjen e tij. Në fakt me këtë veprim Luani i Janinës simbolikisht ua bënte me dije otomanëve se ata ishin mysafirë dhe në tokë të huaj. Në anën tjetër pasha bënte me dije se ishte në tokën e tij dhe zot shtëpie. Prandaj, kishte obligime ndaj mysafirëve.
Këtë veprim e ka përsëritur Kemal Ataturku 100 vite më vonë. Oficerët britanikë, që me ushtrinë e tyre e mbanin të okupuar Stambollin, e kishin ftuar Ataturkun në një bisedë në hotelin e famshëm Pera Palace. Pasi që kishin ngrënë dhe pirë, Ataturku e thërret kamarierin për t’a bërë pagesën. Britanikët kundërshtojnë duke i thënë se këta e kishin ftuar dhe pagesa është e tyre. ‘Ju jeni mysafirë, dhe pagesa më takon mua. Unë jam vendas dhe zot shtëpie këtu. Ushtria juaj një ditë do të largohet dhe unë mbetem këtu’.
