Ripostim me shkas: Çfarë thonë burimet për Dardaninë mesjetare (abstrakt i një studimi të gjatë)!
Hartografia e kohëve antike, në veçanti, “Tabula Peutingeriana” dhe “Gjeografia e Ptolemeut” japin të dhëna për shtrirjen gjeografike të Dardanisë, e cila mund të gjurmohet përmes kufijve veriorë të Novi Pazar-Nishit, e gjithë territori i Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore me kryeqytetin e saj, Scupin. Në këtë kontekst, disa studiues kanë bërë përpjekje për përcaktimin e kufirit etnogjeografik të Dardanisë, kufi që mund të ndiqet përmes kufijve perëndimor përgjatë vijës së sotme Gjakovë-Pejë-Novipazar-Ivanjicë-Çaçak, e cila ishte edhe kufiri i Provincës së Dardanisë. Në Lindje, ndërkaq, kufiri i Dardanisë duhet kërkuar nga pozicioni Kumanovë-Vranjë, deri në rrethet e Remesianës (Bela Palanka e sotme) në lumin Nishava. Kufiri verior shtrihet mbi rajonin e qytetit të Naissus. Në mbështetje të kësaj është një njoftim i Ptolemeut, sipas të cilit, Scupi (Shkupi) ishte qendra e Dardanisë, ndërsa Naissus (Nishi) ishte një nga katër qytetet e Dardanisë, një njoftim që pajtohet deri diku me pretendimet e historianit Plini, sipas të cilit nga Dardania rrjedhin lumenjtë e famshëm Margus, Timachus dhe Pingus (Plin, Naturalis Historia, lib. III, 149: “Flumina clara e Dardanis Margus, Pingus, Timachus”). Ndërkaq, sipas një monumenti epigrafik ku përmendet Dea Dardania, i zbuluar në vendin Kamenicë, ndërmjet Kragujevacit dhe Milanovcit të Epërm, mund të dyshohet se kufiri i Dardanisë shkonte edhe më në veri nga kufiri, i cili ishte përcaktuar nga Ptolemeu dhe Plini.
Nga fundi i shek. III, përkatësisht në vitin 297 perandori Dioklecian pas reformimit të administratës romake, Dardania paraqitet si provincë më vete, provincë e cila dëshmohet nga një mbishkrim i zbuluar në Romë: “[Nai] sso Darda (niae)”. Duhet theksuar se Provinca e Dardanisë përfshinte në verilindje këto qytete: Naissus, Remesiana (Bela Palanka e sotme), Justinopolis (Cariçin Grad i sotëm) dhe Serdica (Sofja e sotme), qendra këto, të cilat do të bëhen edhe qendra kryesore administrative të Dardanisë. Për ta sqaruar më mirë këtë çështje duhet të ndalemi në të dhënat e autorëve dhe burimeve të antikitetit të vonë dhe të Bizantit. Së këtejmi, Dardania mund të gjurmohet gjatë gjithë mesjetës për t’u afirmuar, veçanërisht në epokën e Humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Prej këtu ndeshim atë që nga fillimi i shek. III, dhe veçanërisht pas ndarjes së Perandorisë Romake në vitin 395; në vitin 618, sipas Miracula Sancti Demetri, qyteti i Nishit (Naissus), Shkupi (Scupi) dhe disa qytete të tjera ishin pjesë përbërëse të Dardanisë si një formacion politiko-shoqëror. E tillë ka qenë Dardania dhe gjatë gjithë mesjetës, sidomos shpesh do ta hasim në hartografinë botërore të epokës së Humanizmit dhe të Rilindjes europiane! /InforCulture.info
