Sipas të dhënave arkivore, mendohet se që në 13 maj të vitit 1776 është botuar gramatika e parë e shqipes tek Arbneshët e Zarës. Ka qenë mësuesi Don Pal Zogaj, i cili për nevojat praktike të mësimdhënies, ka hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe, me disa nga konceptet bazë gjuhësore. Ai jepte mësim në Osijek dhe e shkroi me shkrim dore veprën e vet, kopja fizike e së cilës ende nuk është gjetur, por burime të ndryshme pohojnë ekzistencën e saj.
Studjuesi Don Frrok Zefi me shërbim për një kohë të gjatë në Kroaci, në studimet për shqiptarët dhe për traditat e tyre, ka zbuluar kontributin jashtëzakonshëm të Don Pal Zogajt për shkrimin e gjuhës shqipe. Emri i vërtetë i këtij kleriku, siç mësohet nga arkivat e Universitetit Urbaniana të Vatikanit, shkruar me dorën e tij ishte Pal Brija, por mbasi ky ishte nga fshati Zogaj i Tropojës, ai prezantohej si Don Pal Zogaj, siç ishte zakoni për shumicën e klerikëve të asaj kohe, sidomos të atyre me kombësi italiane që në 99 për qind të rasteve, në praktikën kishtare, përdornin si mbiemër të tyre fshatin e origjinës.
Pal Zogaj më datë 20 shtator 1752, pas përfundimit të studimeve në Universitetin Urbaniana të Vatikanit në degët e gramatikës, filozofisë dhe teologjisë, bëri betimin në gjuhën latine dhe shkroi “… Dëshmoj se jam Pal Bria nga Zogaj”. Në përmbyllje të studimeve vlerësimi i tij nga eprorët ishte “Djalosh shumë i talentuar dhe me sjellje të mirë, dhe ka qenë gjithnjë shembullor”. Mbasi bëri mëtimin u caktua të punojë në Ipeshkvinë e Shkupit si klerik dhe mbas pak kohe caktohet në Janjevë ku shumë vite më parë ishte hapur shkolla shqipe për përgatitjen e studentëve për të vazhduar studimet në kolegjet e Vatikanit në Itali.