Një skelet 120-vjeçar i një krokodili i zbuluar nën një klasë shkolle është ekspozuar.
Zbulimi i çuditshëm u bë kur ndërtuesit ngritën dërrasat e dyshemesë së një shkolle në Uells, gjatë rinovimit, shkruan BBC.
Deri atëherë historia e një krijese të varrosur nën Ysgol Bodringallt në Pentre mendohej se ishte një mit.
Tani, krokodili “legjendar” i ujit të kripur ka vendin e krenarisë në shkollë pas më shumë se dy vitesh restaurimi.
“Kam dëgjuar një histori që prindërit dhe stafi i shkollës kishin varrosur një krokodil nën shkollë midis dy luftërave botërore”, tha në atë kohë mësuesi kryesor Dr Neil Pike.
Origjina e skeletit dhe pse përfundoi nën dyshemenë e një shkolle në Uellsin jugor mbetet e paqartë.
Megjithatë, përralla e treguar nga vendasit është se një burrë, i kthyer nga shërbimi në Luftën e Parë Botërore, e solli me vete trupin si një suvenir kurioz për shkollën.
Historia thotë se krokodili fillimisht u ekspozua, por më pas u fsheh nën dërrasat e dyshemesë për ta mbrojtur atë gjatë çdo konflikti të mëvonshëm.