Gjatë jetës së pacientit simtomat variojnë, ka periudha që janë më të shprehura dhe ka momente që mungojnë.
Këto patologji mund të jenë sezonale (riniti) por dhe kronike (astma apo sinuziti), shkruan Dr.Ornela Marko.
1. Anafilaksia është një reaksion alergjik jetëkërcënues, i cili shpeshherë nxitet nga substanca që injektohen apo gëlltiten dhe për rrjedhojë kalojnë në qarkullimin e gjakut, transmeton lajmi.net. Ndodh një reaksion i vrullshëm që përfshin lëkurën, mushkëritë, hundën, fytin, traktin gastro-intestinal etj. Edhe pse mund të fillojë brenda pak sekondash apo minutash nga ekspozimi ndaj alergenit, mund të jetë fatal, nëse nuk trajtohet.
2. Riniti alergjik, termi mjekësor për rrufën e vazhdueshme alergjike, është një inflamacion i mukozës së hundës, i cili ka simptoma të ndryshme, si p.sh.: teshtima, kruajtje të hundës, bllokim të saj, rrjedhje të ujshme dhe rrjedhje në fyt i mukusit prej sinuseve (postnazal drip). Pjesa më e madhe e njerëzve shfaqin simtomat e rinitit alergjik në fëmijëri dhe në adoleshencë, por mund të fillojë në çdo moshë. Disa pacientë mund të mos kenë më simtoma me kalimin e kohës, ndërsa të tjerë mund t’i kenë vetëm në periudha të caktuara të vitit. Më të shprehura janë tek fëmijët dhe tek të rriturit 30-40 vjeçarë. Gjatë jetës së pacientit simtomat variojnë, ka periudha që janë më të shprehura dhe ka momente që mungojnë.
3. Konjuktiviti apo skuqja e syve mund të jetë dhe alergjike. Është më i zakonshëm tek personat që kanë dhe patologji të tjera me natyrë alergjike, si: astma, riniti apo dermatitis. Polenet, akarienet, kafshët, medikamentet, produktet e kozmetikës apo substanca të tjera alergji-shkaktuese, nëpërmjet nxitjes dhe lindjes së reaksioneve të ndryshme fiziopatologjike bëjnë të mundur shfaqjen e simtomave alergjike, të cilat përfshijnë jo vetëm skuqjen e syve, por dhe kruajtje, lotim apo enjtje përreth tyre (enjtje të palpebrave).
4. Urtikaria është një tjetër patologji alergjike që prek lëkurën. Është një reaksion i zakonshëm që ndodh dhe prek rreth 20% të njerëzve në një moment në jetë. Ka shumë faktorë shpërthyes, por simptomat janë dy: kruajtje të lëkurës dhe elemente të kuqe të ngritura në lëkurë (puçrra). Kruajtja mund të përkeqësohet më shumë nëse e ngacmojmë lëkurën, konsumojmë pije alkoolike, jemi në sforco ose në stres.
Disa persona e kuptojnë vetë shkaktarin e urtikaries, sidomos kur ka lidhje me ushqimet, si: karkalecat e detit (frutat e detit), kikirikët (frutat e thata) etj. Të tjerë duhet të bëjnë testet e alergjisë tek mjeku specialist për të gjetur shkakun. Në raste të rralla shkaktari mund edhe të mbetet i paidentifikuar.
- Medikamentet që përdoren për të trajtuar alergjinë janë antihistaminikët. Ky grup medikamentesh ka për qëllim të parandalojë dhe të qetësojë simtomat alergjike nëpërmjet parandalimit të ndikimit të histaminës mbi qelizat e organeve të ndryshme. Për rrjedhojë dhe simtomat e zakonshme të sëmundjeve alergjike (teshtimat, rrjedhja e hundëve, kruajtjet, skuqja e lotimi i syve e kolla) qetësohen ose eleminohen. Kështu rritet dhe cilësia e jetës tek personat alergjikë. /