Nga Dom Gjergj Meta
E thërrisnim Pashkja e Hil Shimës, një nga plakat e fshatit tim që e kishte oborrin plot lule gjithmonë. Dyshemenë e kishte të shtruar me dhe, por brenda vinte gjithmonë një aromë e këndshme dhe një pastërti e pashoq.
I shoqi, Hila, kishte vdekur edhe ai në moshë të shtyrë, por para Pashkes. E kishin gjetur të vdukur më shtrat me një libër uratësh në dorë në latinisht. Për ne ishte çudi se si një njeri si ai jo vetëm dinte shkrim e këndim, por edhe në një gjuhë tjetër. Pashkja dhe Hila nuk kishin fëmijë.
Ne fëmijët e katundit shkonim shpesh për shkak të kumbullave që ajo kishte në oborr e ia bënim pak rrëmujë vendin.
Por çka dua t’ju tregoj ka të bëjë me të Shtunën e Madhe. Kur ishim nën komunizëm, në fshatin tonë, Pashkja u shpërndante familjeve fshehtas ujin e bekum për bekimin e ushqimeve pikërisht të shtunën e madhe.
Ajo jetoi edhe pak vite pas komunizmit e unë çdo herë që kthehesha nga studimet për pushime shkoja dhe e takoja. Njëherë e pyes, e pyes:
“Po ku e merrje ujin e bekum ti gjatë komunizmit?”
“Ehh mor Gjergj. Kur u nbyllën Kishat unë e kisha një shishe me ujë të bekum. Në festën e ujit të bekum të atij viti ’67 mora ujin si gjithmone te Kishs. Pas një muaji u mbyllën Kishat. Për atë Pashkë nuk kishim prift. Atëherë i bekova vetë bukët me ujin e bekum. U dhashe edhe pak njerëzve, por po mbaronte. Atëherë ujit që kishte mbetur i hodha edhe pak ujë tjetër, pak kripë dhe fillova të them rruzaren. Pasi mbarova rruzaren e mbylla shishen dhe e fsheha. Për çdo Pashkë deri në vitin 1991 kam bërë këtë gjë: u jepja njerëzve, lija pak për në fund, e mbushja, i hidhja pak kripë, thoja rruzaren dhe e fshhija.”
Ishte kaq e thjeshtë!
M’u kujtua sot kjo histori. E shtuna e madhe ndër popullin tonë është dita e bekimit të bukëve dhe ushqimeve që do të konsumohen sidomos në mëngjesin e Pashkës. Një traditë e bukur që nuk e kam hasur dike tjetër.
Bekohen sendet ushqimore, buka, prodhimet bimore e shtazore, sidomos frytet e para te pranveres.
Sa mëngjese Pashkë jemi zgjuar herët, edhe atëherë kur nuk lejohej, të gjithë rreth tryezës me bukën e bekume, djathin, vezët e zjera, hudhra e qepë, kemi ngrënë të bekumen. Këto ishin Pashkët tona atëherë. Le t’i bëjmë edhe këtë mëngjes Pashkësh, nesër sapo të dalë drita. E gjithë familja bashkë të gëzojmë për jetën e re në Krishtin e ngjallur!
Sot nuk do të bëjmë ceremoninë e përvitshme të bekimit të ushqimeve, që aq e bukur është këtu në Rrëshen, por secili të marrë pak ujë të bekum, nëse nuk ka ia kërkon një komshiu apo një të afërmi, thotë një lutje “Ati ynë” një “Të falem Mari” e një “Lavdi Atit” dhe i hedh ujin e nekum./kujto.al/