Vithkuqi ndodhet rreth 20 km në jug-perëndim të Korçës, në një terren malor, rreth 1300 m mbi nivelin e detit. Rrethohet me male e pyje ahu, bredhi e dushku, që krijojnë një kurorë natyrore shumë të bukur dhe peizazhe piktoreske.
Gjatë shek. XVII-XVIII Vithkuqi arriti një zhvillim të lartë ekonomik e kulturor. Tregtarët vithkuqarë kishin arritur deri tregjet e Evropës Qendrore.
Por, ashtu si dhe qendrat e tjera të ngjashme të kësaj treve, edhe Vithkuqi u shkatërrua dhe u dogj nga sulmet e feudalëve, ngjarje e cila është rregjistruar në faqen e parë të ungjillit të kishës së Shën Mëhillit.
Si dëshmi e periudhës kulmore të zhvillimit të Vithkuqit kanë arritur disa monumente, ndër të cilat dallohet manastiri i Apostujve Pjetër e Pavli.
Manastiri ngrihet mbi një kodër, që lartësohet në veri-lindje të fshatit. Nga kompleksi i manastirit kanë mbetur katolikoni dhe pareklisi i Shën Kozmait dhe Damianoit, jashtë mureve rrethuese të manastirit. Konakët e manastirit janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kodiku i manastirit u hartua në vitin 1708 nga Haxhi Athanas Rimara, nga lagjja Borishë. Në vitin 1736 u ndërtua kisha e Shën Kozmait dhe Damianoit, e cila u pikturua në vitin 1750 nga vëllezërit korçarë, Konstandini dhe Athanasi. Në vitin 1759 igumeni i manastirit, Tarasi, ndërtoi katolikonin, kushtuar apostujve të shenjtë, Pjetrit dhe Pavlit, i cili u pikturua po nga vëllezërit korçarë më 1764 Një tjetër piktor i shquar i shekullit XVIII, Konstandini nga Shpati ka kontrubuar në zbukurimin e kishave të manastirit, siç dëshmon mbishkrimi i lënë prej tij në ikonën e Krishtit të ikonostasit të qimiterit të Shën Kozmait dhe Damianoit. Më 1761 u gdhend ikonostasi me kontributin e voskopojarëve. Për ndërtimin e kishës ndihmuan dhe vithkuqarët e ndodhur në Hungari.
Kisha e Shën Kozmait dhe Damianoit është një kishë e vogël njënefëshe e mbuluar me qemer cilindrik. Kati përdhes, gjysëm i futur në truall, është përdorur si qimiter.
Kisha e Apostujve Pjetër dhe Pavël është një bazilikë me kupolë dhe me nef tërthor. Struktura e kryqit në kompozimin hapësiror të brendshëm pasqyrohet dhe në pamjen e jashtme nga kryqëzimi i çative që mbulojnë nefet, në qendër të të cilave lartësohet kupola. Në anën perëndimore dallohen gjurmët e narteksit, i cili në gjendjen e sotme është i rrënuar. /Monuments of Albania

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here