Mënyra se si shqiptarët nderonin të vdekurin dhe silleshin me të në malet e veriut, atje ku funksiononte “Kanuni i Maleve” i hartuar nga Lekë Dukagjini dhe i mbledhur nga Atë Shtjefën Gjeçovi, është bërë objekt studimi i një prej folkloristëve më të shquar që ka pasur ndonjëherë në Shqipëri.
Atë Bernardin Palaj, françeskani që bashkë me sivëllain e vet Atë Donat Kurti mblodhi “Visaret e Kombit” shkruan, mes të tjerash, për “Kultin e të vdekunvet”.
Në studimin e tij të botuar vite më vonë, të sistemuara nga Anton Nikë Berisha në Prishtinë nga Shtëpia Botuese “Shpresa”, ai tregon se sjelljen e shqiptarëve me të vdekurit në krahina të ndryshme.
Në shkojsh në Mirditë, ke për të pa të vdekunin veshë e mbathë me ma të burrnushmet petka, mbështetë në nji katedër e gratë e shoqnisë palë e palë përvajshëm tue hjekë vallen e përmortshme. – shkruan Atë Palaj për rastet e vdekjeve në Mirditë.
Në shkojsh në Malsi të Madhe ke për të pa burrat e fisit çetë çetë tue i u afrue të vdekunit, ndërsa britmtari i çetës me nji za të thekshëm, tue thirrë me emën të vdekunin, nise gjamen me fjalët: I mjeri unë për ty o miku jem! I mjeri unë për ata dy sy verbue, për atë gojë të shkrueme, për atë shtat të rrxuem! Ti ndera e konakut, ti shtylla e bajrakut, ti prita e mizorit, ti forca e llogorit, ti ndera e miqve! e kështu kamba – kambës prap tue ju afrue të vdekunit, thotë fjalë të tjera ma të thekshme, ma të bukurat ku të jenë e ma kreshniket për burrin e shuem! – shkruan atë Palaj për rastet e vdekjes në Malësi të Madhe.
Ndërsa rasti i Dukagjinit është i veçantë. Edhe Atë Bernardin Palaj e shpjegon më gjerësisht duke treguar çdo gjë të asaj ceremonie e cila merrte (dhe merr edhe sot) një tjetër vlerë në atë krahinë.
Shungullojnë malet në Dukagjin kur t’i dal zani fisit se vdiq bajraktari a ndonji burrë tjetër. Skena të përshkrueme prej klasikëve të vjetër për kultin e të vdekunvet këtu shifen krejt të gjalla, të pandryshueme. Ndërsa te shtëpija duhet me i zgjithë shpirtin të vdekunvet tue pre berre (bagëti) të leshta për miq që vijnë me pa e atje te vorrte kur bahet vigu, gjama gjamen s’e pret.
Me mbet njiri pa mend për tan at nderim qi kanë këto male për të vdekunin. Me hap të randë, lëvizje trupi e krahësh krejt simetrike, thue se po e shofin atje në nënjetë shpirtin e të vdekunit tue ndejtë me shpirtant e të parëve, lagje mbas lagjesh afrohen gjamatarët, do tue ardh prej nelt e do tjerë prej fushave; të tjerë tue rrahë parzmat e gjithmonë tue përsëritun po ato fjalë: I mjeri unë për ty, vllau i em, mjeri unë për ty!
Veshë me petkat ma të bukura e me armë në brez e të krahut ngjat vetes, nën hijen e ndonji Blini jetik, rrin i vdekuni si në të mbështetun, rrethue prej grave qi kur prajnë (ndalin) gjamen burrat, me fjalët ma të bukura përmendin punët e mira të tij e të të parëve të tij, të shumtën e herës me nji rend fjalësh aq poetike, sa me ia pas ma i miri poet lakmi.
Mbasi të ken kalu tri orë natë, i vdekuni varroset, ku përsëritet bestytnija e të vdekunvet si në ato kohët e paraindoevropiane, me i fut pare në gojë të vdekunit për uren që do të kalojë, mbasi t’i kenë shtrue si mbulesë, qi liturgjia mijëvjeçare urdhnon për kët rasë, lëkurën e nji berri të leshtë.
Dhe, sipas konkluzionit të Atë Bernardinit, të gjithë këto rite janë rite që bëjnë pjesë në grupin indoevropian dhe që e vendosin Shqipërinë në të njëjtin grup e vendet e tjera Evropiane.