26 maj 1861. Poeti Afanasij Fet dhe gruaja e tij po presin në çifligun e tyre në Stepanovka,  dy mysafirët – Ivan Sergejeviç Turgeniev, 44 vjeç, dhe Lev Nikollajeviç Tolstoi, dhjetë vjet më i ri, – të cilët po udhëtonin me të njëjtën araba.

Me Turgenievin bashkëshortët ishin të njohur prej kohësh, ai madje kishte qenë edhe kumbar në dasmën e tyre, katër vjet më parë.

Dita e mbërritjes shkoi zakonshëm: shëtitën, këmbyen të rejat, darkuan. E papëlqyera ndodhi në mëngjes, të nesërmen.

Ja si e ka përshkruar më vonë në “Kujtimet e mia” Afanasij Fet:

“Në mëngjes, si zakonisht, pra në orën 8, mysafirët hynë në dhomën e ngrënies, ku gruaja ime kishte zënë kryet e tryezës pranë samovarit, kurse unë  skajin tjetër duke pritur për kafe. Turgenievi u ul në krahun e djathtë  zonjës  shtëpisëkurse Tolstoi në  majtin. Duke e ditur se sa rëndësi i jepte Turgenievi edukimit të vajzës  tij, ime shoqe e pyeti nëse ishte i kënaqur me guvernanten angleze. Turgenievi u shkri së lavdëruari guvernanten dhe midis të tjerash, po tregonte se si ajo, me atë përpikërinë angleze, i lutej që të caktonte shumën që e bija mund të përdorte  për bamirësi.

– Tani, – tha Turgenievi, – anglezja kërkon që ime bijë t’i marrë rrobat e grisura të të vobektëve dhe si t’i arnojë me dorën e saj, t’ua kthejë atyre që u takon. 

– Dhe këtë e quani gjë të mirë? – pyeti Tolstoi.

– Natyrisht, kjo e afron bamirësen me nevojat jetike.

– Kurse unë mendoj se një vajzë, e veshur për së mbari, që mban në gjunjë zhele të pista, erëkeqe, luan një skenë të pasinqertë, teatrale.

– Ju lutem, mos e thoni këtë! –  ngriti zërin  Turgenievi duke iu fryrë flegrat e hundës.

– E pse të mos e them, kur jam i bindur për këtë? – iu përgjigj Tolstoi.

Nuk arrita t’i them Turgenievit: “Pushoni!” kur, krejt i zverdhur prej zemërimit, ai tha: “Atëherë me fyerje do t’ju detyroj të heshtni.”

Me këto fjalë brofi nga tryeza dhe si kapi kokën me duar, i tronditur, shkoi në dhomën tjetër. Në çast u kthye dhe duke iu drejtuar gruas sime, tha: “Për atë Zot, më falni për veprimin e shëmtuar, për të cilin pendohem thellë.” Si tha këto, u largua përsëri.

Nuk zgjati shumë pas zënkës kur mysafirët u larguan nga Stepanovka: Turgenievi në çifligun e tij në Spasskoe (afro shtatëdhjetë vjorsta prej këtu), kurse Tolstoi në Novosellkë, te një i afërm i Fetit (nja pesëdhjetë e pesë vjorsta).

Po atë ditë Tolstoi i dërgoi një pusullë Turgenievit, ku i kërkonte që ai t’i lypte ndjesë me shkrim: “…më shkruani një letër të tillë, të cilën të mund t’ua dërgoj Fetëve.” Turgenievi iu përgjigj menjëherë me një letër, ku në njërën anë i kërkonte ndjesë sinqerisht, nga ana tjetër u vinte kryq marrëdhënieve të tyre:

“27 maj 1861. Spasskoe.

I nderuari zotëri Lev Nikollajeviç! Si përgjigje për letrën Tuaj unë mund të përsëris vetëm atë çka e quaj detyrimin tim t’jua deklaroja Juve te Fetët: i rrëmbyer padashur nga një ndjenjë armiqësie, për arsyet e së cilës nuk është këtu vendi, ju fyeva pa kurrfarë preteksti nga ana Juaj dhe ju lyp ndjesë. Ajo që ndodhi sot në mëngjes, tregoi qartë se çfarëdo përpjekjeje afrimi midis dy natyrave kaq të kundërta, si Juaja dhe imja, nuk mund të sjellë asgjë  të mirë; prandaj, edhe me më shumë dëshirë, madje, e kryej detyrën time para Jush, sepse kjo letër është, mbase, shfaqja e fundit e çdo marrëdhënieje që kemi pasur midis nesh…”

Nëse Tolstoi do ta kishte marrë menjëherë letrën, atëherë incidenti, me siguri, do të quhej i kapërcyer. Por ndodhi krejt e kundërta: letra iu kthye mbrapsht Turgenievit dhe ky e ridërgoi, duke i shtuar shënimin e mëposhtëm:

Ivan Petroviçi  solli tani letrën cilën njeriu im, nga budallallëku, e kishte dërguar në Novosellkë, në vend që ta kishte çuar në Bogusllav. Ju lyp ndjesë përulësisht për këtë pakujdesi. Shpresoj që korrieri im t’Ju gjejë ende në Bogusllav.”

Tolstoi, i cili nuk kishte marrë përgjigje për letrën që e kishte dërguar menjëherë pas zënkës, ishte tërbuar. Të nesërmen e asaj dite i dërgoi një lajmës në Spasskoe, ku e sfidonte Turgenievin në duel. Menjëherë pas kësaj letre i dërgoi edhe një tjetër, ku (sipas fjalëve të vetë gruas së tij, Sofia Andrejevnës) ia bënte të qartë se:

 “…nuk dëshiron të qëllohen me një mënyrë vulgare, d.m.th., erdhën me pistoleta dy letrarë, së bashku me një letrar të tretë,  dhe dueli të përfundonte me shampanjë, por dëshiron të qëllohen prej vërteti dhe i lutet Turgenievit  vijë  Bogusllav, në skaj të pyllit, me armë.”

Të nesërmen mbërriti letra nga Turgenievi, ku ai e njoftonte se nuk kishte dëshirë të qëllohej, siç propozonte Tolstoi, por dëshironte duel sipas të gjitha rregullave. Tolstoi iu përgjigj Turgenievit:

 “Ju keni frikë nga unë, kurse unë ju përbuz dhe nuk dua të kem kurrë më punë me ju”.

I kishte shkruar edhe Feti me gruan e tij, por Tolstoi iu përgjigj se nuk do t’i lexonte letrat e tyre. Turgenievi shkoi në Paris dhe më 26 shtator të po atij viti i shkroi Tolstoit:

 “…Mora vesh se Ju…  quani frikacak, që nuk dëshiroj të rrihem me Ju etj. Por, meqenëse e konsideroj veprimin Tuaj fyes dhe të pandershëm, pas asaj se çfarë kam bërë për  ndrequr fjalët që më shpëtuan, atëherë ju paralajmëroj që këtë herë nuk do ta lë jashtë vëmendjes dhe si të kthehem pranverën e ardhshme në Rusi, ju ftoj në duel…”

 Në letrën e tij të 8 tetorit Tolstoi iu përgjigj me refuzim dhe njëkohësisht, i lypi ndjesë. Megjithatë, kjo letër nuk ndikoi në marrëdhëniet e tyre armiqësore.

Siç dihet, ky duel nuk ndodhi, në rast të kundërt letërsia do të kishte, minimumi, një gjeni më pak. Turgenievi ishte një gjuetar i sprovuar dhe qëllonte mrekullisht, stërvitej përditë, por ama i duhej të ndeshej me Tolstoin, një oficer ushtarak me një përvojë lufte mbi supe. Sidoqoftë, kjo zënkë vazhdoi shtatëmbëdhjetë vjet!

Po cila ishte arsyeja e vërtetë? Një sharje e thjeshtë me fjalë, qoftë edhe për shkak të metodave të edukimit të bijës së Turgenievit, si zor mund të çonte në sfidën e duelit dhe ftohjen shtatëmbëdhjetëvjeçare në komunikim.  Zënka nuk kishte qenë e rastit: ajo ishte rrjedhojë e dallimeve ideore dhe moralo-psikologjike midis shkrimtarësh. Disa hamendësojnë, në fund të fundit, mbase kishte lindur për shkak të “miqësisë së rrezikshme” të Turgenievit me të vetmen dhe të dashurën motër të Tolstoit, Marian. Në vitin 1854, së bashku me burrin, ajo u njoh me Turgenievin, kur ai kishte ardhur në Spasskoe-Llutinovo. Fshati Pokrovskoje ku ata banonin ndodhej gjithsej 20 vjorsta prej tij. Atëbotë Turgenievi e pyeste shumë Maria Nikollajevnën për të vëllain, i cili shërbente aktivisht në ushtri në Sevastopol. Për portretin e Tolstoit ai do të shkruante: “Një fytyrë e pabukur, por e mençur dhe e mrekullueshme.” Maria i kishte folur të vëllait për adhurimin që kishte Turgenievi për talentin e tij. Ky vlerësim ishte i shtrenjtë për Tolstoin. Kështu nisi njohja në largësi e dy shkrimtarëve. Tregimin e tij “Prerja e pyllit” (1854) ai ia kushtoi Turgenievit. Në letrën e parë drejtuar Tolstoit, më 9 tetor 1854, Turgenievi e falënderon për kushtimin që i kishte bërë dhe kërkon ta bindë që të dalë në pension: …karriera ushtarake nuk është për Ju. Është destini juaj  bëheni letrar, artist i fjalës… Arma Juaj është penda, jo shpata.

Ndërkaq, midis Marias dhe Turgenievit lindi një tërheqje romantike. Turgenievi i shkruante kështu Nekrasovit: “…një grua e mrekullueshme, e mençur, e mirë dhe shumë joshëse.” Marrëdhëniet e tyre lanë një gjurmë të thellë në zemrën e Marias, dhe, si të mos tërhiqeshe pas Turgenievit? “Poet, talent, aristokrat, bukurosh, pasanik, mençurak, i arsimuar, 25 vjeç, nuk di se çfarë atij i ka lënë mangët natyra”, –  shkruante për Turgenievin Dostojevski.

Turgenievi i kushtoi motrës së Tolstoit novelën e tij “Faust”, ku ajo del me emrin Veroçka. Martesa e Marias dështoi – bashkëshorti e tradhtonte vazhdimisht dhe në vitin 1857, pas dhjetë vjet martese, ata u divorcuan dhe ajo iku jashtë shtetit. Se sa e shtrenjtë ishte për Tolstoin kjo motër, flet fakti që pasi iku nga shtëpia, më 12 nëntor 1910, ai shkoi pikërisht në manastirin Shamordinsk, ku ajo jetonte atëbotë.

Për Tolstoin, i cili kishte një qasje serioze ndaj dashurisë e martesës dhe kishte kërkesa të larta për to, ishte e pakuptueshme jeta private e Turgenievit, i cili “strehohej në një cep të folesë së huaj” (është fjala për familjen e sopranos Polina Viardo dhe burrit të saj, studiuesit të artit, Lui Viardo). Për karakterin e vërtetë të marrëdhënieve të tyre ende diskutohet sot nga studiuesit e krijimtarisë së Turgenievit. Pothuaj gjithë jetën Turgenievi e dashuroi Polinën, – dyzet vitet që i kishin mbetur.

Gjithashtu, ka shumë mundësi që Tolstoit i vinte keq për Pellagejën, bijën e vetme të Turgenievit, për të cilën u bë sherri në Stepanovo, megjithëse emrin e saj Feti nuk e përmend. Nëna e saj, Avdotija Ivanova, pinjolle nga borgjezët e vegjël moskovitë, ishte punësuar si rrobaqepëse te çifligarja Varvara Petrovna Llutivinova, nëna e Turgenievit. E dashur, modeste dhe magjepsëse, Avdotija tërhoqi vëmendjen e Turgenievit të sapokthyer nga Universiteti i Berlinit. Midis tyre u thur një romancë, që përfundoi me shtatzëninë e vajzës. Kuturisur nga mosha e re, Turgenievi menjëherë i shprehu dëshirën të martohej me të, por nëna e tij, një grua shumë e pasur, e pushtetshme dhe despotike, u tmerrua dhe u indinjua së tepërmi. E përfshiu të birin në një skandal të madh, e kërcënoi me privim të pasurisë, sikundër e kishte bërë tashmë me djalin e madh, vëllain e Turgunievin, i cili ishte martuar me një shërbyese dhome  [fr. camériste]. Turgenievi u largua me ngut. Avdotinë shtatzënë e dërguan te prindërit në Moskë, ku në vitin 1842 lindi vajzën. Pas një viti çifligarja  kokë më vete, shkoi e mori vajzën dhe e mbajti pranë, ndërsa Avdotisë iu caktua një shumë e fisme, që i jepte mundësi të martohej përsëri.

Zyrtarisht, nëna e Turgenievit nuk e pranonte si mbesën e saj, por nganjëherë mburrej me “marrëzinë e të birit”. Ndërsa Turgenievi e mësoi se kishte një vajzë kur ajo sapo mbushte tetë vjetët. “Po ta them se ç’kam gjetur këtu, – a e gjen dot? – bijën time tetëvjeçare, mahnitshëm e ngjashme me mua”, – i shkruante ai Polina Viardosë në korrik të vitit 1850. – “Duke e këqyrur këtë krijesë të vockël, të zbehtë, ndjeva detyrimet e mia ndaj saj. Dhe do t’i kryej të gjitha – kurrë nuk do ta njohë varfërinë. Do t’ia bëj jetën më mirë s’ka”. Pasi e mori letrën, Polina Viardo i propozoi që të ishte tutoria e saj dhe ta siguronte, dhe vajza e Turgenievit u nis për në Francë. Deri në moshën tetëvjeçare i thërrisnin Pellageja, por i ati vendosi t’ia ndërrojë emrin në Polinet (pothuaj si Polina). Ai e pa në Francë vetëm në vitin 1856, kur ajo ishte tashmë katërmbëdhjetë vjeçe dhe në këtë kohë pothuaj e kishte harruar rusishten. Pellageja-Polinetit i dolën shumë probleme me Viardonë, çka e pikëlloi shumë Turgenievin. Ai kërkonte nga vajza po atë nderim që kishte edhe ai për Viardonë. Por, në fund të fundit, u desh që vajzën ta dorëzonin në një pension privat.

Mendohet se për peripecitë me Pellagenë dihej nga të gjithë të pranishmit në  zënkë – edhe Fetët edhe Tolstoit. I prirë për një analizë të pamëshirshme të gjithkujt dhe gjithçkaje, Tolstoi në fjalët e Turgenievit shihte vetëm falsitet dhe pasinqeritet të bamirësisë çifligare, kur “vajza e veshur për së mbari”, Polinet Turgenievi, arnon “zhelet e ndotura” të të vobektëve. Ndërkohë Turgenievi lëvdonte sistemin e bamirësisë angleze, pa e vërejtur teatralitetin, artificialitetin e tablosë që paraqiste.

Në fund, s’mund të mos kujtojmë mendimin e Vasilij Petroviç Botkinit, që e njihte mirë Tolstoin dhe Turgenievin. Në një letër dërguar Fetit më 9 korrik 1861 (afro dy muaj pas zënkës), ai do të shkruante:

Skena midis tij (Turgenievit) dhe Tolstoit më la një përshtypje të rëndë. Por, a e di se,  thelb, Tolstoi, mendoj unë, është një shpirt që dashuron me pasion dhe ai do ta donte Turgenievin me gjithë shpirt, por fatkeqësisht ndjenja e tij e vrullshme përballet me moskokëçarjen e butë, shpirtmirë. Ai nuk mund të pajtohej me këtë.”

Me sa duket, Botkini kishte të drejtë. Në nëntor të vitit 1855, kur Tolstoi u kthye nga Sevastopoli në Peterburg, u prit me gëzim nga Turgenievi, madje ai u shpërngul nga hoteli dhe shpejtoi të jetonte me të. Pikërisht Turgenievi e njohu me rrethin e “Sovremennik” dhe më pas Tolstoi vendosi marrëdhënie miqësore me shumë letrarë të njohur. Sipas fjalëve të Romain Rollandit, “të gjithë kërkonin të afroheshin me sivëllain e tyre të ri, i rrethuar me aureolën e lavdisë së dyfishtë – të shkrimtarit dhe të heroit të Sevastopolit”.

Por më pas marrëdhëniet midis shkrimtarëve ndryshuan dhe Turgenievi u largua nga Tolstoi. Që para se të grindeshin, pikërisht më 9 tetor 1859, Turgenievi  i shkruante Fetit: “Me Tolstoin biseduam qetësisht dhe u ndamë si miq. Me sa duket, keqkuptime mes nesh nuk mund të kishte, sepse e kuptonim shumë qartë njëri-tjetrin – dhe e kuptojmë që nuk mund të ishim miq të ngushtë. Jemi ngjizur nga baltë e ndryshme.”

 Shtatëmbëdhjetë vjet pas zënkës, më 6 prill 1878, Tolstoi i çon një letër Turgenievit në Paris, duke bërë një hap drejt pajtimit:

Ivan Gonçarov, Ivan Turgeniev, Dmitri Grigoroviç, Alexandër Druzhinin, Lev Tolstoi, dhe Alexander Ostrovski.
Fotografi e vitit 1856. Tolstoi (me uniformë ushtarake) qëndron në këmbë, i pari, në rreshtin e dytë, ndërsa Turgenievi është i dyti, në rreshtin e parë, i ulur mes bashkëpunëtorëve të revistës së famshme “Sovremennik”. Kjo është e vetmja foto e përbashkët e dy gjenive të letërsisë ruse të shek. XIX, Tolstoit dhe Turgenievit.

“Kohët e fundit, duke kujtuar marrëdhëniet tona, për habinë dhe gëzimin tim, e ndjeva që ndaj jush nuk kam kurrfarë armiqësie. E dhëntë Zoti që edhe ju të ndiheni kështu. Të them të vërtetën, duke e ditur se sa i mirë jeni, jam pothuaj i sigurt se ndjenja e armiqësisë ndaj meje tek ju ka ikur më parë se tek unë. Nëse është kështu, atëherë, ju lutem, t’i japim njëri-tjetrit dorën dhe, ju lutem, të më falni për çdo gjë jam fajtor para jush. Kaq të natyrshme e kam që të kujtoj vetëm të mirën, sepse kjo e mirë ishte kaq e pranishme në marrëdhënie me mua. Nuk e harroj që ju detyrohem që më bëtë të njohur si shkrimtar dhe nuk do ta harroj se sa i donit shkrimet e mia, por edhe mua. Mbase, edhe ju do të gjeni të tilla kujtime për mua, sepse ka qenë një kohë që ju kam dashur sinqerisht. Sinqerisht, nëse mundeni të më falni, ju ofroj gjithë atë miqësi për të cilën jam i aftë. Në moshën tonë ka vetëm një të mirë – marrëdhënie dashamirësie midis njerëzve. Do të isha shumë i gëzuar që midis nesh ato të vendoseshin.”

Sipas dëshmisë së Anenkovit, kur ishte duke e lexuar letrën, Turgenievi u ngashërye dhe menjëherë i ktheu përgjigjen:

“8 maj 1878. Paris.

Shumë i dashur Lev Nikollajeviç, vetëm sot sapo e kam marrë letrën Tuaj…  gëzoi shumë dhe më preku. Me dëshirën   madhe jam gati ta përtërij miqësinë tonë  mëparshme dhe e shtrëngoj fort dorën që Ju më keni zgjatur. Keni plotësisht të drejtë  nuk hamendësoni se kam ndjenja armiqësore ndaj Jush; edhe nëse kanë qenë, janë zhdukur me kohë e me vakt dhe ka mbetur vetëm kujtimi për Ju, njeriun të cilin e doja sinqerisht, dhe shkrimtarin, hapat e para të të cilit ia dola t’i përshëndes para të tjerëveçdo vepër e re e të cilit më zgjonte interesin më të gjallë. Gëzohem me shpirt për ndërprerjen e keqkuptimeve që kishin lindur midis nesh. Shpresoj shumë që këtë verë të jem në gubernën e Orllovskit dhe atëherë ne, natyrisht, do të shihemi. Deri atëherë ju uroj gjithë të mirat dhe përsëri ju shtrëngoj miqësisht dorën.”

Në vitin 1878 Turgenievi i shkoi dy herë mysafir Lev Tolstoit në Jasnaja Poljana dhe përfundimisht, mes tyre u fshi çdo moskuptim. Kur Tolstoi mori vesh për sëmundjen e rëndë të Turgenievit, i shkroi: “E ndjeva që ju dua. E ndjeva se,  rast se Ju do të vdisni më parë se unë, do të ishte e dhimbshme për mua.”

Në letrën e fundit që Turgenievi i ka dërguar Tolstoit, lexojmë:

 “I dashuri dhe i shtrenjti Lev Nikollajeviç! <…> i lumtur të jem bashkëkohësi Juaj. Miku im, shkrimtari i madh i tokës ruse, kthejuni krijimtarisë letrare.”

Lajmi për vdekjen e Turgenievit më 23 shtator 1883 ishte një goditje për Tolstoin. Më vonë do të shkruante: “…Veçse mendoj për Turgenievin dhe e dua tmerrësisht, më dhimbset dhe vetëm e lexoj. Jetoj me gjithçka të tij.”

Përktheu Bujar Hudhri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here