Në këto pak më shumë se njëqind vjet pavarësi padyshim që shqiptarët kanë bërë shumë për ndërgjegjen e tyre kombëtare. Pavarësisht nga sukseset e arritura deri tashti në arsim, kulturë dhe shkencë, duhet të pranojmë se kemi mangësi që tashmë mund të quhen të pafalshme në organizimin e bashkërenditjen e studimeve historike.
Kjo nuk do të thotë se përgjatë këtij shekulli pavarësi nuk kemi pasur studime apo studjues të censhëm. Kontributi i tyre është i pakundërshtueshëm dhe vlerësohet, por mungesa e bashkërendimit të punës, të përvojave, të hulumtimeve, të studimeve të të gjithëve ka bërë që në historinë tonë të ketë boshllëqe të mëdha. Këtyre iu duhen shtuar mandej mistifikatorët, denigruesit si edhe të ekzaltuarit që servirin variantin e tyre të historisë shqiptare.
Një rast i bujshëm që flet qartë për mangësitë e bashkërendimit të studimeve tona historike por edhe për pasionin e spekullatorëve, është ai i zanafillës së Gjergj Kastriotit, ose më saktësisht i të et, Gjonit.
Letra që po paraqesim më poshtë, e vitit 1426 dhe që ruhet në Hilandar, është një dokument i stërnjohur për bizantinistët e mbarë Europës por siç u pa edhe gjatë vitit të Skënderbeut, aspak i njohur në Shqipëri. Fatkeqësisht, atë nuk e njihnin as historianët e huaj që bujarisht japin kontributin e tyre për çështjet e historisë shqiptare!
Dokumenti është një dëshmi nëpërmjet së cilës Gjon Kastrioti dhe të bijtë, Stanishi, Konstandini, Reposhi dhe Gjergji i dhurojnë manastirit serb të Hilandarit dy fshatrat, Radostushë dhe Trebishte, bashkë me kishën e Shën Mërisë të fshatit të parë si edhe të ardhurat e këtyre. Në letër tërheq vëmendjen modestia e Gjon Kastriotit kur thotë se i dhuruan manastirit të Hilandarit «aq sa qe fuqia jonë» dhe «shumë i dashuri Zot dhe e Papërlyera Nëna e Zotit i pranoftë këto dhurata tona të vogla, ashtu sikurse monedhën e vogël të vejushës» (Mk. 12, 42-44).
Letrën nuk e ka shkruar Gjoni por logoteti i tij, siç del në rreshtin e parafundit: «Mbasi e shkrova e nënshkrova me vulën e zakonshme të zotëri Gjonit [Ivanit]». Për më tepër, përkthimin dhe shpjegimin gjerë e gjatë të kësaj letre si edhe të disa të tjerave të Kastriotëve lexuesi do ta gjejë të plotë tek revista Shejzat-Pleiades[1].
Letra në fjalë përfundon me një fjali, e cila, e vetme, na tregon shumë. Të gjithë ata që kanë studjuar sadopak rusisht në Shqipërinë e dikurshme do të jenë krejtësisht në gjendje ta kuptojnë atë:
Милостію божіею іоаннь кастріоть господинь албанскіи.
Shqip mund ta përkthejmë kështu: «Falë hirit të Zotit, Gjon Kastrioti zot arbëror.»
Historiani Dushan Sindik[2] mendon se ky rresht, i cili ne na duket pjesë integrale e letrës, është shtuar më vonë, rreth viteve 1440, nga murgu Nikandër.
Dokumenti është botuar që në 1915 nga dy bizantinistë të njohur, siç shihet edhe nga koopertina: Révérend Père Louis Petit, augustinian, i cili më vonë do të emërohej arqipeshkëv katolik në Athinë dhe Vladimir Karabljov [ Владимир Кораблёв], ndërsa revista, është ajo e studimeve bizantine ruse që ende sot e kësaj dite vijon të botohet. Duhet shtuar se këta të dy, në botimin e Acta-ve të manastireve në Malit Atos, kanë shfrytëzuar shënimet e hollësishme që kishte marrë peshkopi rus Porfiri Uspenskij [Порфирий Успенский] (1804-1885) kur pati vizituar Malin Atos si shtegtar dhe hulumtues, përfshi edhe këtë letër. Meqë ra fjala, është po ky peshkop i cili, në shënimet e tij flet edhe për Jan Kukuzelin dhe partiturat e këtij muzikanti durrsak që ruhen në Malin e Shenjtë Atos.
Siç e tregon qartë edhe ky botim më se njëqindvjeçar, nga ana e filologëve të vërtetë, të çfarëdolloj kombësie, nuk ka asnjë manipulim. Mungesat janë të dukshme vetëm në anën tonë. Sa për të tjerët, që i kanë pasur në dorë këto dokumente dhe nuk janë shprehur publikisht rreth kombësisë së Kastriotëve mund të themi se nuk është përgjegjësi e tyre të merren me historinë tonë.
Kjo është vetëm një letër e Gjon Kastriotit nga arkivi i murgjëve serbë në Hilandar, por ndër dokumentet e Hilandarit përsëritet plot tri herë se Gjon Kastrioti është arbër[3].
Në këto njëqind e ca vjet pavarësi duhej të ishte gjendur mënyra e një studjues shqiptar duhej të kishte shkuar deri në Malin Atos për ta parë nga afër këtë dokument e të tjerë!
Ndërkaq, dokumente të tjera presin të lexohen, të studjohen, të shqyrtohen imtësisht në arkivat e Raguzës [Dubrovnikut], Venedikut, Zarës, Shibenikut, Istries, Pulës, Stambollit, sa për të përmendur disa sish, e këtyre iu duhen shtuar arkivat e rregullave të ndryshme si ato të benediktinëve, të dominikanëve, të françeskanëve, të jezuitëve, të bazilianëve duke përfunduar tek arkivat private.
Që të hulumtohet nëpër këto arkiva ka nevojë për një grup të gjerë studjuesish duke filluar që nga niveli universitar, të pajisur me kulturë të gjerë greko-latino-sllave e duke i shtuar këtyre edhe atë osmane; duhet të jenë të pajisur me metoda hulumtimi shkencore; duhet të njohin jo thjeshtë gjuhët e vdekura e të gjalla por edhe paleografinë, epigrafinë, etnografinë, antropologjinë e disiplina të tjera. Këto studime duhet të gjejnë pastaj një tribunë të tyren edhe tek një revistë shkencore studimesh mesjetare. Duhet themeluar edhe një database me të dhënat kryesore të studimeve tona në mënyrë që të ketë bashkërendim të punës. Duhet që studentëve tanë t’iu krijohet mundësia të debutojnë me punime diplomash rreth këtyre temave.
Në fund, nuk duhet të mungojë as mbështetja financiare për universitetet sepse kërkimi shkencor kërkon punë dhe vijimësi në kohë.
Epoka që po përjetojmë na i kërkon me ngulm këto ndryshime e përmirësime tepër të nevojshme në programet tona universitare dhe akademike. Në këtë vorbull të madhe të globalizimit ku mungon orientimi dhe përvoja – sepse asnjë vend nuk e ka përjetuar më parë këtë gjendje – edhe ne kemi nevojë ta njohim më imtësisht e me kthjelltësi individualitetin tonë historik. Atëherë do të jemi në gjendje për dialog me këdo e çfarëdo sfide që e ardhmja mund të sjellë me ose pa paralajmërim në brigjet tona.
[1] Ndreca Arben, «Disa dokumente rreth Gjon dhe Gjergj Kastriotit në sllavishten e vjetër. Pjesa II», tek Shejzat-Pleiades, series nova, nr. 1-2, 2019, 47-69.
[2] Po aty.
[3] Po aty./