Aubrey Herbert, diplomati që dëshmoi kasaphanën greke ndaj parisë çame
Në verën e vitit 1913, kur Konferenca e Londrës kishte përfunduar punimet e saja, Aubrey Herbert e vizitoi Shqipërinë. Vizita kishte për qëllim njoftimin e tij me reagimin e shqiptarëve në lidhje me rezultatet e konferencës e cila mori vendime të dëmshme në lidhje me shtrirjen territoriale të shtetit të ri shqiptar. Konferenca kishte vendosur që Hoti dhe Gruda t’i jepeshin Malit të Zi. Herbert i vizitoi këto anë dhe më poshtë është shënimi i tij në lidhje me disponimin e shqiptarëve që kishte parë në terren. Kjo është një pjesë e ditarit dy ditësh të Herbertit që sot mund të sherbej si fakt historik.
Shkodër, e shtunë, 30 gusht 1913:
Dola jashtë, herët në mëngjes. Ajri ishte i freskët dhe kishte aromë të pabesueshme. Me hapa të shpejtë shkuam skaj Bardanjolit, kaluam varrezat malazeze dhe Koplikun e djegur.
Vendi i butë dhe pjellor i bënë shtëpitë e djegura të duken me tmerr më të theksueshëm. U ndalëm te shtëpia e Mirash Lucit, ku i gjetëm njerëzit duke nxjerrë nga toka municionin e fshehur në përgatitje për luftën e ardhshme me malazezët. Ishte tmerrësisht vapë. Fëmijët ishin lakuriq. Ne u lamë në djersë, derisa u ngjitëm maleve.
Pas një rrugëtimi të gjatë, të cilin nuk do ta shkurtoja as për një minutë, e gjetëm një shpellë të freskët në mal që kishte ujë të kristaltë. Aty pimë ujë dhe biseduam, derisa u lajmëruan shqiptarët me shokat e tyre kuqezi. “Kështu”, thanë ata, “ishte e vetmja mënyrë se si ne treguam besnikëri ndaj vendit tonë. Turqit kurrë nuk e kanë vërejtur këtë”.
Ata kënduan këngë patriotike, gjithmonë kundër Malit të Zi, derisa malet jehuan sërish. “Auuu Karadak” (Mali i Zi). Çdo fushë e bukur dhe shkëlqyese e ka tregimin e saj, tregimin e vjetër 500-vjeçar, të ritreguar ndryshe pos në pikën e gjakut të katër viteve të fundit. Secila maje e ka kujtesën e saj, por atë që vitet e kanë bërë romantike, ditët e bëjnë tmerruese. Njeriu mund ta ndjejë hakmarrjen në ajër. Të gjitha shtëpitë janë pa kulme; në male kanë shkatërruar turqit, kurse në fusha malazezët kanë krijuar rrënoja.
Aubrey Herbert, miku më i madh i shqiptarëve
Malazezët nuk kanë sjell shkatërrime ndaj katolikëve, sikur ndaj myslimanëve. Ata i kanë plaçkitur shumë shtëpi katolike, ua kanë prerë hundët shenjtorëve të kishave dhe kanë përdhosur kryqin, por nuk kanë vra dhe shkatërruar. Katolikët thonë se kjo nuk është bërë për shkak se ata [malazezët] janë zemërmirë. Një prift të cilin e takova më tregoi se i kishte parë se si malazezët ua kishin prerë hundët myslimanëve që ishin të burgosur në Tuz. Prifti nuk kishte iluzione ndaj “mirësisë” së Malit të Zi. Ata [katolikët] nuk kanë dyshim se çfarë do të jetë fati i tyre nëse vijnë malazezët.
Një i ri, sikur panter, shërbeu si kallauz i joni. Lajmi për ardhjen tonë kishte mbërri para nesh në fshatin Repshë ku ne takuam një grup me 25 veta që pritnin ardhjen tonë: u ulëm dhe pimë birrë me ta. Vazhdimisht gjuanin me revolet e tyre. Të gjithë ishin mikpritës, të sjellshëm dhe refuzuan që unë të paguaja për këtë aheng që ishte i përsosur.
Ne mbërrimë në Rapshë në orën 6:00, një fshat në lartësi të maleve. Aty ishin dy priftërinj, At Sebastiani, një njeri i këndshëm, kurse tjetri nuk kishte disponim të mirë. Aty ishte edhe vojvoda Gjelosh Gjoka, një njeri i madh që dukej si granit në të cilin më nuk kishte mbetur humor, por doli që ishte shakagji dhe ndreqës i atmosferës.
Mua ma dhanë dhomën e Atit Sebastian që ishte plot me pushka, gjëra të shenjta, shishe me raki dhe libra të ceremonive fetare. Një vojvodë tjetër, një nga udhëheqësit e rreptë të maleve, u largua me përulje nga dhoma e ndejës dhe ne u ulëm për darkë. E tërë biseda ishte për Hotin dhe Grudën. Argumentet ishin të rrepta, sikur rakia që e pinin shqiptarët.
“Është e jona. Është toka jonë. Pse duhet ta dorëzojmë? Evropa e ka shkelë ligjin tonë për shkak se ne jemi të varfër ose për shkak se ajo është e padijshme. Ajo ka dështuar ndaj nesh. Ajo do të dështojë sërish. Kufiri është bardh me eshtrat e paraardhësve tanë. A mos jemi ne më pak burra se malazezët? Nëse Mali i Zi e merr Hotin dhe Grudën, do ta mbajë derën e hyrjes në Shqipëri, që është hyrje për luftëtarët, kurse portë për politikanët e tyre. Ata na kanë tradhtuar. Kanë thënë se lufta kundër turkut është luftë për liri. A do t’ua paguajë tashti Evropa atyre rrogën për tradhti me paratë e njerëzve të cilët i ka plaçkitur? Mali i Zi është i varfër. Mali i Zi do të na sjell neve civilizim, neve që jemi po ashtu të varfër? Mali i Zi vjen për të na plaçkitur. Ne e kemi ruajtur vendin tonë për 500 vjet. Turqit kanë qenë më të mirë se malazezët, pasi me ta e kemi mbajtur tonën. A duhet tashti ta dorëzojmë? Ne, pesë fiset, jemi betuar në jetën tonë për të luftuar dhe vëllezërit tanë do të na bashkohen”.
Aubrey Herbert dhe ditari i një dite në Kosovë: Mes shqiptarëve që ju mungonte civilizimi!
Gjatë ushqimit priftërinjtë u shërbenin mysafirëve. U dhanë pije, ushqim, cigare dhe nganjëherë dilnin jashtë dhe gjuanin me revole si përgjigje të dikujt tjetër në luginë. Priftërinjtë merrnin pjesë në tërë shakatë dhe mua më dukej se kishin kontroll të mirë ndaj grixhës së tyre. Priftërinjtë ishin kryesisht shqiptarë nga kombësia, por shumica e tyre janë arsimuar në Austri. Është Austria ajo ku këta i mbajnë sytë dhe e cila i mbështetë me para. Priftërinjtë kanë mustaqe, sipas zakonit të Lindjes. Në Repshë ishin kundër Qeverisë së Vlorës. Nuk befasohem nëse ata tentojnë të shpallin një Qeveri për Veriun. Faik Bej Konica, Sali Hoxha, Bajram Curri, Isa Boletini janë në këtë punë.
E diel, 31 gusht 1913:
Ky mëngjes ishte i përsosur, kurse agu në tokë ishte si Parajsë. Më vonë erdhi nxehtësia që u bë e ashpër. Gjatë tërë kësaj të diele dëgjoheshin krisma të zëshme të revoleve, deri atje poshtë në luginë. Gurët shërbenin si telefona; lajmet vinin e shkonin. Në mëngjesin e mëndafshtë u krijua një atmosferë e pakëndshme, një ndodhi e pazakonshme në mesin e shqiptarëve. Më vonë zbulova nga Don Sebastiani se arsye e kësaj ishte prezenca e A i cili ishte me mua. Tri apo katër vite më parë shqiptarët kishin lidhë besë dhe ishin betuar para kryqit që të luftonin kundër turqve pa malazezët. Thuhej që A i kishte tradhtuar në Podgoricë. Ai, po ashtu ishte sjellë shumë keq në çështjet e marrjes së gjakut, për shkak se e kishte vra një mysliman, diku rreth një kilometri nga këtu, që ishte në rregull, por duke e ditur se kishte rënë në gjak me të afërmit e këtij myslimani, kishte shkuar po atë pasdite dhe i kishte vrarë edhe dy tjerë e cila gjë konsiderohej se ishte jashtë rregullave. Ai tashti e meritonte vdekjen.
Unë u thashë se do t’ju isha shumë mirënjohës nëse nuk do ta vrisnin sa ishte me mua. Mund t’i thoshin që të largohej. Ata thanë se nuk ishte çështje e vrasjes së tij, pasi që marrëveshja ishte ende në fuqi dhe se ata ishin njerëz të ndershëm. Nëse ai do t’i kishte vrarë pes nga ta, nuk do ta preknin por nuk e dëshironin atë në prezencën time dhe donin që unë ta braktisja. U thashë që nuk mund të intervenoja në zënkat e tyre, pasi që isha pa informata. Mund të ishte siç thoshin ata por, sërish, mund edhe të mos ishte ashtu. Nëse ata dëshironin që ai të largohej, duhej t’i thoshin vetë. Pas kësaj, atmosfera u qetësua dhe atyre iu kthye disponimi i mirë. Të gjithë kënduan këngë, solo dhe në kor, në shtëpinë e priftit. Këngët ishin kundër Malit të Zi.
Dy myslimanë erdhën në meshë. Njëri prej tyre ishte bajraktari i Hotit dhe ishte pjesëtar i vetëm i një familjeje myslimane në qytet. Ai u fal para Shën Gjonit, sikur katolikët, më të mirë nga të cilët ai ishte mbrojtur kur malazezët kishin ardhur në Rapshë. Myslimani tjetër, Salih Hoxha, dhe unë u ulëm nën hijen e murit të kishës pasi që vapa ishte e tmerrshme. Ai filloi ta pinte një cigare gjatë momentit të ngritjes në kishë, por i ra ndërmend për mirësjellje dhe e fiku cigaren. Këndimi lutjeve [Ave Maria] në shqip krijoi muzikë në male, kurse nga lugina poshtë vinin krismat e revoleve të cilave iu përgjigjën priftërinjtë me revolet e tyre duke dal me nxitim nga mesha. Shqiptarët e kremtonin Festën e Shën Gjonit dhe disa prej tyre nuk ishin tamam esëll. Shërbëtori im Deliu ishte njëri prej tyre. “Sa njerëz të mirë”, tha ai.
Më tërhoqën nga hija e kishës nën hijen e një lisi dhe thanë se nëse nuk dëshiroja të mbaja fjalim, së paku duhej të dëgjoja përgjigjet e tyre ndaj disa pyetjeve që duhej bërë unë. U fola në frënfgjisht që përkthehej në shqip nga një mjek i arsimuar.
Herbert për shqiptarët: Të bukur, inteligjentë, trima, besnikë, por kundër rendit shtetëror… dhe Perandoria Otomane bëri veç çka deshën ata!
“Unë jam anglez, por nuk flas në emër të Anglisë. Ju keni shumë miq në Angli të cilët janë gëzuar që Shqipëria ka shpëtuar, pasi që ne dhe ju gjithmonë kemi luftuar për liri, të cilën tani e keni arritur. Gjatë 500 viteve keni mbajtur zi për Skënderbeun; së shpejti, shpresoj, me ndihmën e Zotit, do të bartni rroba të bardha për mbretin tuaj. Është Anglia vendi ku miqtë tjerë tuaj dhe unë mundohemi ta bëjmë atë që mundemi për Shqipërinë. Është punë e juaj që këtu ju tashti t’i veni themelet e shtetit shqiptar. Armiqtë tuaj kanë thënë se ju nuk mund t’i tejkaloni ngatërresat dhe armiqësitë tuaja. Vërtetojeni që armiqtë tuaj e kanë gabim. Ne shpresojmë të shohim një Shqipëri të fortë dhe të bashkuar.”
Në fund të fjalimit u dëgjuan brohoritje të gjata dhe të vazhdueshme të kënaqësisë: pushkët u zbrazën me kërcitje; secili që kishte ndonjë armë, e zbrazi; tymi shkaktoi ngufatje dhe terr; gjethet binin nga druri sikur të frynte stuhia e vjeshtës kurse një fishek i zbrazur ose ndonjë plumb qorr ma preu faqen. Shërbëtori im Deliu nxitoi të ngritej në këmbë për të zbrazur një rrjedhë të retorikës, por unë kërceva dhe e ndala.
Pastaj A u theksua dhe e nxori revolen për të gjuajtur gjithkah duke u thirr në Zot dhe në mua si dëshmitar se do të luftonte kundër Malit të Zi. Qëllimi i tij ishte që ta fuste veten në mesin e tjerëve. Vazhduan fjalimet e zjarrta dhe brohoritjet: “A e din Evropa se kush janë malazezët? Janë bij të pesë pareve. Hurraaa për zojën Durham. Hurraaa për Shën Gjonin. Rrnoftë Shqypnia! Rnoftë zoja Durham! Rrnoftë Herberti! Bam, bam, bam! Pleqtë me flokë të thinjura u ngritën dhe i tregonin shenjat e plagëve; malet ushtonin nga zërat e tyre; ushtimat e pushkëve jehonin në fund të luginës derisa priftërinjtë bërtitën: “Boll ma, boll”!
Shkuam në një shtëpi, por veshët e mi ishin shurdhuar, kurse hunda dhe fyti u thanë nga baruti që u zbraz. Pas një ngjitjeje malit, mbërrimë te vendi ku një herë kishte qëndruar shtëpia e Ded Gjon Lulit e cila, sikur tjerat, ishte djegur. Plaku [Ded Gjon Luli] u ul mbi një qilim të shtruar mbi degë gjethesh të shkujdesshme, kurse një qilim tjetër qëndronte i varur si mbrojtje nga dielli. Festa u shpërnda shpejt; Ded Gjon Luli ishte i gatshëm të fliste për luftimet e tija të kaluara. Nuk brengosej shumë të fliste për ardhmërinë.
E mbarova ushqimin tim dhe i thashë lamtumirë plakut [Ded Gjon Lulit] duke e admiruar me tërë zemrën time. Miku im mysliman mbërrini, por e lashë pas duke diskutuar teologjinë dhe Trinitetin me Ded Gjon Lulin.
Përktheu dhe përgatiti për Telegrafin: Daut Dauti