Bashkëpunimin, aleancat dhe marrëdhëniet me sovranët e shteteve të tjerë Skënderbeu i ndërtoi në përputhje me standardet e kohës, sipas drejtimeve të politikës së jashtme të shtetit të vet dhe në respektim të normave të së drejtës ndërkombëtare
Ksenofon Krisafi*
Skënderbeu, që e ngriti lart emrin e shqiptarëve me fitoret e bujshme në fushat e betejave luftarake kundër turqve Osmanë, iu dha atyre famë e lavdi edhe në betejat diplomatike, ku u shfaq i guximshëm dhe inteligjent, plot talent dhe aftësi. Angazhimi i suksesshëm për realizimin e politikës së jashtme të shtetit të vet nëpërmjet një diplomacie të suksesshme, shpalosi vlera dhe merita të tjera të këtij shtetari të shquar. Evidentimi i plotë i tyre nxjerr në pah nga një optikë tjetër rëndësinë e shtetit që ndërtoi.
Pas rikthimit në atdhe dhe daljes në krye të shtetit të përqendruar shqiptar, ai kuptoi se e ardhmja e shqiptarëve do të varej në radhë të parë nga ndërtimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me sundimtarët e tjerë vendas shqiptarë. Prandaj për kapërcimin e tendencave partikulariste dhe separatiste të sundimtarëve shqiptarë, ndoqi një politikë ekuilibri, tolerance, aleancash, bashkëpunimi dhe ndihme reciproke. Që në fillim iu drejtua atyre dhe, siç thonë studiues të kësaj epoke, brenda hapësirës shqiptare, me vendimet e rëndësishme të Kuvendit të Lezhës, të marsit 1444, krijoi dhe sanksionoi juridikisht, një bashkim konfederativ fisnikësh, aleancën e shqiptarëve, të quajtur Besëlidhja e Princave Shqiptarë.
Ky bashkim, i realizuar gati 6 shekuj më parë nga Skënderbeu, duhet të vijë në ditët tona si mesazh dhe mësim i çmuar. Forcat politike që janë në krye të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Medvegj, Bujanoc etj., një pjesë e të cilave janë përfshirë në grindje e konflikte të paprincipta, kanë rastin të marrin mësimin e madh që vjen prej tij, të kuptojnë se momentet në të cilat ndodhet sot bota shqiptare, kërkojnë lënien mënjanë të mërive dhe grindjeve dhe bashkimin në interes të të ardhmes.
Bashkëpunimin, aleancat dhe marrëdhëniet me sovranët e shteteve të tjerë Skënderbeu i ndërtoi në përputhje me standardet e kohës, sipas drejtimeve të politikës së jashtme të shtetit të vet dhe në respektim të normave të së drejtës ndërkombëtare.
Kur flitet për politikën e jashtme dhe diplomacinë e shtetit të Skënderbeut (emërtimi shteti i Skënderbeut, që përmendet këtu, nënkupton shtetin shqiptar të themeluar dhe të drejtuar nga Skënderbeu) nuk pretendohet që ajo të ishte pjesë ose kre i posaçëm i ndonjë platforme a programi qeveritar. Arsyeja është e thjeshtë. Në ato kohë nuk ekzistonte kjo praktikë, çka nuk do të thotë aspak se Skënderbeu nuk kishte dhe nuk zhvillonte një politikë të jashtme. Përkundrazi, sikurse dëshmohet lehtësisht nga burime të shumta historike, arkivore e bibliografike shteti shqiptar, kishte politikën e tij të jashtme që nuk ndryshonte nga ajo e shteteve të tjerë përreth.
Mozaiku politik shtetëror në kontinentin europian nuk ishte ky që është sot, apo 50 a 100 vjet më parë. Europa formohej nga qindra shtete, me struktura, territore dhe emërtime të ndryshme. Në atë mjedis ndërkombëtar aq shumë kompleks Skënderbeu, me rolin që luajti dhe kontributet që dha, me triumfin në luftrat ndaj osmanëve dhe arritjet në politikën e jashtme realiste, të matur dhe të ekuilibruar, u shndërrua në një figurë historike gjithë shkëlqim e lavdi. Për gati një çerek shekulli ai u bë udhëheqësi më i madh i shqiptarëve, mbrojtësi i Europës nga furia pushtuese osmane dhe fitoi një emër të admirueshëm kudo në botë. Duke shfrytëzuar faktorët politikë, shtetërorë, ekonomikë, tregtarë, por edhe religjiozë, e shfaqi veten strateg të madh, burrë shteti trim dhe diplomat të shquar. Ai pati mënçurinë dhe meritën e veçantë që ta orientonte të ardhmen politike të shqiptarëve drejt Europës, çka duket si një predestinim, si amanet i shenjtë për brezat e mëpasshëm, për t’i mbajtur sytë nga kontinenti europian, për të qenë pjesë e tij jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht dhe juridikisht.
Lidhjet me mbretëritë, republikat, principatat evropiane dhe sidomos me Selinë e Shenjtë, si dhe përfshirjen në koalicione ndërshtetërore, të realizuara me anë të veprimeve politike e diplomatike inteligjente, i përdori për të përmbushur objektivat kryesore të politikës së tij të jashtme. Ato fokusoheshin te afirmimi i statusit të vendit, përballimi i ofensivave pushtuese turke etj ndaj trojeve shqiptare dhe ndalimi i depërtimit osman në Ballkan dhe në Evropë. Në këtë mënyrë hapeshin horizonte për të zhvilluar më mirë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare në dobi të vendit të vet, për garantimin e qarkullimit të lirë të tregtarëve dhe mallrave nga dhe për në territoret shqiptare, si dhe për të tërhequr dhe administruar ndihma nga shtetet e tjerë, për t’i vënë ato në shërbim të shqiptarëve.
Skënderbeu veproi përmes diplomacisë direkte bilaterale, por edhe nëpërmjet pjesëmarrjes në forumet më të rëndësishme diplomatike, duke u shfaqur si partner serioz dhe dinjitoz i diplomacisë multilaterale. Në këtë mënyrë skaliti dhe prezantoi profilin e një shteti shqiptar me “emër të përveçëm”.
Ai iu kushtoi kujdes të posaçëm marrëdhënieve me Papatin, si dhe me sovranët e Venedikut, Milanos, Firences, Mantovës, Sienës, Burgonjës, Raguzës, Hungarisë, Francës, Spanjës, Polonisë etj. Përmbajtja dhe specifikat e këtyre marrëdhënieve janë të shumta dhe interesante. Më hollësisht për to flitet në versionin e shkruar të kësaj kumtese.
Në shtetin e Skënderbeut, ashtu si edhe ne vendet e tjera, nuk kishte organe të veçanta për politikën e jashtme dhe ushtrimin ekskluziv të veprimtarisë diplomatike. Megjithatë, në aparatin shtetëror vepronin funksionarë, të cilët në mos tërësisht, një pjesë të kohës ia kushtonin atyre. Të tillë ishin kancelarët, ambasadorët, oratorët etj. Por, ishte Skënderbeu ai që vendoste lidhjen e marrëdhënieve ndërshtetërore me subjektet e tjerë të së drejtës ndërkombëtare, që e realizonte nëpërmjet një diplomacie aktive. Pjesë e saj ishte shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë, të cilët për t’u akredituar si të tillë, pajiseshin me letra kredenciale. Për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktateve me vende të tjera, dërgonte përfaqësues të posaçëm, të autorizuar me plotfuqi ose pranonte përfaqësuesit e tyre në oborrin e vet.
Në atë kohë Skënderbeu, sipas shembullit të Papatit dhe republikave tregtare italiane, nisi përvojën e akreditimit të përfaqësuesve të përhershëm ose me afate të zgjatura qëndrimi. Kjo kumtohet nga një dokument i gjetur në arkivat veneciane, një autorizim dukal i shtatorit 1458, nga i cili mësohet se përfaqësuesi i Shqipërisë pranë Venedikut, ambasadori Gjergj Pelini banonte në një shtëpi në Venecia, qiraja vjetore e të cilës, paguhej nga Venediku. Pra, tashmë, si pak shtete të kontinentit, ai shkëmbente përfaqësues të përhershëm. Dokumenti i përmendur më lartë, tregon gjithashtu edhe se koha e qëndrimit të përfaqësisë së përhershme të Skënderbeut, ishte jo më pak se një vit.
Ashtu si Venediku dhe Firence, që sollën në skenën e historisë së diplomacisë botërore personalitete nga fusha e artit, kulturës, shkencës, filozofisë, politikës, siç ishin Dantja, Petrarka, Bokaçio, Makiaveli, Guiçardini etj, edhe Skënderbeu ua besoi angazhimin në diplomaci disa humanistëve të njohur për kohën e vet, klerikë e laikë. Ata, ndonëse nuk shkëlqenin si kolegët e tyre venecianë e fiorentinas, ishin gjithsesi shkencëtarë e dijetarë të përmendur, që njihnin shkencën, filozofinë, historinë, kulturën, artin, doktrinat fetare etj. Lista e diplomateve, ambasadorëve dhe oratorëve të Skënderbeut, nuk është aq modeste sa mund të mendohet. Le të përmendim disa nga më të shquarit prej tyre si p.sh. Andrean, Peshkop i Shqipërisë, Gjergj Pelini, Pal Engjëllin, Stefanin dhe Nikollë de Berguci, vëllezërit Pal dhe Gjon Gazulli, murgu Lazar, Theodor Jafet, Ndre Snatiku, Martin Muzaka, Andrea Suma etj.
Skenderbeu, sikurse shume shtete të tjerë në kontinent, megjithëse kishte diplomatët e vet, cilësorë e prestigjiozë, në raste të caktuara, rekrutonte si ambasadorë shtetas të huaj. Përmenden Paolo Cazulo, Giovanni Neëport, abati Pietro, abati Paolo të S. Maria de Trefandena etj.
Diplomacia familjare e martesore ishte gjithashtu e përzgjedhur dhe e zbatuar nga Skënderbeu. Për interesa të larta shtetërore ai shfrytëzonte me mjeshtëri krushqitë, lidhjet me princat ose sundimtarët e tjerë. Për këto arsye, fjala vjen, në vitin 1461, mori rrugën dhe shkoi në Siena, i ftuar për të marrë pjesë në dasmën e Antonio Pikolomini (nipit të Papes Piu II), qe u martua me të bijën e mbretit Ferdinand II te Napolit.
Instrument operativ i veprimtarisë së tij diplomatike ishte gjithashtu letërkëmbimi. Përmes tij realizohej shkëmbimi i propozimeve, projekt-traktateve, transmetimi i mesazheve, kërkesave ose dhënia e përgjigjeve. Korrespondenca diplomatike, dërgimi dhe sjellja e letrave bëhej nëpërmjet korrierëve diplomatikë, për ekzistencën dhe përdorimin e të cilëve mësojmë nga një dokument që dëshmon se në buxhetin e vitit 1464, ishin planifikuar 200 dukate për korrierët diplomatikë.
Skënderbeu akreditonte ambasadorë jashtë, por edhe priste, dëgjonte dhe negocionte personalisht me të dërguarit e shteteve me të cilët kishte marrëdhënie diplomatike.
Diplomatët e Skënderbeut jashtë dhe ata të Sovranëve të huaj në Shqipëri, kishin privilegje dhe imunitete diplomatike, gëzonin paprekshmërinë personale dhe të selisë dhe banesës, ndalimin e presioneve fizike ose psihike, respektimin e dinjitetit etj.
Nuk ishte rastësi dalja dhe afirmimi i Skënderbeut në skenën e historisë shqiptare dhe asaj botërore. Ai ishte jo vetëm strateg ushtarak, organizator dhe drejtues i shkëlqyer i shërbimeve shtetërore, përfshirë edhe veprimtarinë diplomatike, por edhe negociator e diplomat i zoti. Me mençurinë, ekuilibrin, natyrën e përmbajtur, taktin, elokuencën dhe elegancën e të shprehurit, iu imponohej fuqishëm interlokutorëve të vet. Fati ishte me të edhe për shtatin, paraqitjen fizike dhe pamjen e jashtme të admirueshme, dhunti këto që ia shtojnë vlerat politikanëve ose diplomatëve. Një historian, duke iu referuar vizitës së tij në Romë, më 1463, thotë: “Në moshën pesëdhjetë e nëntë vjeçare, Skënderbeu ishte ende burri më i pashëm i Europës. Nuk kishte gjë më madhështore se pamja e tij… Kur populli i Romës e pa të shfaqet para tij, me krejt pamjen mbretërore që shpalosi, me vështrim të ndritur nga gjenialiteti dhe guximi i pamposhtur, veshur me kostumin e vet oriental të shkëlqyeshëm, armatosur me atë shpatë që kish dorezë floriri dhe qe bërë tmerri i otomanëve, një duartrokitje e pafund, shpërtheu për t’i uruar mirëseardhjen”.
Njohuritë historike, si dhe formimi e kultura i jepnin mundësinë që në situata të ndryshme problematike, të gjykonte me urtësi dhe të mbante qëndrimin e duhur. Në shtator të vitit 1460 ai kishte dërguar në Italinë e jugut, një grup luftëtarësh në ndihmë të aleatit të vet, mbretit Ferdinand. Princi i Tarantit, Xhovani Antonio de Orsini, i kërkoi të tërhiqej, duke i shkruar se lufta në Itali do të ishte e pasuksesshme. Në përgjigjen e vet, Skënderbeu, i kujtoi betejat e Pirros në rajonin e Pulias, duke i thënë me ironi që, në qoftë se kronikat nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë. Duhet ta dini se në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën bërë luftime të mëdha me romakët dhe, nga sa dimë, në të shumtën e herës u ndanë me nder.
Skënderbeu dinte ta bënte shumë mirë diplomacinë dhe e bënte atë gjithmonë vetëm në interes të vendit dhe të shqiptarëve. Ai nuk hynte në kompromis me të drejtën dhe të vërtetën, çka e deklaronte shprehimisht në letrën drejtuar Ferantes, në tetor 1460, ku thoshte se ishte mik i të vërtetës dhe jo i fatit. Edhe ky është një tjetër mësim i madh që ua përcjell nga amëshimi politikanëve të sotëm shqiptarë, që të mos bëjnë pazare në dëm të interesave kombëtare dhe të mos e prekin tërësinë territoriale të Shqipërisë e të Kosovës.
Gjithë veprimtaria e Skënderbeut në fushën e politikës së jashtme është realizuar në përputhje me parimet themelore dhe normat e së drejtës ndërkombëtare të kohës, veçanërisht në rastin e lidhjes së traktateve dhe hyrjes së tyre në fuqi, në përpilimin e letërkredencialave dhe plotfuqive, në akordimin dhe respektimin e privilegjeve dhe imuniteteve diplomatike, në respektimin e rregullave dhe parimeve të së drejtës së luftës etj.
Si konkluzion mund të thuhet se politika e jashtme dhe veprimtaria diplomatike e Skënderbeut, e konkretizuar ndër të tjera me aleancat dhe koalicionet ndërkombëtare që realizoi, të vështruara në lidhje të ngushtë me arritjet e tij në krye të një populli të vogël, që luftoi për një çerek shekulli kundër fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, e bëjnë atë një ndër strategët, statistët dhe diplomatët më të shquar shqiptarë dhe njëkohësisht një personazh të madh të historisë politike europiane.
*Autori është dekan i Fakultetit të shkencave juridike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, Tiranë
Kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore ndërkombëtare, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes, Organizuar nga Instituti i Historisë Ali Hadri, Prishtinë, Instituti i Historisë i Akademisë Albanologjike të Tiranës dhe Instituti i Trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë, mbajtur në Prishtinë, më 16 tetor 2018.