Një ditë gushti si sot, 13 gusht 1983, do të shuhej në regëtimat e fundit trupi i ligur i të madhes Musine. Me gjithë vuajtjet që pësoi në jetë, po largohej e qetë për në qiell. Pak ditë para se te mbyllte sytë përjetësisht u kishte dorëzuar të afërmve të saj Platon e Bibika, dorëshkrimet, librat e bibliotekës, sende të saj personale, ato pak gjëra që i konsideronte te vlefshme për të mos u varrosur bashkë me të, kujton Muzeu Kokalari.

Në vetëdijen e saj pranonte rrugën që i kishte caktuar fati, prandaj këmbëngulte letër pas letre që të afërmit e saj të shkonin e të merrnin dorëshkrimet, punën hulumtonjëse të një jete të privuar nga çdo kënaqësi tjetër përveç asaj intelektuale.

Bibika Kokalari tregon se Musineja kishte paketuar gjithshka në mënyrë perfekte. Pasi ua dorëzoi nxorri një psherëtime lehtësimi dhe u ul duke thënë: “Tani jam e qetë. Mund të shkoni”. Ndoshta ajo e dinte më pare se të tjerët, që do të vinte një ditë ndryshe. Shteti komunist u përpoq sa mundi ta varroste në harresë, por emri i saj lartësohet dhe ajo dritëron gjithmonë e më shumë.

“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.

Muzeu Historik Kombëtar po ashtu përkujton sot Musine Kokalarin, shkrimtaren e parë shqiptare, disidenten e parë të regjimit komunist, themeluesen e partisë opozitare Socialdemokrate në vitin 1943.
Musine Kokalari ka lindur në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri. Musineja mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy libra “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.

Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e Musinesë.

Në nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e saj, Mumtas e Vesel Kokalari , ndërsa ajo u burgos për disa ditë. Më 23 janar 1946 u arrestua për herë të dytë. Procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Kështu do të shprehej në gjyq Musine Kokalari: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.

Vuajti 16 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.

Musine Kokalari ndërroi jetë në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet e sistemit demokratik. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”.

Në kuadër të 100 vjetorit të saj të lindjes, në vitin 2017, Ministria e Kulturës financoi botimin e përgatitur nga Biblioteka Kombëtare, kolanën me veprat “Seç me thotë nënua plakë”, “Rreth vatrës”, “Jeta ime universitare”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here