Në vitin 1992, një komision trepalësh, me përfaqësues nga Ministria e Rendit Publik, Ministria e Drejtësisë dhe Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, filloi të grumbullojë dëshmi për rastet e personave të vrarë dhe internuar, për rastet kur mungonin dokumentet arkivore. Në atë kohë, kishte shumë njerëz gjallë të cilët mund të dëshmonin ngjarjet e kaluara. Dëshmia e mëposhtme e nënshkruar nga zotërinjtë Naim Vreto, Raqi Bexho dhe Osman Kazazi dhe zonjat Nexhmije Saraçi e Artemis Vreto, hedh dritë mbi një ngjarje nga masakrat e tetor-nëntorit 1944 në Tiranë.Deklarata: “Duke u gdhirë data 1 nëntor 1944, pjesëtarë të forcave partizane komuniste, në rrugën e “Saraçit”, sot “Shinasi Dishnica”, morën dy oficerë banues në këtë rrugë, të quajturit major Muharrem Liku dhe kapiten Abdulla Saraçi. Forcat e lartpërmendura, porsa i morën në shtëpitë e tyre, i vranë në mënyrën më barbare pa i gjykuar dhe të vrarë i futën në një karrocë akulloreje duke i ruajtur dy ditë me një roje partizane. Mbasi filluan të dekompozoheshin u morën nga familjet dhe komshinjtë për t’u varrosur”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here