Në maj të vitit 1900 historiani Carl Ludëig Patsch, vizitoi Myzeqenë. Në aparatin fotografik që kishte me vete ai do të fokusonte momente të ndryshme nga jeta e shqiptarëve në atë zonë. Në një nga fotot shfaqen muzikantët gypsi teksa interpretojnë rrugëve, veshur me veshjet karakteristike të kohës. Në një tjetër shfaqen disa klerikë nga Manastiri i Zvërnesit në Vlorë. Fotoja është realizuar në 1 maj 1900. Më 17 maj Patsch ka vizituar Beratin, ku imazhe të ndryshme na vijnë nga qyteti i asaj periudhe, ku spikat pazari.

Janë një koleksion i tërë fotosh, të gjetura në arkiva nga albanologu Robert Elsie, që na sjellin ndryshe Shqipërinë e një shekulli më parë. Historiani dhe arkeologu, Karl Ludvig Paç (Carl Ludwig Patsch, 1865-1945), lindi në Kovaç të Bohemisë dhe u rrit në Volhini (Ukrainë). Studioi historinë, gjeografinë dhe filologjinë klasike në Universitetin e Pragës, ku mbaroi doktoraturën mbi Strabo-n në vitin 1893.

Dha mësim në Vjenë dhe, nga viti 1893, në Sarajevë, ku u emërua drejtor i muzeut rajonal të Bosnjë Hercegovinës. Në vitin 1904 themeloi në Sarajevë Institutin e Balkanologjisë, të cilin e drejtoi deri në fund të Luftës së Parë Botërore, kur muzeu u mbyll dhe ai u detyrua të kthehej në Vjenë. Ishte pikërisht Karl Paç i cili, me kërkesë të qeverisë shqiptare, themeloi në vitin 1922 muzeun kombëtar në Tiranë.

Paçi njihet për artikuj të tij për lashtësinë ilire dhe trake si dhe, në lidhje më të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, për librin Der Sandschak Berat in Albanien (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri), Vjenë 1904.Ky libër ishte rezultati i udhëtimit të tij në zonën e Vlorës dhe të Beratit në pranverë te vitit 1900. Përmban shumë fotografi – jo të gjitha me cilësi të lartë – si dhe shumë skica të objekteve të lashta që i zbuloi në Shqipëri: buste greke dhe romake, varre antike, mbishkrime, monedha, objekte të artit të gdhendjes në shkëmb – nga të cilët ndërkohë nuk ka mbetur asgjë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here