Mbrëmjen e djeshme, çeli ekspozitën vetjake në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, artisti Milot Gusia. Qëllimi ishte t’i kthehemi trashëgimisë tonë kulturore, më saktë: të heqim pluhurin e harresës dhe të merremi më shumë, me figurat ilire, – raportojnë mediet lokale.
Nga: Ilir Muharremi, kritik arti
Hëna shumë shpejt po ia zë vendin diellit. Vapa përvëluese në këtë mbrëmje korriku shpeshton djersët në trup dhe rritë monotoninë ndaj ndonjë aktiviteti. Mirëpo, shpesh veçantia bëhet edhe më përvëluese, më tërheqëse, më gazmore, më estetike, kur bëhet fluturimi në kohë përmes mendimit të kthimit ose vullnetit për një frymëzim drejt thesarit arkeologjik antik, drejt parajsës së trashëgimisë sonë kulturore, pra tek anijet e ilirëve. Bëhet fjalë për një performancë artistike të organizuar nga artisti Milot Gusia, i cili, çeli ekspozitë personale me titull “Unë jam Ilir”, brenda Lapidariumit të Muzeut Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Aty u ekspozua edhe një videoart me këtë temë.
Agroni, Artemisa, Glauku lotojnë
Teksa zbresë shkallëve të Lapidariumit, sytë e tyre më vështrojnë me habi, zëri i tyre i trashë që del nga shtresat e thella të shpirtit sikur kërkon më shumë vëmendje nga të gjithë ne. Ata janë të harruar në këtë mbrëmje të qetë, ata ndjejnë ftohtësi në shpirt, ata janë stërgjyshërit tonë nga të cilët i marrim vetëm emrat, e nuk vuajmë për eshtrat dhe tulin e tyre. Fytyra e Artemisës, Dionisit, Apollonit, Gentit, Glaukut, Agronit, Kleitianit…, mezi marrin frymë, sepse ne jemi vetem një vorbull njerëzish mosmirënjohës për këto statuja. Bebzat e syve të tyre kullojnë gjak, është ky gjak i harresës dhe vuajtja gjithmonë ja zë vendin gëzimit, këto bebëza ishin shkrirë në një zbrazëtirë të bardhë, të llahtarshme. E shikoj Artemisën se si e zunë drithmat. Ajo ndjen vetëm lodhje, trullojse të pakuptimtë sikur tenton të ulërijë si një ujk nën dritën e zbehtë të hënës “ dallga e turbullt e lodhjes mosmirënjohëse po na merr secilin me vete, poshtë greminës dhe Hadit”. Vërtetë kemi humbur në gjumë sikur ariu dimëror.
Këto skulptura, portrete, ilire dhe greke të punuar nga mjeshtër Ilir, te gjetura në Kosovë dhe Shqipëri, sikur përshpërijnë nëpër dhëmbë “Ne ende jemi të gjallë edhe pse po dergjemi në pluhurin e harresës?”, të gjallë vetëm nëse na nevojiteni si armë dhe shigjetë triumfuese e lashtësisë dhe ngacmimit historik, kurse pas rahatisë nëpër kolltuqe prej lëkure dhe sigurimit të fortë ekonomik, jeni vetëm bimë të heshtura dhe fantazma formale. Kështu po trajtohen figurat Ilire.
Zbritja e mbretit Agron në tokë
Perëndia Agronin e përcolli deri te dera. Vet Zoti ishte i shqetësuar nga shprehja e fytyrës së tij të hutuar dhe të trembur. Pasi Zoti dhe Agroni ju afruan derës, Agroni belbëzoi sepse ai e dinte se skulpturën e tij nuk do ta gjente në asnjë shesh në Kosovë. E hapi derën, zbriti nga bota e përtejme drejt Kosovës dhe u mishërua u bë njeri. Pas disa ore pasi kishte vizituar të gjitha qytete e Kosovës, edhe rrugicat më të ngushta, duke mos lënë anash edhe periferit malore. U ul në një reataurant në Prishtinë dhe sapo kishte mbaruar së ngrëni drekë, përballë një grua në moshë të shtyer e veshur thjeshtë po e vëzhgonte. Mirëpo mbreti Agron po vështronte gjthëandej njerzit, pak e kush e shikonte, disa vetëm zbrazët ngulin shikimin monoton. Agroni u ngritë nga karriga, ju afrua asaj. “Më dukeni si i njofshem”, pëshpëriti gruaja. Mbreti donte ta gëlltiste veten përbrenda nga inati që e kishte kapluar. “Ju kam parë dikund por nuk më kujtohet”, vazhdonte gruaja. Frymëmarja e tij shpeshtohej dhe nuk foli asgjë. Gruaja u skuq në fytyrë dhe u hutua, mirëpo asaj i vinte rëndë. Agroni e mposhti në çast tronditjen dhe përpiqej të fliste, fytyra edhe atij i bëhej flakë e kuqe dhe trazonte me dorë kopsat e këmishës. Më në fund filloi të fliste dhe në çdo fjalë i merrej goja dhe hutohej edhe më tepër: “Jam mbreti Agron i mbretërisë Ilire, djali i Pleuratit II që kam shtrirë sundimin mbi shumë fise, popuj dhe qytete në rajonin e Adriatikut.” Tash më kujtoheni, ju përgjigj gruaja, e cila vetëm kishte dëgjuar në libra për të, kurse fytyrën as që ja mbante në mend. “Po të ishit ndonjëri ose ndonjëra nga këto këngëtaret e estradës sonë tallava, të gjithë do ju shikonin dhe do kërkonin të fotografoheshit me ta”, ja ktheu ajo e skuqur. Agroni, u ndje i zemëruar, doli nga restauranti, pasi pagoi drekën, u kthye prapë në mbretërne e tij të përtejme.
Dizajne moderne me kontraste
Artisti Gusia, përmes 24 kompozicioneve që përfshijnë trajtimin në sferën e dizajnit ka ringjallur figurat e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ka përdorur sfond të zi që i jep një sensibilitet akoma më të theksuar. Figurat janë stoike, të përmbushura me një energji dhe lëvizje të brendshme që i bëjnë ballë rrebesheve të ndryshme kohore historike. Në të gjitha kompozicionet shkallëzon një eksplodim, një shpërthim vullkanik duke liruar tërë atë energji dhe shpërndarë forma-grimca në tërë sfondin dhe planin e parë të figurave. Ngjyrat janë të dizajnuara me begati, sidomos ngjyra rozë e përsëritur në të gjitha kompozcionet, poashtu edhe e kaltra, shkallëzohen dhe qëndrojnë përballë kontrastit estetik të prapavijës, dhe figurës. Poashtu , autori përdor edhe dizajne abtraskte me forma gjeometrike me një organizim struktural të kompozimit. Format marrin trajtesë poetiko-figurative dhe shtjellohen mbi gjuhën universale të artit dhe objektit. Duken si poster të mëdha.
E kur Zoti kërkoi prapë nga mbreti Agron që ta vizitojë Kosovën, Agroni ju përgjigj. “Unë kam mall të madh për popullin tim dhe nuk kërkoj shumë nga ta, vetëm të më ngrenë një shtatotre modeste, në ndonjë qytet në Kosovë…”. Mos i harroni stërgjyshërit tonë, ata vdiqën për ne…