Një Mercedes 600 tip limuzine ka qenë diamanti mbi kurorën e makinave me të cilat ka udhëtuar drejtuesi i lartë i shtetit komunist Shqiptar, Enver Hoxha.

Në ditët e sotme gjetja e një makine të tillë që nuk është në pronësi të dikujt cilësohet si një gjë mjaft e vështirë. Duhet pasur parasysh se nga ky tip i shtrenjtë e plot shkëlqim, i projektuar dhe montuar mes viteve 1963 dhe 1981, janë vetëm 2.677 ekzemplarë.

Megjithatë Enver Hoxha e përdori rrallë atë makinë. Ai ka parapëlqyer që nëpër rrugët e kryeqytetit apo udhëtime të shkurtra të përdorte një Mercedes 300 SEL. Kurse për të shkuar në zyrën e tij në Komitetin Qendror, Enver Hoxha nuk përdorte makinë, por shkonte në këmbë. Distanca nga shtëpia ku banonte familja Hoxha ishte fare e shkurtër.

Ky dossier botuar në DITA është mbështetur mbi tre dëshmi të cilat i janë dhënë gazetarit Leonard Veizi nga Sulo Gradeci, ish-shefi i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës, Arif Bizhga, një prej shoqëruesve të tij dhe Hamdi Sina, një nga ish-shoferët e familjes Hoxha.

Rregulli

Nëse Enver Hoxha ulej në sedijen e pasme të makinës, drejtuesi i automjetit duhet të kryente detyrën me përpikëri, ndërsa oficeri shoqërues ndiqte të gjithë procesin me një vëmendje dyshuese deri në çastin e fundit. Në bulevardet e kryeqytetit, por dhe në rrugët inter-urbane, makina nuk duhet t’i kalonte 60 kilometrat në orë. Vetëm kështu jeta e drejtuesit të shtetit ishte e siguruar në çdo rast.

Pas Luftës, Enver Hoxha ka përdorur një Fiat Millecento” e pas saj ka marrë një “Alfa Romeo”, të dyja prodhim italian. Pas kësaj periudhe filloi futja e makinave të prodhimit lindor. Për delegacione të nivelit të lartë, si në rastet kur në Shqipëri erdhi Hrushovi, Sianuku e Çu En Lai nxirrej një automjet ZIM sovjetik, i zbuluar.

Enveri kishte pasur një ZIM që në vitin 1950 dhuratë nga Stalini me targën 0331. Në 1954 e ndërroi po me një ZIM pasi rusët në atë kohë sollën makina të këtij lloji për gjithë udhëheqjen. Në vitet ’60 për të erdhi dhe një makinë kineze “Flamuri i Kuq”. Ndërkohë Enver Hoxha përdorte dhe një “Gaz 69” për rrugë malore, 4×4 që ishte një prodhim sovjetik shumë e mirë.

Prodhimet perëndimore

Pas viteve ’70 në “Bllok” u rikthyen sërish makinat perëndimoreNë atë kohë u porositën dhe 8 Benza në Gjermani. 7 prej tyre ishin “280 SEL” që i morën anëtarët e Byrosë Politike . Makina e 8-të ishte “Benz 600” tip limuzinë me 6 dyer për Enver Hoxhën.

Sipas njerëzve që i shërbyen nga afër udhëheqësit komunist  “Benz 600” tip limuzinë me 6 dyer ishte elektronik, me sofieta që ngrihej kur kishte rrugë të këqija, me xham që pengonte komunikimin me shoferin e me sediljet e pasme që mblidheshin për të krijuar një hapësirë të madhe. Shpenzonte gjithsej 15-16 litra benzinë për 100 km.

“Mercedes 600” u krijua nga tradita e shkëlqyer e Mercedesit, për prodhimin e limuzinave luksoze të kalibrit të lartë. Në të njëjtën mënyrë si ‘Großer’ 770 dhe Adenauer 300 që i parapriu asaj, 600-ta ishte një limuzinë e klasit botëror me karakteristika të sofistikuara teknologjike dhe me një performancë befasuese.

Makina kishte frena disku dhe amortizatorë të pavarur rreth e rrotull, një sistem masiv hidraulik të famshëm që mundësonte amortizimin, sedilje të mëdha, siguresa për dyert e dritare.

Po të kërkosh në revistat e kohës, do të gjesh materiale që flasin për prodhimin e shtrenjtë Mercedes 600 dhe njerëzit që kishin mundësi ta kishin në përdorim. Limuzina Mercedes 600 ishte shumë ekskluzive dhe e shtrenjtë për kohën. Në vitin 1965 ajo shkonte në më shumë se 22,000 dollarë.

Ajo pati klientë të shquar, ku përfshiheshin diplomatë, industrialistë dhe yje të skenës dhe kinemasë. Personazhe të famshëm kanë pasur në pronësi Mercedes 600, përfshirë: Coco Chanel, Elvis Presley, Elizabeth Taylor, John Lennon, Aristotel Onassis, Jack Nicholson, Bob Jane.

Kjo makinë u shndërrua në trendin e makinave të diplomatëve dhe personazheve politikë, shumë prej të cilëve, krerë komunistë. Kanë pasur në pronësi Mercedes 600 në vite: Hirohito, Idi Amin, Jomo Kenyatta, Nicolae Ceauşescu, Leonid Brezhnev, Enver Hoxha, Pol Pot, Fidel Castro, Josip Broz Tito, Saddam Hussein dhe Kim Il Sung.

Fundi i makinave të rralla

Për shumë vite, disa nga makinat e Enver Hoxhës kanë qenë në fondin e Kinostudios e cila i përdorte për të luajtur filmat e kohës. Mercedes 600 i rrallë i Enver Hoxhës tanimë nuk është më në listën e Parkut të Delegacioneve ku ai pati shërbyer për vite më radhë. Në të kanë hipur shumë nga personalitetet e huaja që zbritën në tokën shqiptarë pas vitit 1990.

Makinat të cilat ka përdorur Enver Hoxha

Fiat Millecento

“Alfa Romeo”

ZIM

Flamuri i Kuq

Gaz 67

Gaz 69

Kadillak

Mercedez Benz 300 SEL

Mercedez Benz 600 Limuzinë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here