“Vjershë, moj Vjersh’ e bekuar
Që të bëri Zoti vetë,
Thuaj me fjalë të shtruar
Qysh është kjo jetë?
O Vjershë rrëfena ç’jemi,
Qysh na bëri Perëndia
Nga vimë e kudo të vemi
Çdo të bënet njerzia?”
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me këto vargje përkujton sot ndarjen nga jeta të poetit, dramaturgut, atdhetarit dhe veprimtarit të Rilindjes Kombëtare, Andon Zako, i cili prapashtesën letrare Çajupi, me të cilën e njohim, do ta merrte në veprat e tij si identifikim i zonës së vendlindjes. Lindi në Sheper të Zagorisë më 27 mars 1866, ndërsa ndërroi jetë në Misir (Egjipt) më 11 korrik 1930.
Mësimet e para i mori në vendlindje e më pas u zhvendos në Aleksandri për të studiuar në liceun francez “Sainte Catherine des Lazaristes”. Jeta dhe vepra e tij shënohet me shume botime kryesisht me tematikë mbi ngjarjet e vendlindjes. Është një nga atdhetarët e flaktë që punoi për çështjen e alfabetit shqip i cili duhet të ishte i ndryshëm me atë grek. Çajupi është denoncues i lëvizjeve kundër interesave të Shqipërisë si “Klubi i Selanikut” apo diplomacive ndërkombëtare si edhe është një nga financuesit e “Shoqërisë Bashkimi” në Kajro dhe “Shoqërisë së Miqve” të cilat punuan shumë për çështjen kombëtare. Ka punuar si avokat por pjesa më dukshme për publikun e gjere është ajo në fushën e botimeve ku na serviret me një sërë veprash të ndryshme letrare si “Përrallë nga e kaluara”, “Pas vdekjes”, “Baba Musa Lakuriq”, “Skënderbeu” (ia kushtoi të birit Stefanit) e shumë vepra te tjera.
Në foto: Andon Zako Çajupi dhe disa pjesë nga veprat e Andonit që ruhen në fondin e tij personal, në AQSH.



