Dialekti i Elbasanit, shans i humbur ?
Nga Shefqet DELIALLISI
Në vitin 1907, në Gazetën Kombi, e vetmja gazetë shqip që botohej në Amerikë (Boston), lexojmë: “Mësim’ i gjuhës shqip në Elbasan ësht’ i përgjithshëm. Që nga pleqtë e gjer në të rinjtë 12 vjet e sipër të gjithë pothua dinë të shkruajnë e të këndojnë” (Kombi, korrik 1907)
Dashurinë e elbasanasve për arsimin e jep edhe Mid-hat Frashëri, në ditarin e tij ku përshkruan ditët e punimeve të Kongresit të Elbasanit (1909) : “ Vërtet më të bukur qytet se Elbasani s’mund që të gjëndej për një të tillë kongres kombiar, ku do të bisedohet puna e shkollave shqipe dhe mësimit të gjuhës sonë : njerëzia e Elbasanit jo tani, po dhe në kohët despotike, ishin çquar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe..”( Elita Shqiptere,f539).
“ Nëse veriu ka nxjerrë Budin dhe Bogdanin, do të shkruante më vonë Et’hem Haxhiademi- Elbasani ka qit Dhaskal Todhrin. Në kohrat e afërme dhe para se të mblidhej Kongresi i Stambollit dhe para se të dilnin shkrimtarët toskë, Elbasani ka pasur Kristoforridhin, dhe në kohrat t’ona Aleksandër Xhuvanin… Elbasani , ka qenë qendër me rëndësi e lëvrimit të gjuhës shqiptare që nga kohrat e vjetra dhe aky aktivitet është çfaqur me mjete efikase : me klube, me fletore(gazata), me revista, me libra.Ky punim i vazhdueshëm ka formuar një traditë të forte dhe të çmuar….” ( Gazeta Tomorri- Nr 141, Tiranë, 1940,f,3)
Luigj Gurakuqi, drejtor i parë i shkollës Normale në fjalën e hapjes së shkollës (Gazeta “Dielli” Boston, Janar 14,1910) do shprehej : “ Elbasani sikundre asht mezi i Shqypnëniës landore, asht dhe do të jetë edhe mezi i Shqypëniës mendore : do të jetë truni, do të jetë zemra e të gjithë shqypëtarvet, Këtu katundësi dhe qytetari do të bashkëjetojnë e do të bahen nji. Këtu Toska me Gegën do të derdhen, do të ntreten, do të përzihen bashkë, do të përnjëshmohen ….këtu gjuha shqype tue u përkulun pas kësaj ligjërate t’ambël do të marrë një fytyrë të përbashkme……..”
Aubery Herbert, në ditarin e tij gjatë vizitës në Elbasan më 13 shtator 1913, në lidhje me gjuhën shqipe e krahason Elbasanin me Hanoverin ku flitej gjermanishtja më e mirë. “Elbasani është një lloj Hanoveri në Shqipëri. Në këtë vend, ku puqen veriu dhe jugu flitet shqipja më e mire.” (Në librin “Miku i madh i shqiptarëve dhe krijimi i Shqipërisë së sotme. Ditar dhe letra 1904-19123 f.170, Tiranë 2012.)
Më vonë, në një editorial të Gazetës Elbasani (viti 1923) ku diskutohej shpallja e Elbasanit kryeqytet, jepeshin përparsitë pse Elbasani duhej të shpallej Kryeqtet ndër të tjera shkruhej : “Elbasani në pikpamje gjuhsore, asht i vetmi qytet, i cili sikundër e lidhë politikisht Shqipniën e veriut me atë të Jugës, ashtu edhe me gjuhë lidhë këto dy pjesë, në mënyrë që dialekti i Elbasanit, asht “trait d’ union i” i dialektevet të Gegniës e të Toskëniës. Për këte arsye në kohën e Turqiës më 1909, Kongresi Arsimuër u mblodhë n’ Elbasan, dhe vendosi hapjen e Shkollës Normale t’ atëhershme po këtu n’ Elbasan, e cila prej asij kohe, ishte Instituti ma i nalt I rilindjes Kombëtare. Gjithashtu po për këtë arsye, Komisioni Arsimuër në kohën e okupasionit Austriak, patë pranuë dialektin e Elbasanit, si për gjuhë zyrtare të Shqipniës. Nashti së voni, edhe Ministrija e Arsimit
Pra, një vlerësim i veçantë, mjaft ipërhapur, ka egzistuar për të folmen e Elbasanit, siç citonte edhe Konica në shkrimin : Të zgjedhim toskërishten apo gegnishten ? : “Është një gjë e thënë popullore në Shqipëri. “Turqisht’ e Stambollit, greqisht e Anthinës, (siç) shqip e Elbasanit. “ (gazetën Albania 1 905).
Më thellë e analizon këtë problem Aleksandër Xhuvani, në shkrimin “Dhialekti i Elbasani” në Gazetën Elbasani (viti 1920) ku komenton urdhërin për përdorimin e elbasanishtes si gjuhë zyrtare : “Urdhënin e Kryeministris për t’u përdorun dhialekti i Elbasanit në shkresat zyrtare e gjejmë të drejtë e t’arsyeshëm. Ky vendim i Kryeministris nuk asht nji gja arbitrore e pa vend, por nji punë qi vërteton edhe shtie në veprim shumë vendime të përparshme të marruna prej Kongresesh të ndryshme qi janë mbledhun në kohë të Turqis për të rregullue çashtje të gjuhës e t’arsimit t’onë. Kongresi i Manastirit i mbledhun më 1909 e i marrun prapë me çashtje arsimi e gjuhe , u-poqën e u-bashkuen në nji pikë për punë të gjuhës : në përdorimin e të folmes s’Elbasanit si gjuhë shkrimi të përbashkët. Ky vendim i këtyne dy Kongreseve u-përteri e u-vërtes edhe në kohë të pushtimit austriak, kur u-themelue në Shkodër Komisija letrare për zhvillimin e përmirësimin e gjuhës e të letresis s’onë.
Edhe ajo komisi pranoi atëherë si themel të nji gjuhe të përbashkët dhialektin e Elbasanit. Veç këtyneve , ma të shumtët e dijetarëvet e të albanologëvet janë prapë të këtij mendimi : qi dhialekti i Elbasanit të merret si bazë për nji gjuhë shkrimi , por, natyrisht i përmirësuem e i qëruem. Në nji Promemoria qi bani në kohë t’Austris professor Nachtigalli, i cili bashkë me doktor Pekmezin e me Andre Mjedën u – dërgue atëhere prej kumadës ushtriake n’Elbasan për të studiue gjuhën , kët dhialekt porosiste e këshillonte për me u-marrë si bazë shkrimi të gjuhës. Arsyet qi përmendte profesor Nachtigali në Promemoria të tij për të pshtetun tezën e vet shkencore e glottologjike, po ne po përmendim këtu nji të vetme qi dihet prej të gjitheve: qi dhialekti i Elbasanit asht i kuptueshëm prej të dy kryefisevet shqiptare , prej Toskëvet e prej Gegëvet . Këte gja e kanë konstatue të gjithë ata qi kanë pasun kohën të qindrojnë pakë kohë n’Elbasan e të ndëgjojnë të folmen e këtij qyteti. Si fonetikisht, ashtu edhe morfologjisht e syndaktishtky dhialekti përmbleth elemente prej të dy dhialektevet të tjerë, prej Gegënistes së sipërme e prej Toskënishtes e asht si nji urë bashkimi në mes të këtyre dy dhialektëve.
Por sikurse ka ndodhun në gjuhët e tjera , kështu do të ngjajë edhe dhialekt, në të cilën do të kullojnë e në këte do të treten gjithë të mirat e dhialektevet të tjerë , tue u-njazue ashpërija e Veriut me butësin e Jugut.
Pra, vendimi i Kryeministris , si kunorëzim i vendimevet e i dëshiravet të përparshme, asht si thamë, i drejtë e i arsyeshëm…..”
E pastër dhe e bukur, tingëllon elbasanishtja e Xhuvanit, por ?
Dhe 20 vjet më vonë. Vitin 1940. Et’hem Haxhiademi, “Atit të Tragjedisë Shqiptre” siç e cilëson Lasgush Poradeci, intervistë me titull : ‘ Gjuha Letrare : të preferohet dialekti i Elbasanit.(Gazeta Tomorri- Nr 141, Tiranë, e shtunë 3 Gusht 1940,f,3)
“Dialekti i Elbasanit – thotë Haxhiademi- është bashkimi natyral i dy dialekteve të mëdhenj : toskërishtes dhe gegnishtes. Në pikpamje morfologjike dialekti i Elbasanit është toskërisht, dhe në pikëpamje fonetike është gegënisht. Sipas tij : “Gjuhën letrare e formojnë shkrimtarët dhe jo dekretet : bile nuk e formojnë as ata që merren me sufikse dhe prefikse gramatikore.” ( Gazeta Tomorri- Nr 141, Tiranë, 1940,f,3)
E pastër dhe e bukur, elbasanishtja por që nuk mundi të zinte vendin që i takonte?!
Një shans i humbur ?

P.s Ne foto : Luigj Gurakuqi e Aleksander Xhuvani….