NË PËRGJITHËSI dihet që kafshët ushqehen me bimë. Por, a e dini se ka edhe bimë që ushqehen me kafshë? Njihen rreth 550 lloje bimësh mishngrënëse ose insektengrënëse dhe po zbulohen edhe të tjera. Edhe pse këto bimë të çuditshme e kryejnë procesin e fotosintezës, atyre që rriten në toka të varfra u mungojnë lëndët ushqyese të domosdoshme, si për shembull nitratet. Insektet u sigurojnë këtyre bimëve «të uritura» lëndë ushqyese të rëndësishme.

Çdo bimë ka taktikën e vet për të zënë në grackë prenë. Disa prej këtyre bimëve kanë «çarqe» ose janë të pajisura me «kapakë». Disa të tjera i joshin viktimat që ato të rrëshqasin e të bien në kurth, kurse bimë të tjera e tërheqin prenë në sipërfaqe të ngjitshme nga të cilat nuk shpëtojnë dot. Le t’i shohim më nga afër bimët mishngrënëse.

Çarqet dhe kapakët

Ka shumë mundësi që bima më e njohur mishngrënëse të jetë dionea e cila arrin lartësinë rreth 30 centimetra. Ajo rritet në kënetat me torfë të Karolinës së Veriut e të Jugut në Amerikën e Veriut. Kjo bimë ka gjethe të ndritshme e me ngjyra të ndezura. Në buzët e gjetheve ka gjëndra të cilat prodhojnë nektar, një tundim që insektet zor se mund t’i rezistojnë. Pikërisht këtu është rreziku, pasi dionea ka tri qime të ndjeshme në mes të çdo vrigulli të gjethes. Kur një krijesë e shkujdesur i prek, gjethet mbyllen. Ashtu si dy pjesët e një çarku çeliku, gjembat që ndodhen në buzët e gjethes puthiten dhe nuk e lënë prenë të shpëtojë.

Nëse çarku kap diçka që e ka sjellë era, për shembull ndonjë copë shkarpë, bima e lëshon brenda pak ditësh. Por, kur organet ndijore të gjethes dallojnë praninë e substancave me bazë azotin, çlirohen enzima për të dekompozuar trupin e insektit që ka rënë rob. Kjo bën të mundur që bima të thithë lëndët ushqyese. Ky proces zgjat 10 deri në 35 ditë, në varësi të madhësisë së presë.

Është interesante që nëse preket vetëm njëra nga qimet, ndoshta nga ndonjë pikë shiu, çarku nuk mbyllet. Bima reagon vetëm kur ngacmohen dy ose më shumë qime, ose edhe kur njëra nga qimet ngacmohet brenda 20 sekondash pas tjetrës. Shpejtësia me të cilën mbyllet çarku varet nga temperatura dhe drita e diellit. Në kushte të caktuara ai mbyllet brenda 0.03 sekondash.

Disa bimë kanë çarqe që mbyllen më shpejt sesa çarku i dioneas. Le të marrim utrikularien e cila rritet kryesisht në ujëra dhe ka gjethe të nënujshme. Gjethet kanë shumë fshikëza që janë të pajisura me kapak dhe me disa qime të gjata. Kur një insekt i vogël, si për shembull pleshti i ujit, i prek qimet, kapaku hapet. Meqë trysnia e ujit brenda fshikëzës është më e vogël sesa jashtë saj, fshikëza e thith viktimën e vockël dhe kapaku mbyllet menjëherë. Imagjinoni që kjo mund të ndodhë afërsisht për 0.0286 sekonda!

Kurthet e rrëshqitshme

Ndër bimët më të mëdha mishngrënëse janë nepentet. Disa prej tyre, si për shembull ato që rriten në Azinë Juglindore, kacavaren nëpër pemë. Kurthet e tyre mbajnë deri në dy litra lëng dhe shërbejnë për të kapur krijesa të mëdha sa bretkosat. Madje mendohet se disa kanë kapur edhe minj. Por, si funksionojnë këto kurthe?

Secila nga gjethet e nepentes ngjan si ibrik ose si brokë dhe ka një kapak që nuk e lë shiun të futet brenda. Insektet joshen nga ngjyra e ndezur dhe nektari i bollshëm që gjendet në brokë, por në buzën e saj ka një zonë të rrëshqitshme. Kur insekti orvatet të marrë nektarin, i shkasin këmbët dhe bie në pellgun me lëng në fund të brokës. Qimet që drejtohen për nga poshtë nuk e lënë insektin të dalë nga gjethja. Veç kësaj, nektari i disa nepenteve përmban një substancë narkotike që e trullos prenë.

Pa dyshim, një nga bimët gjethe-brokë me pamjen më të çuditshme është bima e kobrës që rritet në vargmalet e Kalifornisë e të Oregonit në Shtetet e Bashkuara. Broka e saj ngjan shumë me një kobër që e ka ngritur kokën e është gati për të sulmuar. Insekti hyn në «gojën» e bimës, por pastaj ngatërrohet nga drita që duket sikur hyn nga dritare të vogla. Në përpjekje për të shpëtuar, insekti vazhdon të fluturojë drejt dritës, por më kot. I sfilitur, bie në lëngun që ndodhet në fund të bimës dhe mbytet.

Të dobishme në shtëpi e për tregti

Pinguikula ka gjethe ngjitëse që tërheqin mizën e kërpudhës dhe mizën e bardhë. Këto janë insekte që dëmtojnë si të mbjellat në serra, të cilat kultivohen për tregti, ashtu edhe bimët e zbukurimit që i rritin nëpër shtëpi. Pajisjet që ka bërë njeriu për të kapur insektet janë të efektshme, por i marrin mbarë insektet dhe kështu kapin edhe bletët dhe mizat e luleve. Vetia ngjitëse e pinguikulës ia kalon këtyre pajisjeve. Në të ngecin vetëm insektet e dëmshme fare të vogla.

Bimët gjethe-brokë të Amerikës së Veriut, tani po fitojnë popullaritet te kopshtarët. Lulet e tyre të bukura dhe format e hijshme të gjetheve konkurrojnë për nga bukuria me bimët e tjera dhe përveç kësaj ato kultivohen lehtë. Gjithashtu, ato hanë një mori insektesh. Me të vërtetë, gjatë një sezoni, në çdo grup gjethesh mund të ngecin mijëra insekte. Bletët nuk rrezikojnë, sepse siç duket, atyre nuk u interesojnë këto bimë. Por, si arrijnë lulet e këtyre bimëve të pllenohen pa i kapur insektet që i pjalmojnë ato? Kjo ndodh pasi lulet dalin të parat, ndërkohë që gjethet janë ende në rritje. Kur gjethet marrin plotësisht formën e brokës, lulet tashmë janë tharë dhe insektet që kanë pjalmuar lulet kanë ikur.

Një bimë që kultivohet lehtë dhe mund të durojë lloj-lloj temperaturash është lulevesa gjethe-sfurk e Australisë. «Është një bimë e shkëlqyer nëse mushkonjat të shqetësojnë dhe nuk të lënë të rrish në ajër të pastër në mbrëmje,—thotë Kris Hidh, specialist për bimët mishngrënëse në Qendrën e Arsimimit për Mjedisin në Kopshtin e Ualuorthit, Londër.—Mbilleni në një shportë të varur dhe bulëzat e ndritshme të lëngut të saj ngjitës do të tërheqin mushkonjat.» Kur ndonjë mushkonjë prek një gjethe, qimet ngjitëse të gjethes e mbërthejnë fort atë. Qimet përkulen dhe e ngjeshin insektin pas sipërfaqes së gjethes.

Ruajtja e bimëve grabitqare

Është për të ardhur keq që shumë bimë mishngrënëse rriten në habitate të cilat njeriu po i shkatërron. Për shembull, nepentet e Azisë Juglindore janë në rrezik për shkak të prerjes dhe djegies së bimësisë për hapjen e tokave të reja. Në zona të tjera, moçalishtet po thahen për t’i dhënë shtysë zhvillimit. Disa lloje tashmë janë zhdukur.*

A do t’ju pëlqente të rritnit një bimë insektengrënëse? Nuk ka nevojë t’i kërkoni në natyrë, pasi shumë prej këtyre bimëve mund t’i gjeni lehtë nga shitës që i shtojnë ato me fara ose në mënyrë artificiale me anë të shumimit vegjetativ. Udhëzimet për t’i rritur ato janë të thjeshta: mbajeni gjithnjë bimën në lagështi duke i hedhur ujë shiu. Veç kësaj, bimët mishngrënëse rriten mirë në vende me diell, megjithatë është më mirë që llojet të cilat vijnë nga zonat me klimë të butë, gjatë dimrit të ruhen në vende që nuk janë shumë të ftohta. Duhet durim, sepse mund të duhen rreth tri vjet që disa bimë të rriten plotësisht. Por të paktën nuk ka nevojë që atyre t’u hedhësh ushqim. Në fund të fundit, ato janë të zonjat ta gjejnë vetë ushqimin. /albertvataj.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here