Nga Cody Cottier “Discover Magazine”

Transaksionet njerëzore kanë ndodhur që nga Epoka e Gurit. Tregtimi i mallrave nga paraardhësit tanë i la përfundimisht vendin parave, të cilat në mijëra vitet e shkuara kanë
kaluar nëpër forma të ndryshme, nga guackat e deti, tek metalet dhe letra.

Në shekullin XIX-të, ato manifestoheshin shpesh si transferime elektronike të paprekshme dhe madje edhe kriptovaluta. Paraja është një nga shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit. Për mijëvjeçarë me radhë ajo e bëri botën të “rrotullohet” dhe kjo nuk është diçka e panjohur:Siç e shprehu shkrimtari latin Publilus Sirus në shekullin I Para Krishtit:“Vetëm paraja vë në lëvizje gjithë botën”.

Për amerikanët, kjo fjalë sjell ndërmend cent-ët dhe dollarët. OKB njeh 179 monedha të tjera botërore, ndërsa përgjatë historisë kanë ekzistuar qindra apo mijëra të tjera. Përveç kësaj, paratë janë shumë më komplekse sesa thjesht kartëmonedhat dhe monedhat që mbajmë në çantat apo kuletat tona.

Fiziciteti i parasë mund të jetë vetia e saj më pak e rëndësishme. Në fakt, shumica e ekonomistëve bien dakord që në epokën moderne nuk ka nevojë për një formë fizike të saj. Ekonomistët Dejvid Orrell dhe Roman Klupati shkruajnë ndër të tjera në librin e tyre “Evolucioni i parave” se “koncepti i monedhës është bërë gjithnjë e më abstrakt, deri në pikën që monedhat dhe kartëmonedhat aktuale, formojnë vetëm një pjesë të vogël të parave që ekzistojnë”.

Po si lindën paratë? Shumica e mendimtarëve mbi këtë temë, nga Aristoteli tek ekonomistët e sotëm, kanë spekuluar se paratë lindën nga një ekonomi parahistorike e shkëmbimit, në të cilën njerëzit tregtonin tek njëri-tjetri drejtpërdrejt mallra dhe shërbime.
Një sistem i tillë kërkon që të dyja palët të dëshirojnë atë që tjetri ka për të ofruar, dhe që ata të mund të vendosin vlerën relative të secilit artikull. A barazohen 30 banane me një rrjetë peshkimi? Po 3 rrjeta peshkimi me një dem? Nga ana tjetër, paraja është ajo që e dëshirojnë të gjithë, është njësia me të cilën matet gjithçka tjetër.

Kjo do të thotë që unë mund t’ia shes dikujt tjetër bananet e mia për para, emërues i përbashkët ekonomik, dhe t’i përdor ato për të blerë demin tuaj. Gjithashtu, paraja na heq barrën e zhvendosjes së pasurisë sonë, që në pjesën më të madhe është fizikisht shumë e rëndë.
Imagjinoni të zvarrisnit një fuçi plot me elb nëpër rrugë drejt kafenesë së lagjes për të paguar kapuçinon tuaj. Sa dhi mund të duhen për të marrë me qira një ambient në lagjen SoHo të Londrës? S’ka dyshime se shoqëritë antike nuk ishin kaq komplekse, por ndërsa ato u rritën, shkruan ekonomisti Glin Dejvis tek

“Historia e Parave”, “kërkesat e tregtisë tejkaluan mjetet e shkëmbimeve”. Paratë u shfaqën si një shpëtim. Gati çdo gjë mund të shërbejë si para, për sa kohë që është e qëndrueshme dhe e pakët. Në pjesën më të madhe të Azisë dhe Afrikës, guackat e detit, shërbenin si para deri disa dekada me parë.
Në ishullin mikronezian Jap, gurët gëlqerorë të jashtëzakonshëm në formë petullash rrethore përmbushën famshëm rolin e monedhës, pavarësisht se ishin të palëvizshëm. Në raste të tjera, opsioni më i mirë ishte një lloj “paraje në mall”, si bagëtitë, kripa apo drithi, e cili ka vlerë thelbësore për të cilën bie dakord shumica në një shoqëri të caktuar.

Edhe lingtotat e metaleve të çmuar, si ari dhe argjendi janë mallra, me një përfitimin e shtuar të lakueshmërisë së tyre. Paratë e para prej metali datojnë që në kohën e dinastisë Zhou të Kinës. Por monedhat e para në formën që i njohim edhe sot do të prodhoheshin në Lidia, një mbretëri e lashtë që shtrihej në Turqinë e sotme, gjatë shekullit VII-të Para Krishtit. Monedha ishte shumë më e lehtë për t’u transportuar dhe vlerësuar, në krahasim me peshimin e copave të papërpunuara të metaleve. Ato u përhapën me shpejtësi në të gjitha qytetet e Greqisë dhe më gjerë. Ndërkohë, po në Kinë po zhvillohej një metodë edhe më e përshtatshme. Në vend se të zhvendoste vazhdimisht monedha nga një vend në tjetrin, qeveria kineze i mbajti të gjitha monedhat në një vend dhe lëshoi copa letre në vend të tyre.LEXO EDHE:  Ina Zhupa nxjerr videon/ Si gënjeu paturpësisht Veliaj për investimet në Lumin e Tiranës

Pas udhëtimeve të tij në Lindje, italiani Marko Polo e solli këtë koncept në Evropë, duke sjellë lindjen e bankave të para, në fillim në Itali, dhe më vonë në Angli. Njerëzit filluan që të depozitonin tek argjendarët dhe noterët shufrat e tyre të metaleve të çmuara, të cilët në atë kohë në fakt vepronin si ato që ne tani i quajmë banka.

Edhe shumë shekuj më vonë, ari dhe argjendi mbetën simbolet më universale të pasurisë. Deri më sot, qeveria amerikane ruan afërsisht 5.000 tonë ar në “Fort Knox”. Disa qindra km në lindje, Banka Federale e Rezervave në Nju Jork zotëron depozitën më të madhe të arit në botë:që nga viti 2019 plot 6.190 tonë ar, në pronësi të klientëve nga e gjithë bota, gjenden në një bunker 25 metra poshtë rrugëve të Manhatanit.

Standardi i Arit e dominoi për shekujt më radhe ekonominë ndërkombëtare, duke e lidhur vlerën e monedhave me vlerën e metalit të rrallë në ngjyrë të verdhë. Por dekadat e fundit gjërat kanë ndryshuar. Tani standardi është “paraja fiat”, që nuk ka vlerë të brendshme dhe që nuk mbështetet nga asgjë që bën.
Ju nuk mund të shkoni në një bankë, të dorëzoni një sasi kartëmonedhash 100-dollarëshe dhe të kërkoni një ons ari. Ato fletë letre janë të vlefshme vetëm sepse kështu thotë qeveria amerikane, dhe vetëm për sa kohë që qytetarët kanë besim tek qeveria e tyre.

Por edhe monedha më e fortë, po bëhet më e vështirë për t’u siguruar. Siç shkruajnë Orrell dhe Klupati, sot jetojmë “në një regjim virtual, ku shumica e parave krijohen me dëshirën e bankave private, thjesht duke futur një numër në një llogari të hapur në kompjuter”.
Sot është epoka e parasë dixhitale, dhe Bitcoin është më i njohuri në një konstelacion në rritje të kriptovalutave. Kjo monedhë virtuale gjithnjë e më e popullore, është krijuar në vitin 2009 nga një person anonim apo grup i njohur vetëm si Satoshi Nakamoto.

Kriptovalutat nuk kanë nevojë për ndërmjetës si bankat apo qeveritë, duke lejuar transaksione të drejtpërdrejta midis një komuniteti të gjerë përdoruesish. Për shkak se kaq shumë njerëz janë duke ndjekur në mënyrë të pavarur transaksionet, është gati e pamundur që dikush të mashtrojë.
Ky format eleminon problemin e besimit tek miliona njerëz. Mjafton që ju t’i besoni sistemit.

Ekonomistët debatojnë ende se deri në çfarë mase kriptovalutat do ta ndryshojnë botën, dhe nëse po, për mirë apo për keq. Por në përgjithësi është duke ndodhur një transformim dixhital i monedhës, dhe kjo do ketë pasoja të mëdha. Ndoshta pas një shekulli, paratë e gatshme do t’u duken njerëzve po aq të vjetra sa edhe guaskat e detit që përdoreshin dikur si monedha./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here