Në Uashington po përhapet gjerësisht thashethemi se çdo presidenti të ri që shkel në Shtëpinë e Bardhë i dorëzohet një dosje me të gjitha sekretet shtetërore. Një dokumentar i kanalit gjerman N24 është përpjekur të ndjekë këto gjurmë për të zbuluar më shumë rreth kësaj çështjeje.
A ka ndonjë libër apo dosje të fshehtë të presidentëve amerikanë që e mbajnë në duar vetëm ata e që ua dorëzojnë në fund vetëm pasardhësve të tyre?
Pesë persona që akoma jetojnë mes nesh, duhet ta dinë këtë punë më së miri: Jimmy Carter, George H. W. Bush, Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. Megjithatë, askush prej tyre nuk është shprehur ndonjëherë publikisht rreth kësaj teme.
Arsye e mjaftueshme kjo që kanali TV gjerman i informacioneve e dokumentarëve, të shfaqë pjesë nga “libri i librave” – le të themi – në një material dypjesësh nën titullin “I kyçur – libri sekret i presidentëve amerikanë” (e mërkurë, datë 24 shtator 2014 ora 23:05, dhe e enjte, 25 shtator ora 03:45), çka pritet të ngjallë debate.
Një orë e gjysmë më vonë, pasi ke parë këtë dokumentar, kupton se tashmë vetëm një gjë dihet me siguri: askush nuk e pohon dot, nëse ai fshihet në kryeqytetin e nëmur amerikan. E kjo prej shumë dekadash.
Është bërë e njohur se George W. Bush, Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në ditën e tij të fundit të punës, ka lënë një letër të shkruar me dorë mbi skrivaninë e tij të punës në Dhomën Ovale: ai i adresohet dikujt nën numrin “44”. Barack Obama ka nxjerrë vetëm një fjalë në lidhje me atë që ai kishte lexuar atje: Ndoshta vetëm një “Paç fat!” ose “Unë e di se si ndiheni … më besoni, do të bëhet më mirë e më keq”.
Mund të ndodhë – pyet gazetari në dokumentarin në fjalë gazetarët dhe nëpunësit e presidentit amerikan – që të dorëzohet nga presidenti në president, edhe informacioni i vërtetë se cili e vrau Kenedin për shembull? Apo nëse ekzistojnë apo jo jashtëtokësorët? Thuhet se janë rreth 50.000 fletë akoma të pazbuluara me informacione të CIA-s rreth atentatit mbi Kenedin, në kasafortë.
Nëna e të gjitha teorive të konspiracionit
Një dosje apo libër i tillë do të ishte si pasojë edhe “nëna” e të gjitha teorive të konspiracionit. Por gjasat për ekzistencën e tij duken minimale. Libri në fjalë mund të jetë “vjedhur, kopjuar, e shpërndarë më tej gjetkë”, pohon një dëshmitar, i cituar në dokumentar. Rasti i Wikileaks-it do të mjaftonte për të mbuluar këtë arsyetim e të shërbente si paralajmërim.
Që nga top-sekretet, deri te “Nuclear Football” e dyfishtë, valixhja atomike për presidentin në largim, apo atë në ardhje mund të përmbajë edhe nivelin real të borxheve, kërcënimin real terrorist në SHBA etj.
Por njolla enigmatike e fakte të pazbuluara ka në çdo qeveri amerikane. Dhe pafuqishmëria e presidentëve që betohen vazhdimisht se nën pushtetin e tyre kjo nuk do të ndodhë, është paksa naive.
Thuhet se smartphone i presidentit është ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos përgjohet, por mbrojtja amerikane nga sulmet kibernetike, mund të hasë në një kompleksitet të paimagjinuar. Sigurisht se siguria absolute është iluzive, edhe në Shtëpinë e Bardhë.
Dokumentari më i ri i kanalit TV gjerman, N24, më tej ngre edhe pyetje të tilla si: a do të kishin vallë kandidatët presidencialë amerikanë – që kanë bërë premtime si për shembull “Oh se harrova: S’ka ngritje taksash!” (Bush i vjetri) dhe “Unë do ta mbyll Guantánamon” (Obama) – që para zgjedhjes të tyre në postin më të lartë shtetëror, akses në informacionet top-sekrete që janë domen vetëm i “Njëshit”.
Përse jo, mund të përgjigjej dikush? Mirëpo ata nuk kanë qenë akoma të zgjedhur. Dhe t’i vësh në zbatim fjalë për fjalë të gjitha premtimet zgjedhore, nuk ia ka dalë asnjë president deri më sot.
Në fund rindizet debati, pasi tashmë është më se e qartë se asgjë që fiksohet në mënyrë të shkruar, nuk mund të jetë e sigurt ndaj manipulimeve, apo zbulimit.
Nëse ka sekrete që presidentët duhet t’i përcjellin, ata duhet të ushqehen me këshilla të vlefshme nga stafet e tyre, për t’i bërë këto në mënyrë verbale.
Më e mira mund të ishte gjatë një shëtitjeje në plazh, kur pëshpëritja e detit zhurmon çdo përpjekje për përgjim.