ANIJA FAMËKEQE

Shfaqet mesazhi i vajzës që i mbijetoi aksidentit famëkeq të anijes “Titanik”, ku përshkruhet situata në bord dhe frika e madhe që ajo përjetoi.

Marion Wright shkroi këtë letër me pesë faqe për të atin, të nesërmen, pas katastrofës së prillit të vitit 1912. Ajo u gjend në një varkë shpëtimi, kur Titaniku u fundos pasi goditi ajsbergun.

Marion, e cila ishte 26 vjeç në atë kohë, shkroi: Ishte e tmerrshme, nuk kam për ta harruar kurrë. Pashë turmat, kur anija u nda më dysh dhe po fundosej, mes britmave të njerëzve në bord.

Ajo ishte në kabinë, kur anija u përplas me ajsbergun, në Atlantikun verior.

“Kisha dhjetë minuta që isha shtrirë, kur dëgjova një përplasje të tmerrshme që tronditi të gjithë anijen dhe motori ndaloi. Vesha fustanin dhe një pallto të trashë, takova mikun tim dhe shkuam në kuvertë, për të mësuar shkakun e tronditjes” –  ka shkruar ajo.

Marion përmend në letrën rrëqethëse edhe Dr Alfred Pain, 24-vjeçarin, të cilin e kishte njohur në qytetin e lindjes Yeovil, Somerset. Ata po udhëtonin veçmas, por u takuan në bord dhe Dr. Pain ishte ai që atë natë të tmerrshme, e ndihmoi të hipte në varkën e shpëtimit.

Ai ishte njëri ndër viktimat.

“Ndiej kaq shumë dhembje, për ata që janë mbytur. Alfredi që më ndihmoi për në varkën e shpëtimit, ishte një njeri kaq i mirë dhe kam frikë”, – ishte shprehur ajo.

Marion, e cila po emigronte në shtetin amerikan të Oregonit, për t’u bashkuar me të fejuarin, i shkroi këto rreshta teksa ndodhej në anijen e shpëtimit “Carpathia”. Letrën e kanë ruajtur të afërmit e saj, së bashku me të tjera letërkëmbime familjare të asaj kohe.

Letra do të dalë në ankand më 17 prill, nga “Henry Aldridge & Son of Devizes, Wilts” dhe pritet të arrijë vlerën 6,000 £.

Andrew Aldridge tha se, kjo letër është e jashtëzakonshme dhe fjalët e vajzës fatlume, duket sikur i kthen njerëzit që e lexojnë, në atë varkë shpëtimi bashkë me të.

Marion ishte një pasagjere e klasit të dytë në Titanik, anija që u mbyt gjatë udhëtimit të parë, nga Southampton për në New York, duke shënuar rreth 1 500 viktima. Ndërsa ajo, ndërroi jetë në Oregon, në vitin 1965, 80-vjeçare. /konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here