GJETJE E RRALLË ARKEOLOGJIKE…
Pas disa muaj kërkimesh, nga Egjipti raportohet një zbulim shumë i rëndësishëm. Qyteti antik i fshehur në rërë, u zbulua ditën e djeshme, duke u vlerësuar kjo, si një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike.
Njëri nga grupi i arkeologëve të këtij zbulimi 3-mijëvjeçar, ka deklaruar se rrënojat arkeologjike janë zbuluar pranë Luxor dhe tha, se kërkimet kanë nxjerrë në dritë “qytetin e artë të humbur”.
Ai u shpreh, se gjetja ishte qyteti më i madh antik i zbuluar ndonjëherë në Egjipt, i njohur si Aten. Kërkimet për qytetin antik, kanë nisur që në shtator të vitit të kaluar.
Gjatë gërmimeve u gjetën furra bukë, dyqane, si dhe bizhuteri dhe vazo të ndryshme. Ekipi i arkeologëve, në fillim mendoi se ra në gjurmët e tempullit ku u mumifikua Tutankhamuni, për të zbuluar më pas, se kishin gjetur diçka shumë herë më të madhe.
Vendbanimi daton në mbretërimin e Amenhotep III, një nga faraonët më të fuqishëm të Egjiptit, i cili, sundoi nga 1391-1353, para Krishtit.
Qyteti ekzistonte edhe në kohët e faraonëve Ay dhe Tutankhamun, varret gati të paprekura të të cilëve, u zbuluan në Luginën e Mbretërve, nga arkeologu britanik Howard Carter, në vitin 1922.
Betsy Brian, profesor i Egjiptologjisë në Universitetin John Hopkins në Baltimore, SHBA, ka deklaruar se tashmë, me këtë zbulim kërkuesit do të kenë prova të reja dhe të vlefshme, mbi jetën e egjiptianëve të lashtë. /konica.al