Mjekët në Kanada janë të shqetësuar se mund të kenë të bëjnë me një sëmundje të trurit të panjohur më parë pas një numri rastesh që përfshijnë humbje të kujtesës, halucinacione dhe atrofi të muskujve.
Politikanët në provincën e New Brunswick kanë kërkuar përgjigje, por me kaq pak raste, ekspertët thonë se ka shumë më shumë pyetje sesa përgjigje dhe i kanë kërkuar publikut të mos përhapë panik. Prej më shumë se një viti, zyrtarët e shëndetit publik kanë ndjekur një “grup” prej 43 rastesh të sëmundjes së dyshuar neurologjike në provincë pa ndonjë shkak të njohur.
Banorët mësuan për herë të parë për hetimin javën e kaluar pasi një shënim nga agjencia e shëndetit publik të provincës u kërkoi mjekëve të kërkonin simptoma të ngjashme me sëmundjen Creutzfeldt-Jakob – një sëmundje e rrallë, fatale e trurit e shkaktuar nga proteina të keqformuara të njohura si prione.
Një numër i simptomave duke përfshirë humbjen e kujtesës, problemet e shikimit dhe lëvizjet jonormale shkaktuan alarm te ekspertët. Pavarësisht nga ngjashmëritë fillestare, depistimi nuk pa ngjashmëri me sëmundjen Creutzfeldt-Jakob.
Tani një ekip studiuesish, po mundohen që të përcaktojnë nëse kanë të bëjnë me një sindromë neurologjike të panjohur më parë, ose një seri sëmundjesh të njohura.
Ekspertët thonë se pacientët fillimisht ankoheshin për dhimbje të pashpjegueshme, spazma dhe ndryshime të sjelljes – të gjitha simptoma që mund të diagnostikohen lehtësisht si ankth ose depresion. Por në 18 deri në 36 muaj ata filluan të zhvillojnë rënie të kujtesës, humbje të muskujve, rrëzime dhe lëvizje të pakontrollueshme. Një numër pacientësh gjithashtu filluan të përjetonin halucinacione të frikshme, përfshirë ndjenjën e insekteve që zvarriten në lëkurë.
Zyrtarët shëndetësorë kanë refuzuar të zbulojnë vendet e sakta të rasteve.
“Ne nuk e dimë se çfarë e shkakton. Në këtë kohë kemi vetëm më shumë pacientë që shfaqen se kanë këtë sindromë,” u shpreh Dr. Alier Marrero, neurolog që drejton hetimin e New Brunswick.