Zbardhen detajet e ndalimit të fesë nga Enver Hoxha. Historiani amerikan James S O’Donnel ka nxjerr të tjera fakte si i takon vendimit të hoxhës. Ai ka treguar se si u prishën kisha e xhamia, ndërsa po ashtu janë zbardhur dhe fjalimet e diktatorit kundër fesë.

Besimi fetar

Para shembjes fetare në Shqipëri pas ardhjes së komunizmit në fuqi, Shqipëria ishte 70 për qind myslimane, 20 për qind ortodokse dhe 10 për qind katolike. Shqipëria ishte gjithashtu i vetmi vend me shumicë myslimane ne Evropë. Para pavarësisë së saj në vitin 1912 shërbesat fetare në Shqipëri mbaheshin në gjuhën arabe, greke ose latine, dhe jo në shqip. Një shqetësim tjetër që shtonte armiqësinë e komunistëve ndaj fesë ishte çështja e nacionalizimit. Turqit otomanë e lidhnin fenë me kombësinë, prandaj myslimanët i konsideronin si turq, ortodoksët si grekë dhe katolikë si latinë. Enver Hoxha besonte se kjo situatë sillte probleme serioze prandaj duhej korrektuar. Në shumë raste ai ka thënë se “feja e shqiptarit është shqiptaria” që do të thotë se ai mbështeste parimin e nacionalizmit si parësor. Të tjera prova të qasjes pragmatike të shqiptarëve në lidhje me fenë, shihen në citimet e autorit të madh shqiptar Migjeni, i cili ka shkruar: “Fjala e parë që fëmijët e vegjël thonë nuk është ‘Zoti’, por është ‘misër, misër’”. Por Enver Hoxha i nis ngadalë sulmet e tij mbi fenë. Reforma e tokës në vitin 1945 konfiskoi thuajse të gjitha pronat e Kishës. Kleri katolik u persekutua më shumë se fetë e tjera pasi kishin më shumë lidhje me fuqitë e huaja, siç ishte Vatikani. Lidhjet e Kishës me Vatikanin konsideroheshin si një varësi nga organet e huaja që natyrisht konsideroheshin ai armiqësore ndaj doktrinës komuniste. Fakti që opozicioni më i ashpër ndaj regjimit komunist vinte nga vendet e besimit katolik,. Përforconte besimin e regjimit dhe vendosmërinë e tij për të shkatërruar Kishën Katolike romane në çdo instancë. Ramadan Marmalluku shpjegon lidhjet historike për mosbesimin ndaj institucioneve fetare dhe influencës së huaj: “Nuk ka dyshime se në disa faza të historisë shqiptare, veçanërisht kisha katolike në veri dhe kisha ortodokse në jug të vendit kanë shërbyer si vegël e përçarjes së popullit dhe influencës ndaj fqinjëve të të njëjtit besim, respektivisht Greqisë dhe Vatikanit. Altarët e kishave që fshihnin misteret fetare nga syri i publikut maskonin gjithashtu interesat e Greqisë dhe Italisë. Ndërsa feja myslimane për një kohë të gjatë identifikohej me perandorinë otomane”.

Mbyllja e kishave

Në 1946 Urdhri jezuit u ndalua në Shqipëri dhe në 1947 gjithashtu u shpërnda urdhri Françeskan. Deri në fund të vitit 1946 llogaritet se të paktën 20 priftërinj katolikë janë ekzekutuar dhe rreth 40 janë burgosur. Por me gjithë këtë persekutim liria e fesë ende garantohej nga Kushtetuta. Qeveria përshkallëzoi sulmet ndaj fesë në 1949 me kalimin e dekretit 743 i cili thoshte se praktikat fetare lejohen, por nuk duhet të kundërshtojnë ligjet e shtetit socialist, çdo fe duhet ta shkëpuste tërësisht veten nga ndikimet e huaja, siç ishte Vatikani, Patriarkati etj. Në fjalë të tjera qeveria komuniste kërkoi që çdo kishte të ishte një kishë individuale e varur vetëm nga partia e punës së Shqipërisë. Grupet fetare refuzuan t’i bindeshin kësaj urdhërese prandaj autoritetet nisën aplikimin e dënimeve penale sipas kodit penal të Shqipërisë, i cili teorikisht garantonte lirinë e fesë dhe besimit. Sipas versionit zyrtar të Historisë së Partisë së Punës, strategjia e partisë në lidhje me fenë ishte e tillë: “Partia e shtetit nuk ndalonin besimin fetar, prezencën e komuniteteve fetare apo kryerjen e riteve fetare. Ata nuk ndalonin zakonet fetare dhe këto nuk përbënin shkelje direkte të ligjeve të shtetit. Partia nuk mund të ofendonte ndjenjat e masave të gjera punëtore, veçanërisht të atyre në fshatra, të cilët ishin të lidhur ngushtë me partinë dhe udhëheqjen e saj. Shumë prej tyre vazhdonin të besonin edhe pse nuk shprehnin shumë fanatizëm fetar. Prandaj partia kishte llogaritur se çrrënjosja e ideologjisë fetare do të vinte gradualisht si rezultat i bindjes ideologjike të masave.“Me qëllim për të çliruar popullin nga besimi fetar dhe zakonet e prapambetura, partia ka zhvilluar një fushatë të gjerë propagande shkencore ateiste me anë të artikujve në shtyp dhe në radio, në libra, leksione filma etj. Përhapja e kulturës arsimit dhe njohurive shkencore ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Çështja e luftës ndaj fesë në shkolla është e rëndësishme, pasi këtu Enver Hoxha ka përdorur një mënyrë dinake dhe inteligjente në të njëjtën kohë. Strategjia përbëhej pikësëpari nga rrënjosja e propagandës ateiste në mendjet e fëmijëve në shkolla. Kjo ishte një mënyrë efektive pasi Shqipëria kishte rritjen më të madhe të popullsisë në Evropë. Mosha mesatare e popullsisë ishte 26 vjeç në vitin 1985. Me kalimin e kohës kjo strategji dha efektet e saj dhe gjithnjë e më shumë shqiptarë nuk dinin më për fenë, sidomos pas mbylljes së kishave e xhamiave pas revolucionit kulturor në 1967. Qëllimi i dytë i metodës së regjimit ishte informimi prej nxënësve se cilët prindër praktikonin besimin fetar. Frika se mos zbuloheshin prej fëmijëve të tyre në shkolla bëri që shumë prindër besimtarë të ndalonin ritet e tyre në shtëpi dhe mësimin e fesë për fëmijët. Një tjetër metodë e përdorur kundër besimit fetar ishte sulmi verbal ndaj praktikave fetare gjatë ditëve të shenjta fetare si Ramazani, Pashkët Krishtlindjet. Në shumë vende publike si shkolla, fabrika e qendra të tjera nisën të shpërndaheshin ushqime të ndaluara fetare si mish i ndaluar, ose prodhime bulmeti, dhe ata refuzonin të pranonin ushqimet denoncoheshin. Sfida e fesë u intensifikua në një luftë të hapur pas fjalimit të Enver Hoxhës në 6 shkurt 1967 dhe sulmet ndaj fesë nuk bëheshin më në mënyra të tërthorta, por me sulme të ashpra e të hapura ndaj kujtdo që i rezistonte ndryshimeve. Natyra klandestine e përpjekjes që në teori kishte si qëllim bindjen paqësore ideologjike të njerëzve në bazë të argumenteve logjike, u braktis tashmë nga autoritetet. Disa autorë shqiptarë bëjnë paralelizma mes intensifikimi të luftës ndaj fesë në Shqipëri dhe revolucionit kulturor që nisi të zhvillohej në të njëjtën kohë në Kinë nga Mao Ce Dun. Kina ishte aleati i vetëm i Shqipërisë në atë kohë dhe sigurisht që ishte dhe model i politikës komuniste për t’i ndjekur nga Hoxha. Por mes dy lëvizjeve kishte ndryshime pasi udhëheqja shqiptare e përdori revolucionin kulturor kinez si pretekst për të goditur gjithçka që konsideronte si armike në Shqipëri.

Masat e PPSH

Shkrimi i mëposhtëm është një argumentimet e partisë së Punës për masat, e cila kërkon që lexuesit të besojnë se fushata ishte një nismë spontane e rinisë shqiptare. “Rinia dhe masa të tjera të popullit në qytete e fshatra u ngritën në këmbë duke kërkuar që kishat, xhamitë, tempujt e manastiret, të mbylleshin bashkë me të gjitha vendet e tjera të ‘shenjta’. Gjithashtu kleri duhet të hiqte dorë nga jeta parazitare fetare dhe të bëhej klasë punëtore si gjithë të tjerët, duke jetuar me punën e djersën e tyre”. Sigurisht që një shpjegim i tillë është qesharak, ose të paktën shumë i ekzagjeruar. Por rezultati i kësaj lëvizjeje “spontane e të paprovokuar” ishte mbyllja e rreth 2200 kishave e xhamiave, dhe Shqipëria u bë vendi i parë në botë pa asnjë kishë, xhami, hoxhë apo priftërinj. Monsinjor Dias i Vatikanit ka thënë se nga më shumë se 300 priftërinj në Shqipëri para ardhjes në fuqi të komunistëve, vetëm tridhjetë mbijetuan. Në 13 nëntor 1967 Parlamenti kaloi dekretin 4337 ku dhe u anulua zyrtarisht statusi ligjor i besimeve fetare që më parë garantohej nga Kushtetuta e vitit 1946. Është çështja kushtetuese e fesë u rregullua nga qeveria shqiptare në kushtetutën e 1967, e cila mund të konsiderohet si Magna Carta e besimeve të Enver Hoxhës, e politikave dhe ëndrrave për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Neni 37 i Kushtetutës së re thoshte shteti nuk njeh asnjë fe ose besim fetar dhe mbështet vetëm propagandën ateiste, me qëllim rrënjosjen e një vizioni materialist dhe shkencor te njerëzit. Kështu Shqipëria mori dhe masën ekstreme të mundshme të nxjerrjes jashtë ligjit të fesë dhe i kërkonte me kushtetutë njerëzve të saj të bëheshin ateistë. Anton Logoreci shkruan se zhdukja e jetës fetare ishte një shembull i mungesës së tolerancës nga regjimi për institucionet që nuk i shërbenin forcës së tij, sado të vogla apo të bindura ndaj regjimit të ishin ato. Domethënia e fitores në luftën ndaj fesë përshkruhet në një fjalim të Hoxhës në Komitetin Qendror të Partisë në vitin 1973: “A nuk ishte goditja jonë shkatërrimtare ndaj dogmave fetare, sëmundjes së lashtë, helmit të merimangës së zezë, akti më heroik, më i aftë dhe më i ditur i partisë sonë? A nuk ishte ndalimi i fesë, bashkë me aparatin dhe personalin e saj, akti më domethënës konservator? Këto ishin struktura shpirtërore e materiale disa-shekullore, por partia e populli ynë i shkatërruan gjatë luftës së disa dekadave. Përpjekja për çrrënjosjen e këtij kanceri vazhdon pasi nuk ka mbaruar ende. Kura për kancerin ende nuk është zbuluar por lufta ndaj fesë duhet të vazhdojë e pa ndaluar dhe me bindje. Lufta kundër ideologjisë fetare është e lidhur ngushtë me luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit, dhe me përpjekjen e fitores së socializmit dhe komunizmit”. Me gjithë zbatimin e ashpër të këtyre politikave dhe dënimet e ashpra ndaj atyre që i kundërshtonin, besimi fetar ende nuk ishte zhdukur nga vendi pasi kjo ishte një detyrë që vetë Enver Hoxha pranonte se ishte gati e pamundur. Hoxha thotë: “Ne duhet të jemi realistë, përpjekja ndaj zakoneve të prapambetura, traditave e normave fetare nuk ka mbaruar, pasi është një përpjekje e gjatë, e komplikuar dhe e vështirë”. Sulmet ndaj influencave fetare morën një tjetër shtytje në 23 shtator 1975 kur Parlamenti shqiptar kaloi dekretin 5339, i cili kërkonte: “Qytetarët që kanë emra ose mbiemra të papërshtatshëm nga pikëpamja politike, ideologjike ose morale janë të detyruar t’i ndryshojnë ato”. Me këtë rast në vitin 1982 u botua fjalori i emrave të njerëzve ku listoheshin 3000 emra të parovuar. Në një artikull me titull “Drejt krijimit të shoqërisë ateiste” të botuar në shtypin shqiptar në mars 1986 shpjegohet arsyeja e këmbënguljes së qeverisë në emrat ateistë: “Të gjithë i zgjedhin emrat e fëmijëve të tyre sipas dëshirës, emra që janë të bukur, që kanë tingull muzikor etj. por meqenëse ne kemi emra kaq të bukur kombëtarë, nuk mund të justifikojmë përdorimin e emrave të huaj, ose të atyre që shprehin nostalgji për fenë, për gjërat e huaja … prandaj ne insistojmë në përdorimin e emrave kombëtarë, pa tregues fetarë dhe pa elemente ndarës të së shkuarës, për gjeneratat e ardhshme”. /voal.ch

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here