Po vijnë Kolonjarët…
Ajo që po ndodhte ishte vërtet një çudi. Banorë të shumtë të Korçës po i drejtoheshin rrugës së Kolonjës. Pritej që nga çasti në çast të mbërrinin kolonjarët. Ata duhej të ishin nisur për udhë që herët në mëngjes. Por çudia u bë edhe më e madhe kur të gjithë vunë re se mes turmës kishte gra dhe vajza. Dhe nuk ishin pak.

Numri i tyre po bëhej gjithnjë e më i madh. “ Po vijnë kolonjarët!”- ky ishte lajmi që i përcillnin njëra-tjetrës. “Ejani t’u dalim përpara!” Ardhjen e kolonjarëve e përfytyronin si një spektakël të magjishëm. Pak a shumë që të gjitha e dinin se si prezantoheshin ata në raste të tilla. Kolonjarët gjithnjë përpiqeshin të gjenin diçka ndryshe. Pritej që e njëjta gjë të ndodhte edhe atë ditë. Do ta kishin me doemos një surprizë. Ajo do të ishte çudia e tyre. Njerëzit herë pas herë kanë nevojë të çuditen. Kjo ishte dhe arsyeja pse vajzat dhe gratë po dilnin te rruga e Kolonjës dhe prisnin të shihnin gjithë kërshëri ardhjen e tyre.

Sigurisht, çupat kishin dalë atje edhe për të hedhur vështrime mbi djemtë, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm ato, por edhe me merakun që të mos i turbullonin aq shumë sa djemtë të rrëzoheshin nga kali. Nëse do të ndodhte kështu, atëherë gjithë mburrja dhe lavdia e djemve të Kolonjës do të shkonte humbur. Gratë kishin lënë shtëpitë e tyre sepse dëshironin të shihnin edhe ardhjen e njerëzve të Perëndisë. Që një javë përpara ishte thënë se Baba Xhemali i Kreshovës do të vinte së bashku me 14 dervishlerë. Veç kësaj, ia vlente të shihje edhe të papriturat e kolonjarëve. Po a do të vinin vallë? Ky ishte meraku i madh i çupave të Korçës.

Sigurisht që do të vinin. Pjesëmarrja e tyre ishte paralajmëruar nga zotërinjtë Çerçiz bej Zavalani, Mustafa bej Selenica, Stavre Karoli, Xhafer bej Luarasi, Vahid bej Frashëri, Tefik efendi Panariti, Ali bej Frashëri edhe Rakip efendi Jemenlli. Që të gjithë ishin burra me emër të madh. Fjala që jepej prej tyre nuk kthehej mbrapsht as prej plumbit. Ndoshta edhe nga varri do të ngriheshin për ta çuar në vend fjalën e dhënë. Ishte vendosur përfundimisht: më 14 shkurt 1910 do të mblidheshin në mbrojtje të alfabetit shqip.

Përgjatë gjithë javës këta burra ishin thirrur edhe me një emër tjetër: “Organizatorë”. Ky emër i ri i tyre nuk kishte kaluar pa tërhequr vëmendjen e grave dhe të çupave. “Ndoshta, mendonin ato, këta burra ishin përzgjedhur si njerëzit më të urtë të krahinës”. Përveç fjalës “organizator”, gjatë atyre ditëve ishte përmendur shpesh edhe një fjalë tjetër që nuk ishte dëgjuar më parë. Burrat thoshin se do të mblidheshin të gjithë bashkë e do të bënin një “meting” të madh. Për të bërë “metingun” kishin marrë edhe lejen e qeverisë. Marrja e lejes do të thoshte se askush nuk mund të fliste kundër qeverisë. Megjithatë që të gjithë e dinin se mund të kishte edhe nga ata që nuk do të duronin dot dhe mund të bënin thirrje që të vdisnin për gjuhën shqipe. Nje fjalë e tillë, – “të vdesim për gjuhën shqipe”,- nuk mund të kishte kuptim tjetër veçse “të vdesim në luftë”. Mundësia e një skenari të tillë, për gratë dhe çupat e Korcës, ishte një merak më vete. Burrat dhe vellezërit e tyre mund të burgoseshin e të internoheshin në vendet më të largëta të Perandorisë. Megjithatë shpresonin që gjithçka të kalonte bukur e mirë. Bindja e tyre se nuk kishte për të patur përplasje mes njerëzve të “metingut” dhe xhandarëve të qeverisë, vinte edhe nga prania e “Bandës së Lirisë”, e cila sapo kishte mbërritur për të pritur ardhjen e kolonjarëve me këngë e muzikë.
Po vijnë kolonjarët!

Befas u dëgjua një zë: “ Po vijnë Kolonjarët!” Turma që ishte mbledhur aty në krye të rrugës së Kolonjës lëvizi nga vendi. Gjithkush dëshironte që atë çast të kishte mundësinë për të parë sa më mirë që të ishte e mundur e pa u penguar nga askush, por në të vërtetë nuk paskësh qenë edhe aq e lehtë. Kolonjarët kishin mbërritur! Megjithatë më vështirë se kushdo tjetër nga të pranishmit, nisën ta ndienin veten çupat dhe gratë. Ato nuk mund të shtyheshin dot mes burrave. Si t’ia bënin? Po përpiqeshin ta gjenin një një zgjidhje dhe ia dolën mbanë. Zunë vend në anë të rrugës, aty ku do të kalonin gjithë kolonjarët nga ku mund t’i shihnin gjithë kërshëri dhe vëmendje. Po atë çast turma vuri re edhe një njeri që po çante nxitimthi mes njerëzve. Pas pak dali në krye, gjithkush që e shihte i hapte rrugën. Ishte patrioti i madh Mihal Grameno. Ai do t’u uronte kolonjarve mirëseardhjen. Kjo ngjarje e madhe do të pasyrohej edhe në gazetën “Lidhja orthodhokse” që botohej prej Gramenos. Ja si e përshkruante këtë çast gazeta e tij: (Mihal Grameno) “në emër të komitetit u uroi mirardhjen, dhe me fjalë të bukura dëfteu patriotizmën e kolonjarëve.

Pastaj në mes të bërtimeve të popullit, “rroftë Kolonja me bijt’ e saj”, shkuan në Klub duke patur “Bandën” përpara. Gjithë qyteti, burra dhe gra kishin dalë për të habitur kolonjarët, të cilët çuditën botën me taktikën e tyre…”. Kolonjarët kishin qenë vërtet një çudi e madhe. Që të gjithë ishin vendosur nëpër kuadrate të vendosur në rresh për pesë. Kush i kishte mësuar vallë të reshtoheshin kaq bukur! Ishin që të gjithë djem të rinj dhe shumë prej tyre ishin pjestarë të çetave. Në krye të tyre, i hipur mbi një kalë të bukur, udhëhiqte Zalo bej Prodani. Pas tij vinin kalorësit, të cilët kishin në krye shenjtërinë e tij Baba Xhemalin e Kreshovës me 14 dervishë. Askush nga çupat dhe gratë nuk po mbetej e zhgënjyer nga ajo që prisnin prej kolonjarve dhe njerëzve të Zotit

Parakalimi
Gratë dhe çupat që kishin zënë vend në cepin e rrugës, tashmë kishin mundësinë t’i shihin që të gjithë një për një. Fillimisht ato as që e kishin menduar që kolonjarët do t’u kalonin aq afër. Madje çupat patën rastin që të shkëmbenin edhe vështrime. Ato ishin të sigurta se vështrimet e tyre nuk do t’i harronin dot kurrë ata djem, por si, e ku ta gjenin njëri-tjetrin paskëtaj do të ishte një ëndërr që mund të mos realizohej dot kurrë. Po ku i dihej, vetëm mali me malin nuk piqet në këtë botë, njerëzit edhe mund të takohen; Zoti është i madh dhe i ndihmon të gjithë, i ndihmon edhe fatet e të rinjve… ndoshta ndaj herë pas herë njerëzve u ndodh të pyesin njëri-tjetrin: “Ku të kam parë?” Mbase përgjigjja në një rast të tillë do të ishte: “Te metingu i shkronjave!”. Ajo që ishte menduar si e pamudur, mund të kishte qenë kaq e lehtë për t’u bërë e vërtetë. Dhe pas një përgjigjeje të tillë, “te metingu i shkronjave”, gjithë bota do të ishte e sunduar prej dy të rinjve! Vargu i kolonjarve nuk kishte të mbaruar. Gazeta e Gramenos do të shkruante se numri i tyre shkonte në 2.500 asllanë, siç i quante ai. Që të gjithë do të grumbulloheshin te bulevardi “Shën Gjergji”. Tashmë kishin filluar të mbërrinin edhe banorët e Starovës edhe nga rrethet e tjera.

Banda e Lirisë i priste me këngë e muzikë. Gazeta “Lidhja orthodhokse” shkruante: “Edhe këta atdhetarë, gjithë si kolonjarët, ishin radhuar me taktikë, (kuadrate) ushtarëkëmbësit përpara edhe kalorësit prapa me flamurë. Për mi (mbi) ta çkëlqente Shenjtëri e tij Baba Hyseni, Dervish Hajdari nga teqe e Turanit edhe 5 dervishlerë të tjerë. Nga numri, tamina, ( me hamendje), thomi që ishin 3.000, me qenë që kryeja (kreu) ishte në “Kull’ të hirit” (në Korçë) edhe fundi në Turan./ Nga Bora Zukali

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here