Çdo epokë historike e trajtueme nga kushtet ekonomike e shoqnore që e kanë parakalue e që jetojnë bashkarisht me te, shkakton lindjen e një vargu të gjatë fenomenesh, të cilat n’anë tjetër ushtrojnë një veprim ngadalsues ose shpejtues mbi zhvillimin historik.

Po t’i marrim njerëzit e mëdhenj, si pjellë e kushteve shoqnore-ekonomike dhe historike – e arsyetimi ma fillestar na jep me e kuptuem – do të shohim se ata janë të lindun në nji rreth të caktuem, kanë pasë nji trajtim, i cili ka lehtësue veprimtarinë e tyne. Ata, njerëzit e mëdhenj të lindun në kushte historike-shoqnore të dhanuna, kanë qenë shprehja ma mishnuese e aspiratave të rrethit shoqnor në të cilin kanë lind dhe kanë ushtruem nji forcë mbi zhvillimin e ngjarjeve.

Prandaj, njerëzit e mëdhenj, që në realitet nuk janë aq të mëdhenj, duhen studjue si gjithë fenomenet e tjera historike, politike e shoqnore, domethanë shbiruem rrethin ku kanë lindë, atmosferën që ka mbështjellë trajtimin e karakterit të tyne, vendin ku kanë zhvillue të gjithë aktivitetin për të cilin ata cilësohen si të mëdhenj.

I studjuem në kët prizëm, si na paraqitet Skënderbeu?

Dikush do të mendojë se fytyra e këtij burri do të pësojë humbje, pse e ulun në shkallën e njerëzve të zakonshëm.

Kjo nuk asht aspak e arsyeshme.

Randësinë e nji njeriu, vlerën e nji vetje historike nuk e përban fakti se ata nuk u ngjajnë njerëzve të tjerë, por pikërisht në këtë qëndron pika e zjarrtë e lartësimit të tyne; ata qenë njerëz që patën gëzime e idhnime, fatkeqësi dhe lumtuni, si të gjithë të vdekshmit.

Përndryshe do të arrijshin në nji divinizëm (hyjnizim) që, në vend që t’u shtonte vlerën, do t’i bante qesharakë si zotat e mitologjisë greke.

Të gjithë jetëshkruesit janë të nji mendimi mbi cilësinë kryesore të Skënderbeut: ishte nji prijës ushtrie i zoti. Legjenda pastaj na e zbukuron edhe ma tepër kur thotë se kishte le me shejë … Edukata që mori në oborrin e Sulltanit, luftrat e vazhdueshme që bani kundra turqve, na provojnë këtë mendim. Zotësia strategjike e Skënderbeut përbahej nga tri cilësi kryesore; njohja e thellë e ushtrisë dhe e mjeteve luftarake otomane, njohja e tokës dhe e psikologjisë së luftëtarit shqiptar, zotësia e organizimit.

Skënderbeu e njihte mirë ushtrinë otomane, pse që në fëmini kishte marrë pjesë në ushtrimet luftarake të ushtarëve, që n’atë kohë i shtijshin tmerrin botës evropiane. Kështu nga nji kombinim dialektik që na vë me mendue, vetë Perandoria e madhe osmane edukon nji princ të madh që dikur do të bahet armë kundër saj. Me shpresë se do të mundte me e shfrytëzuem në dobi të vet, pregatit nji vegël kundra vetëvetes …

Prandaj Skënderbeu, tue njohë vlerën e ushtarëve osmanlli, organizimin e kuadrove të ushtrisë perandorake, dhe gjendjen e përpiktë të armatimit të tyne, mujti me i drejtue mësumjet e tij në mënyrë që mungesën e luftëtarëve të tij e zëvendësonte me përqëndrimin e fuqisë në drejtim të pikës ma të dobët të armikut, gja që e njihte ma së miri. Skënderbeu ishte nji princ i lindun në malet e Shqipnisë. Kjo s’kishte nji kuptim të zbrazët për te: kjo donte të thotë njohjen e vendit pllambë për pllambë.

E me të vërtetë Skënderbeu, bir i ndershëm i maleve të kësaj Shqipnie të vorfun, e njihte vendin e tij, pse Skënderbeu nuk ishte mbyllë në pallate maharaxhahash, por kishte jetuem në mes të popullit, në mes të fshatarëve të mirë e punëtor të kësaj Shqipnie tonë të dashtun … Kështu, toka shqiptare nuk ishte për te vetëm nji fushë për me zgjanuem pasunitë, por ishte toka ku kishte lindë, ku kishin jetuem dhe ku kishin vdekë të parët e tij. Edhe e donte kët tokë, e dashuronte me gjithë zemër, me zjarrin dashnues të nji djaloshit tetëmbëdhjetëvjeçar. Para se me durue dhunimin e vorreve të të parëve të vet, para se me pranue përuljen, ai pranonte me ba fli qetësinë e tij vetjake, atë të popullit të tij.

Mbas nji princi të tillë që ka jetuem dhe ka vuejtë me popullin e vet, kush nuk shkon me vdekë!?

Pse populli, kjo masë e çuditshme, e zonja për mrekullitë dhe ballalleket ma të mëdha, vetëm në nji vend asht i pagabueshëm: ai i njeh ata qi e gënjejnë, i gjykon dhe i dënon. Don me gjithë shpirt edhe vdes për ata që punojnë pa dallavere, në të mirën e tij.

Pika e tretë asht zotësia e organizimit. Asht e pamohueshme se potenciali luftarak i nji pakice të organizueme, d.m.th e inkuadrueme në rregull, e dishiplinueme dhe e bindun, asht shumë ma e naltë se nji turmë e madhe edhe e shkatërrueme.

E Skënderbeu e kish kuptue këtë të vërtetë: prandaj ai zgjidhte kuadrot jo tue u nis nga parimi i stëgjyshisë, por tue vërejtë trimninë, ushtrimin dhe zotësinë e drejtimit. Pse Skënderbeu zgjidhte oficerat vetë e pse nuk donte që t’ishin të vlefshëm vetëm për me ba paradë.

Nji anë gjer më sot e pagjurmueme mirë nga jetëshkruesit asht zotësia diplomatike e Skënderbeut. Jemi mësuem me e kufizuem admirimin tonë vetëm tek Skënderbeu luftar, të gjitha cilësitë e tjera kanë qenë të mbizotnueme nga kjo cilësi kryesore.

Por Skënderbeu si diplomat paraqet nji interesim shumë të madh. Përveç disa sqarimesh mbi zotësinë e inteligjencën e vet, Skënderbeu na jep hollësi të mjafta edhe për kuptimin e pozitës politike të Shqipnisë së asaj kohe.

Kemi pamë anët kryesore të Skënderbeut, të Skënderbeut historik, të kapedanit trim që na pëlqen ta parafytyrojmë me trup të madh, shpatulla katrore e me mjekërr të gjatë.

Por Skënderbeu njeri? Skënderbeu fëmi, djalosh, dashunues, babë fëmijësh.

Këtë e lanë në heshtje jetëshkruesit egoistë të zatetun kryesisht nga dëshira të na paraqesin luftarin. Janë për t’u studjuem çastet e idhnimit, të dëshpërimit, të fatkeqësive.

Nji njeri që të gjithë jetën e kalon në luftë të përgjakshme a nuk andrroi ndonjëherë me u gjetë pranë të vetëve e me shijue në nji natë dimni ledhatimet e Gjonit të tij të vogël, ngrohtësinë e vatrës familjare, ngushëllimin e fjalëve të ambla.

A por ky njeri, i reshun ndër lufta, nuk pati ndonjë çast ligështie kur pau bashkëpunuesit ma të mirë që e tradhtuen, shokët e tij ma trima që ranë në luftë.

Kush i ka studjuem lotët e heshtun që ka derdhun Skënderbeu trim, larg fushës së betejës, kur mendonte fatkeqësinë e vendit të tij. Pse Skënderbeu mendonte çdo ditë me zemër, për të ardhmen e vendit të vet.

Po të zbulojshin ndonji epistolat të tijin, do të na vlente për me njohë anën njerëzore të heroit tonë. E do ta dojshim ma shumë Skënderbeun, nga zotësitë e tij, nga trimnia e rrallë, nga bujaria e zemrës; nga roli historik qi ka luejtë mbi fatin e Kombit tonë ka mbetë dhe asht nji simbol.

Simboli i mundimeve të kombit tonë, i aspiratave të nji populli martir që vuejti shekujsh.

______________

Ky artikull me karakter studimor është shkruar nga Qemal Stafa në maj 1939. U botua për herë të parë në gazetën “Zëri i rinisë” më 5 maj 1962.

ShkodraDaily

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here