Një provë e thjeshtë dhe falas mund të zbulojë nëse diçka nuk shkon me shëndetin tuaj të zemrës. Studiuesit nga Spanja thonë se të jesh në gjendje të ngjitësh katër kate (12-13 shkallë/kat) brenda një minute është një tregues i saktë i shëndetit të mirë të zemrës.
“Testi i shkallëve është një mënyrë e thjeshtë për të kontrolluar shëndetin e zemrës suaj”, tha për Healthline Dr. Jesús Peteiro, një kardiolog në Spitalin Universitar në La Coruña dhe autor i studimit. “Nëse ju duhen më shumë se një minutë e gjysmë për t’u ngjitur në katër kate, shëndeti është nënoptimal dhe do të ishte një ide e mirë të konsultoheni me një mjek. Ideja ishte të gjesh një metodë të thjeshtë dhe të lirë për të vlerësuar shëndetin e zemrës.”
Sigurisht që testi ka kufizimet e veta – të tilla si numri i kateve, shpejtësia e ngjitjes së tyre, lartësia e shkallëve – megjithatë mund të jetë një tregues i mirë.
Sëmundjet e zemrës janë grup-sëmundjet më vdekjeprurëse në shumë shtete të botës, si në SHBA, përfshirë këtu edhe vendin tonë. Statistikat e publikuara nga INSTAT në vitin 2019, treguan se më shumë se gjysma e vdekjeve gjatë vitit 2018 erdhën si pasojë e problemeve me zemrën.
Sëmundjet e zemrës kanë mbetur shkaku kryesor i vdekjeve në nivelin global për 20 vitet e fundit, por tani ky grup-sëmundjesh po vret më shumë njerëz se kurrë më parë. Sëmundjet e zemrës përfaqësojnë 16% të vdekjeve totale.
Faktorët që rrisin rrezikun e sëmundjeve të zëmrës
– Presioni i lartë i gjakut
– Kolesteroli i lartë
– Pirja e duhanit
– Mbipesha
– Stili i jetesës (pasiviteti)
Kur duhet të kontaktoni me mjekun? Nuk është kurrë herët që kontaktoni me mjekun, qoftë edhe nëse nuk keni simptoma. Kontrolli rutinë mund të ndihmojë që të parandaloni sëmundjet më serioze.