Ekspedita e Rose Wilder Lane, një shkrimtareje amerikane e cila në vitet e 20-ta vendos së bashku me ekipin e saj të vizitojë Shqipërinë, më saktësisht viset malore të saj, duke marrë përsipër rreziqet e shumta të asaj kohe, është e përmbledhur në librin “Majta e Shalës”.

Rose së bashku me disa miq të saj shqiptar, ndër ta edhe Rrok Perolli, funksionar i qeverisë shqiptare i cili shoqëron ekipin e saj deri në Theth të Shkodrës, vise të pa eksploruara më herët nga të huajt madje edhe nga vet shqiptarët, kishin realizuar këtë ekspeditë që për të mbetet ndër më të veçantat.

Libri i cili në fakt është një udhëtim disa ditor në Malësinë e Shkodrës na prezanton me të vërtetat e popullit shqiptar i cili ishte shumë pak i njohur për botën e jashtme ose thënë më saktë i njohur për Kanunin e Lekë Dukagjinit i cili ishte ligji i vetëm në thellësinë e malësisë, atje ku vështirë mund të depërtoje.

Por, ajo çka e bën librin “Majat e Shalës”, që mund të thuhet pa frikë, se është libri më i mirë i shkruar për Shqipërinë nga një i huaj, është pikërisht këndvështrimi prej shkrimtareje i Roze Lane-t, i cili kapërcen interesat antropologjike, historike, politike dhe gazetareske. Më konkretisht, Lane shprehet: “e tëra ajo që ne e quajmë qytetërim, është si një melodi që e kemi dëgjuar dje, diç e vockël që lundron mbi suprinën e mendjeve tona, me të cilën herë-herë mund ta mbajmë hapin dhe pastaj për një hop na humbet, kështuqë nuk mund ta mbajmë në mend.”

Për librin në fjalë, Rose shprehet se: “kjo vepër nuk përmban ndonjë aspekt ku mund të ketë ndikime politike apo diçka tjetër e cila mund të keqinterpretohet apo trajtohet ndryshe, kjo vepër  është një rrëfim pa ngjyrime politike apo të bazuar nga rrëfime dhe tregime të ngjashme për shqiptarët, këtu mund të shohim diçka të ndjerë dhe përjetuar nga vetë unë dhe ekipi im së bashku me miqtë e mi shqiptarë të cilët bënë të mundur rrëfimin tim.”

Në këtë vepër përshkruhen doket dhe zakonet e shqiptarëve, rrëfimet e mahnitshme folklorike, përrallat me zana dhe ore, këngët e trimërisë dhe ato të dashurisë, veshja e malësoreve shqiptarë, mikpritja dhe portreti i atyre njerëzve të cilët shpalosin një botë në vete, një epokë që në Evropë dhe përtej oqeanit kishte përfunduar kohë më parë.

Këta njerëz shpalosin atë që Evropa e kishte fshehur dhe mohuar për dekada dhe Shqipëria ishte bërë pre e shumë tryezave të rrumbullakëta në kontinentin e vjetër.

“Sikur të udhëtoja në kohë, do të doja shumë të kisha qenë një shqiptare e Malësisë së Shqipërisë në këto vite. Do të kisha pasur fatin të jem pjesë e një populli të varfër nga jetesa dhe ekonomia por të pasur shpirtërisht”, shprehet Rose në një nga rrëfimet e saj.

Ky libër dhe kjo ekspeditë e një gruaje, shkrimtare, gazetare, Miss Lejn i tregon botës se si kanë qenë në të vërtetë shqiptarët, njerëz bujar, mikpritës të dashur dhe me një dashuri të madhe për token, traditat dhe shkollimin, dëshira e madhe për t’u arsimuar, sa herë përmendej shkolla vërehej menjëherë një entuziazëm në sytë e tyre, dëshira e tyre për të mësuar dhe shkruar ishte e madhe edhe pse kushtet në të cilën jetonin ishin të mjerueshme… kishin mendje fisnike. Mysafirët ishin të respektuar, ndërsa gjakmarrja mbizotëronte, ishte ligji i vetëm në Malësi, armikun e kishin afër, duhej të mbroheshin disi, edhe pse ligji i Kanunit ishte vetë jeta për ta.

Këto janë vetëm disa nga tregimet që shkrimtarja amerikane ja rrëfen botës për një popull që ndoshta pak njihej atë botë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here