Pse, “Mona Lisa” konsiderohet piktura më e famshme në botë? Për buzëqeshjen enigmatike? Për misterin? Ngaqë ishte e Da Vinçit?
Por, përgjigja është: Jo!
Sigurisht, ajo është një kryevepër. Por, në fillim të viteve 1900, piktura nuk ishte e famshme. U bë e tillë, falë atij që e grabiti atë, më 21 gusht të vitit 1911.
Vincenzo Peruggia ishte një emigrant italian, që punonte në Muzeun e Luvrit, në Francë. Një ditë e ngarkuan të bënte një kornizë xhami për pikturën. Atë pasdite pasi e mbaroi kornizën, ai nuk u largua nga galeria dhe kaloi natën i fshehur aty. Mëngjesin e të nesërmes, kur galeria u hap, Peruggia ishte larguar me pikturën të mbështjellë si tub, që e kishte fshehur nën xhaketë.
Ditën e parë, askush nuk e vuri re mungesën e pikturës. Punonjësit e galerisë kishin menduar se “Mona Lisa” ishte në riparim e sipër, në laborator. Asokohe “Mona Lisa” nuk ishte e njohur, ndaj nuk i kushtohej ndonjë vëmendje e madhe apo mbrojtje e veçantë nga rojet e galerisë. Aq e parëndësishme konsiderohej si pikturë, saqë nuk e kishin varur as në mur, por e ekspozonin të mbështetur pas murit mbi dy kolltuqe të vegjël.
Por dy ditë më vonë, në galeri u shfaq një vizitor i cili, kishte ardhur për të riprodhuar me laps portretin e Xhokondës, nga origjinali -procedurë rutinë që atëherë lejohej. Ky ishte momenti, kur u vu re se piktura ishte vjedhur. Lajmi u botua edhe në gazetat e mëdha të botës, me imazhin e pikturës në faqen e parë.
Luvri u bë edhe më i famshëm. Njerëzit tashmë shkonin në Luvër, për të vizituar vendin bosh të pikturës së vjedhur. Policia nuk mundi të gjentë ndonjë gjurmë. Mes të dyshuarve për këtë vjedhje ishte edhe Pablo Pikaso.
Grabitësi italian Peruggia, ishte zhdukur nga sytë këmbët e kështu, në dy vitet në vazhdim historia u harrua.
Në vitin 1913, Alfredo Geri, një gjurmues i veprave të artit, mori një letër të çuditshme. Autori i letrës pretendonte se kishte vjedhur dhe kishte në zotërim, “Mona Lisa” – pikturën origjinale dhe ia ofronte për shitje. U takuan të dy, në Firence. Geri u bind menjëherë, se piktura e të panjohurit ishte vërtet origjinali i vjedhur dy vjet më parë, që Peruggia e kishte mbajtur të fshehur në bodrum gjatë gjithë asaj kohe.
Peruggia u arrestua menjëherë. Kur e pyetën në gjyq, se pse e kishte kryer atë akt, ai tha se kishtë rënë në dashuri me subjektin “Mona Lisa”. Gjithashtu, Peruggia nënvizoi faktin se piktura i përkiste Italisë, përderisa autori i saj Leonardo, ishte italian, ndaj ai kishte dashur ta rikthente pikturën në atdheun e vet.
Por, ai gabohej. Leonardo i kaloi vitet e fundit të jetës në Francë dhe ia pati shitur pikturën, mbretit të Francës, Fransua I.
Kështu, falë avokatit të tij, që e paraqiti vjedhjen si gjest patriotik, Peruggia u dënua veçse me një vit burg, ndërsa “Mona Lisa” u rikthye në Luvër, këtë herë e famshme, më e famshme se çdo pikturë tjetër e botës.
Në vitin 1947, një person emrin Vincenzo Peruggia vdiq në Haute-Savoie. Gazetarët kujtuan se bëhej fjalë për hajdutin e famshëm dhe nxituan të mbushnin faqet e gazetave dhe minutazhet e radiove me lajmin e vdekjes së tij.
Por të nesërmen u mësua se, Peruggia i vërtetë kishte vdekur në harresë të plotë, 22 vjet më parë, në vitin 1925, në moshën 44-vjeçare, në qytetin francez Saint-Maur-des-Fossés, ku kishte punuar si mirëmbajtës veprash arti.
Shkëputur nga profili i Artan Gjyzel Hasani – përshtati Konica.al