Në shekullin V – IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç në hyrje të qytetit në një lartësi 130 m. Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.k. Nga monedha mësojmë emrin që ka patur qyteti në atë kohë, Scodrinon. Në vitin 181 p.k. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Në shekullin II p.k. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Diokleciani e kthen në qendër krahinore. Më vonë bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shek. Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër Bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së familjes Balshaj.
Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut, e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik. Kalaja e Shkodrës ishte kalaja e fundit që ra në shekullin e XV, kur më vitin 1479 Sulltan Mehmeti II e rrethoi me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitari i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Europë në vitin 1504. Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku, nën sundimin e familjes vendase të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane.
Më 1865 kalaja braktiset pasi Lumi Drin ka ndryshuar shtrati…/zanimalsise.com/