Daut Dauti
Kur e vizitoni Arnavutköy -in, Fshatin Shqiptar, gjënë e parë që e vëreni është prestigjioziteti i këtij vendbanimi qe gjendet në brigjet e Bosforit, në pjesën evropiane të Stambollit. Arnavutköy është një vend i bukur që mund të përshkruhet si përrallor ose që ekziston vetëm në ëndërra.
Pos shtëpive të bukura dhe restoraneve luksoze dhe të zakonshme që kryesisht shërbejnë specialite te të peshkut, aty gjendet edhe Robert College, një shkollë amerikane me renome të lartë që është hapur në vitin 1863. Duhet theksuar se në këtë shkollë kanë studjuar shumë rilindas tanë.
Vendbanimi është themeluar në shekullin IV të erës sonë nga grekët dhe është quajtur Hestai por më vonë edhe Promotu dhe Anaplus. Emrin e tanishëm (Arnavutköy) e mori në vitin 1468, 6 vite pas pushtimit të Stambollit, i cili deri atëherë quhej Konstantinopojë, nga Perandoria Otomane, e cila aty solli një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve. Me ardhjen e shqiptarëve, shumica muslimanë por kishte edhe të krishterë, ndryshuan gjërat. Shqiptarët morën vendbanimin në dorë por epërsia e tyre nuk zgjati shumë. Brenda një shekulli shqiptarët u ‘shkrinë’ në grekë dhe të gjithë u bënë pjesëtarë të Kishës Ortodokse Greke.
Kah mesi i shekullit të XVII, Evliya Çelebi e përshkruan Arnavutköy-in si një vendbanim të lakmueshëm me shtëpi të bukura dhe me plot pemishte dhe vneshta të cilat ishin pronë të grekëve dhe hebrenjëve. Muslimanët kishin rënë në minoritet të parëndësishëm dhe vendbanimi nuk kishte asnjë xhami.
Në shekullin XVIII Arnavutköy përshkruhet si vendbanim tërësisht grek. Pas shekullit XVIII vendi gradualisht popullohet me armenë të cilët deri në Luftën e Parë Botërore kanë dominuar ndaj grekëve.
Me fjalë tjera, Arnavutköy, një vendbanim me emër të shqiptarëve, vetëm për një kohë të shkurtër ka qenë ashtu siç e përshkruan emri.
Ky është një rast i cili tregon për një segment të asimilimit të shqiptarëve. Por, shqiptarët në këtë rast, janë asimiluar në grekë e jo në turq