Emri i saj u përmend për herë të parë në shekullin e IV para Krishtit. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para.Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.Sapo hyn në luginën e Shushicës, në juglindje të Vlorës, midis kodrave që shtrihen në këmbët e malit të Kudhësit, të tërheq vëmendjen, një majë shkëmbore e vetmuar, e cila ngrihet lartë si një kon i madh. Një majë tjetër shkëmbore, shihet edhe nga lindja, duke ardhur nga Tepelena. Të dy majat shkëmbore formojnë një kreshtë, e cila zgjatet gati 1 km. me drejtim verilindje-jugperëndim. Kuota më e lartë e saj është 613 m. mbi nivelin e detit dhe ndodhet në skajin verilindor. Mbi këtë kreshtë dhe përreth saj, janë të shpërndara shtëpitë e fshatit Ploçë. Në këtë kreshtë dhe poshtë saj, ruhen rrënoja të ndryshme të një vendbanimi të lashtë, ai i Amantisë.

Amantia u zhvillua si qytet në kodrën e lartë dhe në tarracat e saj. Në kohët e lashta pllaja e sipërme e kodrës ishte e rrethuar me mure fortifikimi. Qyteti u zhvillua jashtë këtyre mureve, përreth Akropolit.

Kjo ka bërë që Amantia të mos kish pamjen e qyteteve të tjera ilire. Godinat dhe banesat e tjera u ngritën në sheshet dhe tarracat e mëdha të sajuara , të zgjeruara dhe të forcuara me mure, në anët e ndryshme të kodrës.

Ajo lidhet me luginat e lumenjve Vjosa dhe Shushica dhe me rrugët e lashta , që kalonin nëpër to. Ky pozicion bëri që Amantia të shëndërrohej në një nyje të rëndësishme në marrëdhëniet tregtare midis bregdetit jugor të Ilirisë dhe krahinave të brendshme.

Në shek.IV p.e.s. Amantia filloj të zhvillohej si një qendër e rëndësishme skllavopronare, duke marrë në shek.III-II p.e.s. pamjen e një qyteti të vërtetë antik. Ajo mbeti si e tillë deri në fund të shek. I p.e.s. Në kohën perandorake, Amantia e humbet rëndësinë e saj të dikushme. Në fund të antikiteti përmendet si një qendër peshkopate, por në mesjetë ishte zhdukur si qytet.

Kërkimet e para për identifikimin e rrënojave të Amantisë filluan në shek. XIX. Që në gjurmimie e para ajo u lokalizua në rrënojat e fshatit Nivicë të Kurveleshit nga Pukvili. Ka pasur dhe lokalizime të tjera(Vajza). Por më vonë do të mbizotëronte mendimi se Amantia duhet kërkuar në Ploçë dhe jo gjetiu. Nga kërkimet dhe gërmimet sistematike u zbulua se Amantia, ka qenë një qendër e rëndësishme e kësaj krahine të Ilirisë së Jugut dhe se për një kohë të gjatë ka pasur një jetë ekonomike dhe shoqërore të gjallëruar dhe një kulturë materiale dhe shpirtërore të përparuar.
Burimet e shkruara për Amantinë dhe amantët janë të kufizuara e të fragmentuara. Sipas autorëve të lashtë antikë, Amantia i përkiste Ilirisë dhe amantët ishin ilirë. Pas vitit 148 e. S Amantia bënte pjesë në provincën e Maqedonisë. Në një ndarje tjetër të provincave të perandorisë romake në Ballkan, në shek. II e. s. Amantia i takon provincës së Epirit të Ri. Ngjarje historike nuk ka. Na kumtohet se Amantia u bashkua me Cezarin në luftën kundër Pompeut, ose shumë shekuj më vonë, nën muret e saj të rindërtuara nga Justiniani, ushtria bizantine luftoi kundër saraçenëve. Kuptohet se të gjitha këto janë shumë pak për një qytet si Amantia, i cili pati një jetë gati njëmijëvjeçare. Duhet pasur parasysh lidhja amantë-abantë dhe njohja e amantëve si epirotë. Në shek.IV p.e.s. Amantia njihet si një qytet ilir. Por krahas qytetit Amantia kishte dhe një krahinë të quajtur Amantia, e cila zgjatej deri në bregdet.

Sipas P. Skylaksit, amantët janë ilirë nga bulinët dhe Amantia nuk është një qytet grek ; qytetet greke janë Apolonia e Epidamni. Plini, i ka quajtur barbarë amantët bashkë me bylinët. Për S. Bizantinin Amantia ka qenë krahinë e Ilirisë. Deri diku dhe të qartë janë kufijtë e territorit të banuar nga amantët. Në malet Keranune ata kufizoheshin me kaonet. Fqinjët juglindorë të tyre ishin atintanët , kurse në lindje kishin bylinët. Në disa njoftime, të dy qytetet Bylisi dhe Amantia, përmenden gjithmonë bashkë, që lë të kuptohet për lidhje të të ngushta midis tyre, pa përjashtuar dhe origjinën e përbashkët. Tekstit të P. Skylaksit, ju bënë disa korrigjime. Kështu titulli “ilirët” u zëvendësua me titullin “taulantët”. Duke pranuar titullin “taulantët” pranohet mendimi se Amantia si krahinë e si qytet, në atë kohë ndodhej nën varësinë e shtetit ilir.

Ngjarje të tilla si kalimi i Apollonis e Dyrrahut, nën varësinë e shtetit ilir dhe vënia e Pirros me forcën e armëve në fronin e mbretërisë molose nga mbreti Glaukia, e përforcon këtë mendim. Me dobësimin e shtetit ilir , dhe me fuqizimin e shtetit të Epirit, në kohën e sundimit të Pirros, Amantia hyri në përbërjen e shtetit epirot. Për dy shekuj burimet për Amantinë heshtin. Ka shumë të ngjarë që, pas vitit 168 p.e.s., Amantia të jetë bërë e pavarur duke filluar dhe prerjen e monedhave me emrin e banorve të saj. Amantia mbeti e pavarur edhe më vonë. Këtë e vërteton dhe fakti, që Amantia është në listën delfike të theorodokëve, të datuar në vitet 220-189 p.e.s.

Në shek. II. p .e.s. Amantia, në qoftë se nuk kishte ruajtur pavarësinë e plotë, gëzonte së paku një autonomi të brendshme, të cilën e vazhdoi ta ketë dhe në shek. I p.e.s.; sikurse vrehet nga prerjet monetare të kësaj kohe. Kjo pozitë e privilegjuar e Amantisë tregon se ky qytet, sikurse Bylisi dhe Apollonia, mbajti anën e Romës, gjatë luftërave kundër shtetit ilir she atij maqedon. Ka edhe një mundësi tjetër, amantët bënin pjesë në një bashkësi (koinon) fisesh e qytetesh të kësaj treve, në krye të së cilit qenë bylinët, ndoshta për një kohë dhe atintanët.

Në disa burime të shkruara të autorëve antikë, në lidhje me qytetet e Ilirisë Jugore , janë ruajtur legjenda të udhëtimeve të gregërve, të cilat amantët i bëjnë abantë, bylinët i bëjnë myrmidonë dhe orikët , kolkë. Identifikimi i amantëve me abantet nuk është e lehtë. Lykofroni, në poemën e tij Aleksandra, e ka sjell Eleferonin, kryetarin legjendar të abantëve, në tokat e amantisë, por pa i identifikuar abantët me amantët.

S. Bizantini është përpjekur të shpjegojë lidhjen amantë – abantë dhe Amantia- Abantia duke shpjeguar se shkronja b është kthyer në m nga “barbarët”. Ky kthim bëri që Kalimaku, në veprën e tij , të përdorë emrin Amantia në vend të Abantia. Më poshtë ai thotë se Amantia është krahinë e ilirëve, por banorët e saj i quan abantë. Një version tjetër të legjendës na e jep dhe Pausania, në veprën e tij “Përshkrimi i Helladës”. Ai tregon se në Olymbia, në vendin e quajtur Hipodam, gjendej një monument skulptural kushtuar Zeusit nga apolloniatët. Ky monument ishte ngritur nga këta të fundit pas fitores kundër abantëve, me një të dhjetën e plaçkës së marrë në qytetin e tyre Thronion. Në këtë mbishkrim amantët quhen abantë, sipas pretendimit se e kishin origjinën që nga koha e luftës së Trojës. /Monuments of Albania

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here