Nga Albert Vataj
Ai është ndoshta nga të vetmit shenjtor që është pranuar unanimisht nga Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, Kisha Luterane dhe Kisha Anglikane. Një shenjtor ilir, një shëmbëllim i gjithëkohjes, i përkushtimit, devocionit, vetmohimit. U shua më 30 shtator të vitit 420 duke përsëritur lutjen që ia kishte drejtuar vazhdimisht Zotit: “Më fal, o Zot, se jam dalmat”. Kërkonte falje për temperamentin e tij kolerik, që e kishte bërë shpesh të humbiste kontrollin mbi vetveten.
Sot përmes Shën Jeronimit, për nder të tij, 30 shtatori është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit edhe për vlerat krijuese që mbart kjo sfidë. Shën Jeronimi e kujtojmë si nevojë e edukimit të plotë të njeriut, si kulturor ashtu edhe fetar e moral. “Sepse pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është kushti i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të dhunës. E është Shkrimi Shenjt, Bibla që na prin drejt realizimit të edukimit para Hyjit e para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit”. Sepse ishte ai që me punën dhe kontributin e tij titane erdhi në latinisht libri i librave, Bibla.
Me 30 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës. Një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit kostandinian, Shën Jeronimi qe polemist i mprehtë, skripturist i thellë dhe punëtor i palodhshëm.
Shën Jeronimi ia kushtoi tërë jetën studimit të Biblës aq, sa Papa Benedikti XV, e shpalli “dijetar të Kishës në interpretimin e Shkrimeve të Shenjta. Jeronimi nënvizonte gëzimin dhe rëndësinë që buron nga familjarizimi me tekstet biblike: “Thua s’të duket se banon në mbretërinë e qiejve që këtu në tokë, kur jeton ndërmjet këtyre teksteve, kur i mediton, kur nuk njeh e nuk kërkon asgjë tjetër, veç tyre?” (Ep. 53, 10). Në të vërtetë, dialogu me Hyjin, me fjalën e Tij, në një farë mënyre do të thotë prani e Qiellit, dmth prani e Hyjit. Të lidhesh ngushtë me tekstet biblike, sidomos me Besëlidhjen e Re, ka rëndësi themelore për besimtarin, sepse “të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin.
Shën Jeronimi lindi në Stridon të Dalmacisë ilire rreth vitit 347 në një familje të krishterë. Që në fëmijëri u dallua për karakter të pavarur e të pasionuar si edhe për kujtesë e inteligjencë të jashtëzakonshme. U pajis me kulturën më të lartë klasike të kohës dhe u thellua në studimin e Shkrimit Shenjt sipas tekstit grek. Talentin e vet e vuri në shërbim të papës Damazi, i cili e ngarkoi me detyrën të përkthente latinisht tekstet origjinale të Shkrimit Shenjt, në mënyrë që besimtarët t’i kuptonin sa më mirë gjatë kremtimeve liturgjike. Më pas u tërhoq në Betlehem, ku u dha pas pendesës, lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit e studimit të gjuhëve lindore, të aramaishtes e hebraishtes së vjetër.
Shën Jeronimi e kuptoi se të mos e njohësh Shkrimin Shenjt do të thotë të mos njohësh Krishtin. Nisi, prandaj, të përkthejë krejt Besëlidhjen e Vjetër e të Re nga tekstet origjinale, bashkë me komentet përkatëse, fryt i mendjes dhe i kulturës së tij. Kështu doli në dritë “Vulgata” e cila ende sot, mbas gati 20 shekujsh, përdoret në liturgjí të Kishës. Shën Jeronimi vdiq në Betlehem të Palestinës më 30 shtator të vitit 420, duke përsëritur lutjen që ia kishte drejtuar vazhdimisht Zotit: “Më fal, o Zot, se jam dalmat”. Kërkonte falje për temperamentin e tij kolerik, që e kishte bërë shpesh të humbiste kontrollin mbi vetveten. Kishës, të cilën e kishte dashur aq shumë, i la trashëgim thesarin e pallogaritshëm të veprave të tija.
Shën Jeronimi nuk e shpërfilli kurrë aspektin etik, do të thotë detyrën e koherencës së krishterë për ta jetuar Fjalën e Zotit, që duhet ta kenë parasysh të gjithë besimtarët e , në mënyrë të posaçme, predikatarët: “Kështu nxit meshtari Nepoçian: ‘Veprat tua nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh në Kishë, ndokush të thotë me vete: ‘Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm vërtetë ky mësues që, si e ka mbushur mirë barkun, të mëson si të agjërosh; edhe një hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë ashtu si mendon e si jeton”. (Ep. 52, 7).
E kjo koherencë duhet të shndërrohet në vepra dashurie të krishterë sepse – siç thoshte Shën Jeronimi – Jezu Krishti është i pranishëm në çdo qenie njerëzore. “Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar, në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi është konkret e na mëson: duhet ta veshim Krishtin në të varfërit, ta vizitojmë në të munduarit, ta ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë”.
Shën Jeronimi -, prift, rrëfyes, teolog, autor, historian, përkthyes. Ai ishte ilir nga një qytet në kufi të Dalmacisë me Pannonian, Hyeronim është mbiemri i tij që do të thotë “emër hyjnor”. Lindur më 347, Hyeronimi u bë i famshëm për përkthimin e Biblës në latinishten e kohës në mënyrë që të mund të lexohej e kuptohej lehtë nga të gjithë – ndërsa komentet e tij rreth Biblës Hebraike, dallohen për mendim dhe interpretim të veçantë – dhe lista e shkrimeve që ai la është shumë e gjatë. Hyeronimi njihet si Shenjtor nga Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, Kisha Luterane dhe Kisha Anglikane. Si student në Romë, ky ilir i sapo ardhur nga provinca, u dha pas jetës sipërfaqësore, si shumë të rinj që priren natyrshëm drejt saj. Për Hyeronimin, episodet e një jete të tillë – deri të shthurur – u pasuan nga kriza të tmerrshme pendimi. Për të qetësuar ndërgjegjen, ai filloi të vizitonte çdo të diel varret e martirëve dhe apostujve të krishterë në katakombet e Romës. Kjo përvojë, thotë ai, do ta bënte të kuptonte tmerret e ferrit: “Shpesh e gjeja veten duke hyrë në këto labirinte gërmuar thellë në tokë, me varre hapur e kufoma rreshtuar në të dy anë; çdo gjë dukej e zymtë, e errët , si për të përmbushur fjalët e Psalmit: ‘Le të zbresin të gjallët në Ferr’…Dhe aty m’u kujtua vargu i Virgjilit; ‘Tmerr kudo në shpirt, dhe heshtje e vetë-trembur’”.