Gjyshi i tij, Andrea Basta, ka qenë bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe pjesëmarrës në ekspeditat e kryetrimit shqiptar, në Itali. Në moshën 15 vjeçare Gjergji u fut në një repart kavalerie të komanduar prej të atit, Dhimitrit ne luftërat e Piemontit. Mësimet e para i mori në një shkollë në Asti të Italisë dhe pastaj ndoqi Akademinë ushtarake në Hollandën spanjolle.
Jeta e tij ushtarake ndahet ne dy faza, në shërbimin e tij në ushtritë e perandorisë spanjolle në Hollandë e në Francë dhe ne ushtrinë e perandorisë së shenjtë romake, gjermane. Ai shërbeu mbi 40 vjet në ushtri duke udhëhequr rreth 100 beteja fitimtare. Basta zotëronte 6 gjuhë. Më 1603, në krye të ushtrisë perandorake gjermane Gjergj Basta ndodhet në Transilvani ku merr pjesë në luftë kundër trupave të vezirit turk, Ali Pasha i cili ndodhej me 60 mijë vetë në qytetin Peshti. “Sa herë që perandori ndodhej në vështirësi, ai kërkonte detyrimisht praninë e Bastës me trupat e tij. Më 1605, trupat e Gjergj Bastës në Komorrë u bënë pengesë e pakapërcyeshme për turqit. Bashkëkohësit thonë se ndaj tij asnjëherë turqit nuk patën epërsi. Është kjo arsyeja pse perandori e nderoi me titullin e kontit perandorak. /Shqipëria Natyrale/