“ Dritëro Agolli është sot nga ata të paktë intelektualë të shquar të kombit, që nuk ju shmang provës.
Ai nuk bëri pozën e eremitit.
Pati respekt për sytë e tij për të mos u paraqitur si i verbër,
për veshët e tij pêr të mos u paraqitur si i shurdhët.
Mendjen dhe ndërgjegjen e ballafaqoi me realitetin.
Arriti ta sendërtojë këtë realitet në art.
Nuk u tut nga kërcënimet dhe fyerjet e përbindshme .
Diti të kuptojë , se, kur ndryshohet shoqëria, duhet të ndryshojë edhe vetë ai,
por deri në atë masë sa të jetë në logjikën e së ardhmes,
duke hedhur tutje kultet dhe krimet totemike të së kaluarës, në mënyrë që të mos shfytyrizohet, të mos humbasë identitetin.
Ka shumë të ashtuquajtur intelektualë që nuk i rezistuan provës së kohës.
Kanë humbur vetveten, kanë humbur moralin, fytyrën , madje dhe emrin e tyre .
S’kanë identitet!
Nga kjo pikëpamje të bësh art do të thotë të kesh në vetvete heroizëm moral.
Dritëro Agolli , me krijimet e tij poetike të viteve të fundit jo vetëm ka bërë art , por ka dëshmuar një rritje të re të padiskutueshme , të veçantë , të personalitetit krijues.
Moraliteti i artit është në thelbin e vetë artit .”
Moikom Zeqo “ Liriku i tokës, Demoni i fjalës” /voal.ch