Kleopatra e Madhe është bërë sinonim i termit “faraonia femër”. Ashtu siç Joann Fletcher tregon, gruaja e famshme e Mark Antonit ishte vetëm kulmi i tre mijë viteve të Egjiptit i sunduar nga femrat.
Sipas egjiptianëve të lashtë, i gjithë universi ishte i përbërë nga elementë mashkullorë e femërorë, që mbaheshin në një gjendje ekuilibri perfekt nga perëndesha Maat. Hyjnitë e saj përfshinin Zotin mashkull të Tokës, dhe perëndeshën femër të qiellit.
Femrat egjiptiane gjithnjë portretizoheshin përkrah meshkujve në çdo nivel të shoqërisë. Kjo pa dyshim shpjegon se pse historiani grek Herodoti ishte i detyruar të arrinte në përfundimin se egjiptianët ndryshuan praktika e zakonshme të njerëzimit kur vizituan Egjiptin në vitin 450 para Krishtit.
Ndërsa titulli më i zakonshëm i një femre në historinë 3 mijë vjeçare të Egjiptit ishte “zonja e shtëpisë”, shumë femra punonin në hierarkinë e tempullit. Femra të tjera ishin mbikëqyrëse e administratore, ose mbanin tituj duke filluar nga doktoreshë, rojë apo gjykatëse thesari, kryeministre etj.
Në momente të ndryshme këto femra ishin edhe monarke, nga ato që sundonin në emër të bijve të tyre nën moshë, deri tek ato që qeverisnin në të drejtën e tyre ashtu si faraoni.
Megjithatë disa egjiptologë akoma i përcaktojnë sundimtaret femra me termin modern “mbretëresha”, që thjesht i referohet një gruaje të martuar me mbretin. Por në atë kohë në Egjipt kanë udhëhequr femra që kishin pushtetin e tyre absolut dhe jo se ishin martuar me një mbret, duke përfshirë këtu edhe Kleopatrën, si dhe faraone të tjera si Hatshepsut dhe Nefertiti.
Sunduesi i parë i historisë së Egjiptit ishte Merneith, sundimi i së cilit daton rreth vitit 2970 para Krishtit. Kur varri i tij u zbulua, në vendin e quajtur Abidos në vitin 1900, kishte dyshime të forta se Merneith ishte mbret, deri në momentin kur u zbulua se ishte femër dhe jo mashkull. Megjithatë emri i saj shfaqej në listën e mbretërve të hershëm të Egjiptit. Provat për sundimtaret femra janë po aq të fragmentizuara sa edhe për homologët e tyre meshkuj, me pak data lindjeje dhe vdekjeje të ditura, dhe mungesë portretesh për shumicën e tyre. Por, titujt e disa prej femrave sunduese nuk u janë njohur me të vërtetë edhe pse ato e kanë udhëhequr Egjiptin si faraone.
Khentkawes I: Nëna e Egjiptit
Titulli: Mbretëreshë e Egjiptit të Sipërm dhe Egjiptit të Poshtëm
E lindur në vitin 2550 para lindjes së Krishtit, vdiq në vitin 2510.
Një grua, statusi i së cilës është diskutuar shumë është Khentkawes. Ajo ishte vajza e mbretit Menkaure, dhe gruaja e Mbretit Shpseskaf, dhe lindi të paktën dy mbretër të tjerë dhe me prova që mbështesin idenë se edhe ajo vetë e ka sunduar Egjiptin. Varri i saj është ndërtuar afër piramidave, dhe konsiderohet Piramida e 4-t e Gizës. Ajo ka tempullin e vet, gjë që ngre dyshimet se ajo ka shërbyer si faraone në fund të dinastisë së katërt. Në fakt, statusi mbretëror i Khentkawes u sugjerua që në fillim të vitit 1933 nga arkeologu egjiptian, Selim Hassan gjatë gërmimeve të tij fillestare në varrin e saj. Ajo portretizohej në fron duke mbajtur shkopin e faraonit. Varri gjithashtu zbulonte tituj zyrtarë të Khentkawes në mbishkrime hieroglifike, që përktheheshin si “Mbretëresha e Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm, Nëna e Mbretit të Egjiptit të Sipërm e të Poshtëm”. Ndërsa për egjiptologun britanik, Alan Gardiner, Khentkawes ka qenë vetëm nëna e dy mbretërve dhe jo mbretëreshë vetë. Megjithatë Khentkawes I ka lënë shenjën e saj në Giza, përderisa një varr madhështor është ndërtuar për të. Ekzistojnë edhe hipotezat se edhe për një femër tjetër është ndërtuar një varr i madh në Sahara, sa të bëjnë të mendosh se ka sunduar Egjiptin pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Mbretit Djedkare. Por identiteti mbetet anonim dhe i harruar pasi emri iu fshi nga varri pas vdekjes së saj. Ajo mbetet Piramida e Mbretëreshës së Panjohur.
Sobeknefru: “Mbretëresha krokodil”
Titulli: Mbretëreshë e Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm
E lindur në vitin 1830 para Krishtit dhe vdiq në vitin 1785.
Pavarësisht provave se disa femra kishin fuqi mbretërore gjatë mijëvjeçarit të tretë para lindjes së Krishtit, femra e parë e pranuar universalisht faraone është Sobeknefru. Vajza e Amenemhatit III, të cilin e pasoi në vitin 1789 për të udhëhequr vendin për 4 vite. Ajo shfaqet në listën zyrtare të mbretërve edhe pas vdekjes së saj. Monarkja e parë e emëruar nga Zoti krokodil Sobek, simbol i fuqisë faraonike, Saobeknefru mori 5 emra standarde si mbretëreshë, si dhe epitetin “Vajza e Perëndeshës së Diellit”. Një portret i plotë i Sobeknefru-së u identifikua në vitin 1993 dhe në atë portret shihet edhe familja e saj. Soaeknefru krijoi tempuj në vendet veriore dhe përfundoi një nga komplekset piramidale të babait të saj. Thuhet se ajo ka ndërtuar piramidën e saj në vendin e quajtur Mazghuna, por gjurmë të varrit të saj nuk janë gjetur. Sundimi i saj u pasua nga disa mbretër meshkuj të cilët e emëronin veten Mbretër Krokodilë. Risitë e kësaj faraoneje inspiruan faraonen tjetër femër të quajtur Hatshepsut që sundoi nga viti 1479-1458 para Krishtit. Shumica e pararendësve femra janë injoruar në histori. I tillë është rasti i Nefertitit. Ajo gjatë gjithë kohës u gjykua për bustin e saj të bukur, edhe pse provat tregojnë se ajo zotëronte të njëjtat fuqi mbretërore si dhe bashkëshorti i saj. Shembulli i saj u ndoq nga faraonia femër e shekullit 12 para Krishtit, Tawosret, titujt e të cilës përfshinin edhe “Vajza e Perëndeshës së Diellit”. Ajo ishte faraonia e fundit femër për pothuajse mijëra vjet. Mijëvjeçari i fundit para lindjes së Krishtit shënoi pushtime të huaja të njëpasnjëshme në Egjipt. Një nga pushtimet më të suksesshme ishte ai Aleksandrit të Madh të Maqedonisë i cili sundoi për tre shekujt e fundit para lindjes së Krishtit. Këshilltarët egjiptianë krijuan sistemin e dinastive mbretërore dhe u vendos që femrat do të mbanin zyrën mbretërore.
Arsinoe II: Mbretëresha
Mbretëresha e Maqedonisë, Mbretëreshë e Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm
Lindur në vitin 316 para Krishtit, vdiq më 16 ose 17 korrik në vitin 268
Trashëgimia e faraoneve femra të Egjiptit sigurisht që inspiroi Arsinoe II. E martuar me dy mbretër të njëpasnjëshëm të Maqedonisë, Arsinoe u kthye atëherë në tokën e saj egjiptiane dhe pasi u martua me vëllain e saj, mbret Ptolemeun II, u bë atje mbretëreshë për herë të tretë. Gjatë jetës së saj Arsinoe ka mbajtur titullin Mbretëresha e Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm. Ajo gjithashtu u quajt “Vajza e Perëndeshës së Diellit”. Sëbashku me vëllain e saj bashkëshort Ptolemeun II, ata u barazuan me hyjnitë klasike të Zeusit dhe Herës. Arsinee II sigurisht përdori imazhin e saj të shumanshëm publik për të pasur efekt të madh në marrëdhëniet e saj politike, kur ajo dhe Ptolemeu II ishin të parët që patën një kontakt zyrtar me Romën në vitin 273 para Krishtit. Kur Egjipti iu bashkua Athinës dhe Spartës kundër Maqedonisë, Asinoe luajti një rol kryesor. Athina e nderoi çiftin mbretëror të Egjiptit me statujë, ashtu siç bëri Olimpia, ku Arsione korri një sukses të madh në Lojërat Olimpike të vitit 272 para Krishtit kur skuadrat e saj fituan tre herë në një ditë të vetme në garat me qerre. Thuhet se imazhet e Arsione dhe statuja të saja ndodheshin në të gjitha tempujt. Kjo gjë u pëlqente priftërinjve sepse ata ishin të vetëdijshëm për qëndrimin e saj fisnik ndaj zotave dhe të veprave të saj të shkëlqyera për të mirën e njerëzimit. Në kryeqytetin e ri të Egjiptit, Aleksandri, ndikimi i Arsinoe-s ishte edhe më i madh. Ajo vazhdoi traditën e Ptolemeut duke shpenzuar shuma të mëdha në Bibliotekën e Madhe të qytetit dhe ndërtimit të një muzeu.
Trashëgimia
Arsinoe 48-vjeçare vdiq në korrik të vitit 268 para Krishtit dhe u dogj në një ceremoni të stilit maqedonas. Ajo kujtohej në çdo festival, në rrugë, në qyteza, në qytete të mëdha e rajone të tëra jo vetëm në Egjipt por edhe në Mesdhe.
Prezenca e saj shpirtërore ishte aq e fortë sa për 22 vitet e ardhshme të mbretërimit të Ptolemeut, ai kurrë nuk i rimartua dhe vazhdoi të paraqitej më gruan e tij të vdekur në portrete zyrtare. Arritjet e Arsinoe II u përsëritën më pas nga femra të tjera të dinastisë së saj, ndër të cilat e fundit ishte Kleopatra e Madhe. Kleopatra ishte sunduesja e fundit dhe më e famshme e 3 mijëvjeçarëve të Egjiptit.
Kleopatra VII: Mbretëresha e Mbretërve
Titulli: Mbretëreshë e Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm
Lindur më 69 para Krishtit dhe vdiq më 12 gusht 30 p.e.s (39 vjeçe)
Kleopatra VII, padyshim një prej grave më të famshme të të gjithë kohërave, u përjetësua në histori dhe në imagjinatën tonë në vepra teatrale, libra, filma. Kudo shfaqet me entuziazmin e saj dialektik dhe një magji të pakohë. Emri i mbretëreshës egjiptiane bën kaq jehonë, saqë është zgjedhur për një asteroid, një lojë, një anije, një krater, një grup muzikor, një cigare…
Figura e Kleopatrës na është përcjellë nga rrëfimet e autorëve klasikë, që gjithsesi janë në kontradiktë të plotë në lidhje me këtë: Appiano nuk merret shumë me detajet, Giuseppe nuk respekton kronologjinë, Dioni injoron saktësinë për të favorizuar retorikën, Nicola Damasceno është një renegat i njohur (kaloi nga Aleksandria në oborrin e Herodit, mbreti që në momentin e fundit kishte tradhëtuar Antonin dhe mbretëreshën egjiptiane). Pavarësisht të gjithë lulëzimit kulturor që bënte të dallohej Aleksandria e Kleopatrës, nuk kemi as edhe një autor egjiptian që të ketë
transmetuar tek pasardhësit këndvështrimin e mbretëreshës. Nuk ka dakordësi as për disa të dhëna biografike bazë, si identiteti i nënës së Kleopatrës, sa kohë ka kaluar ajo në Romë dhe sa herë është pritur në Urbe; nuk dimë nëse ajo dhe Antoni janë martuar (e sigurtë është që ligji romak nuk pranonte martesa me të huaj, pra për Romën Kleopatra ishte vetëm një konkubinë), çfarë ndodhi me saktësi në betejën e Asios, ajo që shenjoi fatin e mbretëreshës, përveç se atë të Mark Antonit. Në fund, nuk dimë me siguri se si vdiq: një mënyrë kaq e dhimbshme dhe pak efikase si shtrëngimi i gjarprit duket të jetë një sajesë, edhe sepse Kleopatra kishte në dispozicion helme më të sigurtë, që nuk do të rrezikonte të dështonin. Pra, veprat sublime të artit që kanë për protagoniste Kleopatrën janë bazuar gjerësisht në fantazinë apo krijimin, dhe shumë pak në kronikën e kohës.
Një mbretëreshë në histori
Megjithatë, ekzistojnë disa të dhëna të sigurta që mundësojnë inkuadrimin e figurës historike të Kleopatrës. Lindi në vitin 69 p.e.s. e dyta e tre bijave dhe motra e madhe e dy vëllezërve të tjerë, me secilin prej të cilëve do të lidhej për një periudhë të shkurtër kohe në martesë. Nuk ishte egjiptiane, por i përkiste aristokracisë së familjes greko-maqedonase të Ptolemejve, që e kish origjinën që tek Aleksandri i Madh dhe që mbante titullin e faraonit prej dhjetë brezash. Mes Ptolemejve, vrasjet dhe martesat brenda gjakut ishin në rend të ditës (një zakon ky shumë në modë, në atë kohë, edhe në dinasti të tjera), dhe Kleopatra u përfshi edhe ajo në këto drama. Bota aleksandrine, ndryshe nga ajo romake, besonte shumë në aftësitë e grave, kështu që nuk duhet të habitemi që Auleti, babai i Kleopatrës i kish dhënë një arsimim shumë të mirë, duke i vënë në shërbim eruditët më të mirë dhe studiuesit më të zotë të kohës, të cilët vërdalliseshin në bibliotekën madhështore dhe muzeut të Aleksandrisë. Kleopatra u mësua dhe u përgatit për të qeverisur dhe fliste rrjedhshëm disa gjuhë, gjë që i mundësonte që t’u drejtohej pa ndërmjetës përfaqësuesve me peshë të shteteve të Mesdheut, përveç se shtetasve të saj, të origjinave të ndryshme. Duket se manierat e mbretëreshës shkaktonin një magjepsje të pashoqe, dhe nëse lajmi për bukurinë e saj lindi më vonë, që në krye të herës burimet transmetojnë imazhin e një mbretëreshe që joshte me hijeshinë e fjalëve, zërin e butë dhe aftësinë retorike, me aftësinë për të argëtuar dhe kënaqur mysafirët, për të organizuar festa dhe mesha me efekte mbinatyrorë që linin gjithmonë pa mend të pranishmit.
Në mënyrë të veçantë, sipas Plutarkut, tingëllon e paharrueshme mbërritja e saj në Tarso për të takuar Mark Antonin: “Ishte shtrirë në një tendë të larë me flori, e zbukuruar si Afërditat që i shohim vetëm në piktura, dhe një trupë skllevërish, që ngjanin me perëndinë Amor të lyer, ishin rreshtuar në të dy krahët dhe i bënin fresk. Në po të njëjtën mënyrë edhe vajzat shoqëruese të saj, të veshur si Narcisi dhe Hijeshia, i qëndronin rrotull. Parfume të mrekullueshëm shpërndaheshin në brigje gjatë kalimit të anijes”. Zërat për mbërritjen e saj u përhapën me shpejtësi, ndërkohë që dërgonte për t’i thënë Mark Antonit se “Venusi kishte ardhur me një shkëlqim të rrallë, për t’u bashkuar me Dionisin, për të mirën e Azisë”.
Në të vërtetë, mbretërimi i Kleopatrës u dallua pikërisht për administrimin shumë të mirë, aq sa, ndryshe nga sa kishte ndodhur më parë, nuk pati protesta të mëdha as në Egjiptin e poshtëm. Mbretëresha solli prosperitet në Egjipt, zhvlerësonte dhe hidhte monedha të reja në momentin e duhur, iu përkushtua administrimit të mbretërisë dhe, në kohë të zive të bukës boshatiste hambarët mbretërorë për të ushqyer shtetasit e saj.
Ishte në përgjithësi një sovrane shumë e dashur, që dallohej mbi të gjitha për mprehtësinë dhe zotësinë politike edhe në aneksimin e territoreve të rinj falë një politike të jashtme të realizuar kundrejt Romës: askush në botën e Mesdheut nuk barazohej me të për nga pasuria. Nën mbretërimin e saj kufijtë e Egjiptit u shtynë sërish duke u barazuar me ata që e kishin bërë të madh këtë vend shekuj më herët. Atëherë, përse na është përcjellë jo imazhi i një sovraneje të vëmendshme dhe të aftë, por ai i një libertineje lakmitare? Arsyet nuk mungojnë, dhe ndoshta duhet të lexojmë në këtë dritë rrëfimet që janë përcjellë prej romakëve dhe që janë filtruar prej propagandës perandorake. Mbi të gjitha, në kohën e Kleopatrës Roma shihte me dyshim Lindjen, duke asociuar ato toka ekzotike me rreziqet e butësisë, luksit të shfrenuar, perversionit, pretendimeve mbretërore dhe hyjnore. Nuk duhet harruar që Ptolemejtë ishin greko-maqedonas, përveç se zotër të Egjiptit dhe Republika, që ende nuk ishte bërë një perandori, i frikësohej të paktën në publikë rafinimit dhe zakoneve orientale. Nuk dihet me saktësi nëse Kleopatra është dashuruar vërtetë me Jul Cezarin apo me Mark Antonin, por e sigurtë është që i bëri të realizonin atë që donte ajo. Nga këndvështrimi i romakëve, një gjë e tillë mund të shpjegohej vetëm me mashtrimin, joshjen me hile dhe magjinë; njerëz kaq trima duhej të ishin ndrydhur vetëm përmes magjisë dhe mashtrimit. Oktaviani, pasi u mposhtën Antoni dhe Kleopatra, për të bërë të rritet edhe më shumë lavdia e tij nuk hezitoi që t’i atribuonte mbretëreshës egjiptiane imazhin e një gruaje lakmitare, të pabesë, gjakatare, të etur për pushtet dhe për të shtënë në duar Romën (një ide me shumë gjasa e pabazë, por që u përhap nga Augusti i ardhshëm për t’i kundërvënë romakët).
Frika se mos i hiqte fronin e Egjiptit e shtyu Oktavianin që të ekzekutonte Cezarionin, biri i Kleopatrës dhe Jul Cezarit, ndërkohë që bijtë egjiptianë të Mark Antonit, më pak të rrezikshëm, patën fat më të mirë. Gjatë kohës së gjatë që qëndroi në pushtet, Oktavian Augusti pati të gjithë kohën për të vazhduar propagandën e nisur gjatë duelit me Mark Antonin: shkatërroi statujat e Kleopatrës dhe rishkroi lajmet e shkruar për sovranen e dinastisë Ptolemaike. Deri kur Asio, ku Antoni dhe Oktaviani qëndruan të ngecur për muaj e muaj të tërë u shfaq si beteja e të gjithë betejave dhe një sukses shumë i madh për Oktavianin, dhe Kleopatra duhej të shfaqej një mbretëreshë e marrë dhe keqdashëse që synonte shkatërrimin e Romës…
Pavarësisht gjithçkaje, dymijë vite informacione të këqinj dhe shpikje artistike nuk mund të fshehin aftësitë e mëdha strategjike dhe menaxhuese të Kleopatrës. Një grua që padyshim ishte e madhe: zonjë e vetvetes, e mprehtë, energjike, shumë e pasur, ambicioze, e pathyeshme deri në fund. Në fund arriti t’i shpëtojë mbikëqyrjes së Oktavianit dhe të vendosë vetë për vdekjen e saj, duke shmangur marshimin e lidhur me zinxhirë nëpër rrugët e Romës, siç i kish ndodhur vite më herët motrës së saj. Pushteti i kësaj gruaje është asociuar gjithmonë me një joshje të shfrenuar, më shumë se sa me aftësitë e saj politike: një grua e fuqishme dhe një grua që shkakton frikë.