Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

Letra e Mustafa Krujës dërguar At Paulinit që mban datën 25.5.1950, mund të konsiderohet historike, sa u takon fakteve të panjohura që lidhen me një nga marrëveshjet që Fan Noli bëri me Bashkimin Sovjetik për rrëzimin e Mbretit Zog. U kritikua fakti që Noli nuk shfrytëzoi rastin e hapjes së dyerve Musolinit, por nga ana tjetër letra tregon situatën ku u ndodh Shqipëria në vitet ‘30, kur po përgatitej dhe kishte kulmin përhapja e komuniste, duke zbritur për nga perëndimi. Një nga letrat më historike të Mustafa Krujës shkruar fratit pukjan, Pater Paulin Margjokaj. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vënde e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

Bolzano

Ramleh (Alexandrie), 25. V. 1950

Mirë se Të gjêj, i dashuni Atë! Po vij me i u përgjegjun letrës s’ Ate me 14 të k. m.

Pra: Kisha e Kryêngjëllit; (un i a hjek diftongut e-n, para zânores qi e ndjek, për t’ i a përshtatun mâ mirë fonetikës, ndërsa i bie grusht ksaj së fundit në djalektin t’onë te grupi ngj, qi tue kalue nëpër nj bâhet j). Kështu e pata përkthye edhe vetë e gzohem qi m’a vërtetove edhe Ti. Gjithashtu po gzohem qi po mund t’u thânka kish’ e Shën Mrís Virgjën ase e Shën Mrís Nânë (as?) për kish’ e Nânës së Tënzot. Këtu sidomos kam qênë pak si ngusht nga nji pikpamje oportuniteti. Më duhej në nji përkthim jo fetar, por historik, pra për t’u këndue edhe prej myslimanve, të cilët besojnë në virgjënín e Zonjës së Bekueme, por jo në hyjnín e Jezu Krishtit.

N’e paça marrë vesht mirë tfillimin t’Ând u dashka thânë kish’ e Nuncjatës, apo jo?

Çlirimi Nacjonal ase partija nacjonal-çlirimtare ka dalë për fushë, ndër ne Shqiptarët e arratisun përjashta në 1924 (natën e Kërshëndellavet), si vijon:

Do me vapor e do me barkë e me Fan S. Nolin e qeverín e tij në krye të gjithë na, kundërshtarët e atëhershëm t’Ahmet Zogut u zhbarkuem e u shpërdamë në 25-27 dhetuer në Brindisi e Bari. Ishim nji ushtrí intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në tê se, si grup – se partí s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fé mundsije me e çue kryet mâ përpjetë. Pandërgjegjsija (incoscienza) e pazotsija politike kolektive përmbrênda e përjashta e mizerja morale e opozitës antizogiste kurrë s’pat qênë shfaqun aqë sheshit e aqë tragjikisht sa ndër ata gjashtë muej të provës së vet qeveritare nën kryesín e Fan Nolit (qershuer-dhetuer 1924). Ky regjim qe nji kshtjell kartet nga mâ e dobta. Nji erë e lehtë, nji frymë vetëm, mjaftoi me e shêmbun. Kur erdh në fuqí i a hapi Mussolini dyert e i a shtroi udhën vetë për nji marrveshtje me kushte mâ të mira se ato qi pat pranue mâ vonë Zogu. Qeverij’e Fan Nolit nuk desht e nuk dijti me përfitue. Të kishte dashun e dijtun, së jashtmi do t’a kishte sigurue veten qind për qind. Por Fan Noli desh me u marrë vesht me Rusín sovjetike, kjo çeli në Tiranë nji legatë me nji personel 40 vetësh! Tirana ishte kushtue me u bâmë qêndra e veprimtarís komuniste në Balkan. Prandej nëse Zogu materjalisht pat vetëm përkrahjen jugoslave, politikisht e moralisht kishte gjithë Okcidentin për vete, me Anglín në krye.

Por makar, si u mujtëm, si u shkatrruem e thyem qafën në mërgim a i kuptuem, a i pamë, a i njohëm nemose gabimet e fajet t’ona qi na çuen n’atë hall? Asnji grimë! Të tâna ato mizerje morale, të tânë nj’atë pandërgjegjsí politike kolektive – qi po na përsiell edhe sod e ka me na përsiellë deri në vorr – i kishim marrë me vete e s’i lëshojshim, s’dojshim me i lëshue për së gjalli! E me gjithë këtê dojshim ende me besue, madje besojshim ngultas se mbrênda gjashtë muejve – mbasi kaqë kishte ngjatun regjim’ i ynë – Zogun do t’a hidhshim përsri… E si?

Të tâna Pushtetet kapitaliste qi kishin interesa direkte a indirekte në Shqipní i kishim shtŷmë me duert t’ona kah Zogu. E pa ndihmën e ndonjânit prej këtyne – këtê po – e kuptojshim të gjithë se s’mund të bâhej gjâ. U bânë disa prova në Romë aty në fillim edhe mâ vonë. Natyrisht kot. Vetëm nji shteg ishte çelë: ai i Sovjetvet. Fan Noli, qysh para se me u bâmë edhe ato prova qi thashë, i u përvesh, mbas pak ditve qi ishim n’ Italí, shi atij shtegu. Nji ditë prej ditsh, me sa mbaj mênd mbas nja dý javësh, pra aty kah gjymsa e kallnorit, merr me vete edhe Luigj Gurakuqin e çán për Milan. Duket se aso kohe atje do t’a kishte Moska nji agjencí për Balkan ase ndoshta, në marrveshtje korrespondence me ambashatën e Romës, atje mund t’ ishte caktue oroku. Se un nuk bâjshem pjesë në rrethin e ngushtë të Fan Nolit e prandej s’kishem as gisht e dije në hollsít e sekreteve të tija. Mikun intim t’emin, qi ishte Luigj Gurakuqi, nuk dojshem me e pyetun për gjâna qi s’i përkitshin kryesisht atij, por pritshem veç ç’ka të më diftonte vetë. Mâ vonë Fan Noli e Kostantin Boshnjaku shkuen në Vjenë. Këtu Sovjetët kishin mâ të madhen qêndër verprimtarije për restin e Evropës ku mund të veprojshin. Nuk dij a patën ndonji marrveshtje me Gurakuqin qyshse u nisën. Ky veç shfaqte nji gjêndje shpirtnore krejt të ndrydhun, ishte i ligshtuem, gati i deshpruem. Nji ditë pat thânë se nuk shihte kurrfarë gjase për vazhdim të luftës, se do të hiqte dorë prej politike e do të tërhiqej në kuvênd të Grotta-Ferrata-s. I shkreti Luigj! Ai e kishte parapamë me kohë se ç’bukurí regjimi do të dilte prej lëvizjes së qershorit 1924 qi muer shkas nga vras’ e Avni Rustemit dhe për këtë shkak pat qênë rrekun mjaft në Vlonë për t’a ndalue atë lëvizje. Pjestar në tê edhe në konsekvencat e saja e bâni vetëm vullnet’i pafuqishëm i tij me ecun kundra rrymës.

Luigj Gurakuqi, Shuk Gurakuqi, Angjelin Suma, Xhemal Bushati, Hasan Prishtina, Dervish Mitrovica, Ahmet Dakli e un formuem në Bari nji komitet. Shkodranë, Kosovarë e Shqipní e mesme, të gjithë gegë. Klik’e Eshref Frashërit me shokë qyshë në vjetën 1919 kishte marrë nji rrymë antigege aqë djabolike, sa me mërrîmë me kohë me hapun gati nji humnerë ndërmjet personaliteteve të Veriut e të Jugës. Krenët e kishtarís katholike, Imzot Mjeda, P. Gjergj Fishta, P. Ambroz Marlaskaj etj rrijshin në Romë e në kontakt me né.

Me 2 mars 1925 Luigj Gurakuqi u vra. Pak dit mâ vonë Noli e Boshnjaku na thirrshin në Vjenë edhe disa nesh me emna për nji marrveshtje me Bashkimin Sovjetik mbi baza demokratike kombtare, qi ata kishin përgatitun. U mblodh Komitet’ i ynë në Bari dhe vëndosi për po. Kaluem kah Roma, u muerëm vesht edhe me kishtarët t’anë, të cilët bânë përfaqësues të tyne Shuk Gurakuqin e i dhanë 40 dollarë për shpenzime rruget, edhe vojtëm në Vjenë. Marrveshtja me Sovjetët, e fillueme virtualisht qyshë me qeverín e Fan Nolit, e forcueme n’Italí me kontaktin qi patën pasun me ta Noli e Luigj Gurakuqi, qe e lehtë me u krye konkretisht me këto baza : Rusët do të na ndihmojshin me pare, armë e municjon për me rrëzue Zogun e me ngrehun nji qeverí demokratike kombtare. Na vetë do t’a përgatitshim e t’a organizojshim revolucjonin e, kur t’ishim gati, s’kishim veçse me u lypun atyne ça na duhej. Ky, akordi i pranuem prej të dý palvet. Por qe se lâmshi nisi me u ngatrrue qyshë në fillim! Duhej me u kapun organizimi prej formimit të nji komiteti qëndruer. E këtu Fan Noli e Boshnjaku, me ta edhe Lazar Fundo, komunist qind për qind pa pasë qênë kurr nacjonalist si Noli e Boshnjaku, na duelën me veto kundra pjesmarrjes së dy beglervet (Bushati e Prishtina) në komitet. Përfaqësues të klerit katholik po, beglerë jo. Edhe s’u tundën prej këtij parimi. Na tjerët, Qazim Koculi, Shuk Gurakuqi e un, tek qi marrveshtja në vetveti ishte bâmë e pëlqyem, s’e pamë t’ arsyeshme me e prishun për hatër të beglervet. U formue komiteti prej ne të gjashtve edhe nji tjetri qi tash s’po i a mbaj mênd emnin: ka qênë nji Borshjot, ish avokat i komandës ushtarake, a mâ drejt i Intendancës disi.

Prishtina e Bushati u kthyen fluturim në Romë te Mjeda me shokë. U a kishin bâ punën këtyne pus. Mbasi vûmë, si antarë komitetit, themelat e nji farë organizate, së bashku me shokë tjerë, u kthyem në Romë edhe Shuku e un. Klerin, qi sigurisht kontaktin e marrveshtjen me Sovjetët s’ka mujtun me e marrë asnji herë me enthuzjazëm, e gjetëm uthull mbas fjalvet qi kishin ndie prej dy beglervet. Kishin dá me i u shmângun asaj pune. Deshën me bâ edhe nji paburrní. Thanë se Shuk Gurakuqin s’e kishin pasë çue ata, por kishte shkue në Vjenë me inicjativën e vet, mandej jo, po s’i kemi thânë kështu, por nj’ashtu et. et. Derisa P. Ambrozi va preu drút shkurt shokve të vet tue thânë: “Mosni, bre burra, kështu, se s’â aspak burrní me lânë shoqin në baltë! P’as mâ hijshëm me i rá fjalës drejtpërdrejt e me thânë se qe besa gabuem qi muerëm at’udhë e tash po duem me kthye dalë?”. Mbas këtij fakti edhe Shuk Gurakuqi, burrë me kuptimin mâ të plotin e mâ të thellin të fjalës, u tërhoq prej komitetit.

Vazhdoi kjo punë dý vjet. Organizat’e jonë qe quejtun Komiteti Nacjonalist Revolucjonar (Konare). Qe nji tentativë mizerabël për sa i përket qëllimit të nji bashkimi të përgjithshëm në nji organizatë të vetme. Jugorët u afruen kah Beligradi e formuen nji komitet tjetër të titulluem Bashkimi Kombtar me qêndër në Paris. Tërhoqën me vete edhe Shkodrën në personat e Xhemal Beg Bushtatit e Angjelin Sumës, ky i fundit me atë cilsí qi do të kishte pasun Shuk Gurakuqi në Konaret. Prishja e Zogut me Beligradin i ndihmoi politikës së tyne.

Mbas dý vjetsh politik’ e Moskës me përkrahun demokratít nacjonaliste ase mâ mirë me thânë popullore, atje ke s’ecte komunizma, ndërroi. Përfaqsues’i saj në Vjenë na mblodh ne Konaren e na deklaroi substancjalisht: “Provija e gjatë e jona edhe këto dý vjet veprimtarí e jueja na tregojnë qartas se asnji popull i vogël i rrethuem prej kombesh imperjaliste shfrytzuese nuk mundet me bâmë gjâ vetëm kundra vullnetit të tyne. Prandej ju duhet të merreni vesht me popujt tjerë të ndrydhun të Balkanit për nji bashkpunim të ngushtë me ta drejt nji qëllimi të njâjtë e të vetëm: me shlirue njâjze krejt atë sinisí edhe Kosovën t’uej për veti. Sod e mbrapa na vetëm në këtë rrugë mund të ju ndihim me tanë fuqín t’onë”. Programa e re ishte e qartë për kê donte me kuptue. Qazim Koculi e un me të gjith shokët qi kishim përjashta komitetit u thamë lâmtumirë Konares, Sovjetvet e shokvet qi mbetën me këta. Ishte prendvera e 1927-s. Konarja pat themelue në Genéve nji fletore të titullueme Lirja Kombtare nën drejtimin e Kolë Tromarës me bashkëpunimin e Fuad Asllanit, mâ vonë të Omer Nishanit me bashkëpunimin e Koço Kottes. Shkrimet e saja patën qênë deri në prill të 27-s me frymë thjesht kombtare. Në këtë muej figurojnë në tê dy artikuj të gjatë të mij, të fundit. Ata qi u mbetën besnikë Sovjetvet edhe me programën e re formuen mbandej, si trashigimtar të Konares, komitetin shqiptar nacjonal-çlirimtar. E vazhduen gazetën me titullin e përparshëm tue i shtue nën tê: Organ i komitetit nacjonal-çlirimtar.

Qe historia e Nacjonal-Çlirimtarve t’anë! Interesante nga shumë pikpamje, as?

Historín e mbylljes së shkollave katholike (kështu besoj âsht drejtë me thânë e jo fetare, mbasi shkollat fetare, seminari b.f., s’kanë qênë mbyllun), un s’mund t’a dij aq sa fjal’ e ime me vjeftun për historí, e Tý s’kam me të shkrue për historí kurrgjâ tjetër veçse ça kishem me nënshkrue vetë për t’atilë. Do t’a dijsh qi asohere ishte ministër arsimi Mirash Ivanaj (gjêje vetë se cili prej të treve, mbasi un tash po e shoh se më qênkan bâmë trûtë dhallë), mason e redaktor i Republikës së Shkodrës. Më duket edhe se ai gjest ka qênë influencue deri diku edhe prej nji faze kritike të relacjoneve italo-shqiptare. Pra ka dashtun të jetë ndoshta edhe si nji dispjekt Italís. Nuk duhet as me harrue se masa më duket pat qênë globale për të gjitha shkollat e hueja e nuk dij si kanë mujtun me e errtue inteligjencën e Zogut n’atë rasë për me shtimë në këtë kategorí shkollat e klerit katholik, qi qyshse kanë qênë themelue, s’kanë bâmë tjetër veçse me mbjellë farë patrijotizme shqiptare. Sigurisht as klika (ajo e Eshrefit me shokë, për të cilën fola mâ nalt e qi aso kohe ishte bâmë e famshme në Shqipní, e përmêndun kështu si nji emën veçuer) s’ka lânë gjâ mangut me e frymzue n’atë drejtim, me gjithë qi në ‘24 qe shkatrrue, por frymë e zezë e saj, Eshrefi, kishte mbetun në Shqipní me Zogun.

Rreth martesës së përzieme ndërmjet nji grueje katholike e nji burri mysliman i dij mirfilli edhe un sa më shkruejshe, mbasi kam djalin edhe nji vlla të martuem ashtu. Për faktin e veçantë në lidhje me këtê, pra, aqë sa të pata shkrue duhet t’a quejsh nji çels dhânë në dorë të nji kompetenti si Ti e mos të më pyesish mâ gjatë pa nevojë mbasi çelsin tash e ke vetë në dorë.

Gjithashtu nuk besoj të kenë nji rândësí historike precedentat e martesës së Mbretit t’onë, aqë mâ fort qi un historikisht nuk i dij sa duhet. Aty-këtu un shkrimet e mija rreth nji theme mund t’i pajos me disa hollsina qi më duket se i apin shije thelbit, edhe kur në vetvete s’kanë nji rândsí të veçantë.

Si duel Avni Rustemi prej gjyqit i pandeshkuem tue pasë vramë dekun njerin në medis të Parisit? Krimet në Francë gjykohen me porotë (po përdor këtë fjalë slave qi ka hŷmë në të drejtën t’onë zakonore e qi ka kuptimin e juriut, ndonse në nji formë shumë mâ të thjeshtë), porota përbâhet prej lasve popullorë e jo gjyqtarve të karrjerës, këta ndërhŷjnë vetëm për me rregullue procedurën e me gjetun e zbatue artikujt relativë të kodit penal në qoftë se porota e ka lânë gjaksin mbrênda, tue e shpallë fajtuer për krimin qi ka bâmë. Po qe se porota e quen të ligjuem (giustificato) krimin e bâmë, ai âsht shfajtim e gjyqtarvet s’u jet tjetër me bâmë veçse me i thânë gjaksit udh’ e mbarë. Tash merr para sŷsh frymën e revolucjonit frêng me të cilin çdo Frêng krenohet (deshta me thânë Frêngjt përgjithsisht krenohen e jo çdo Frêng, e drejta), mêndo qi projën e Avni Rustemit e kishte marrë përsipër princ’ i forit të Parisit n’atë kohë Moro Giaferri edhe ndërpretoje vetë shfajtimin e Avniut.

Përmbi salvimet e klerit mysliman (sunnit e bektashit) prej regjimit komunist shqiptar kam me u interesue për me pyetë kê din mâ shumë se un kur të kemë rasë. Sa për salvimet e atij regjimi përgjithsisht kundra myslimanve të Shqipnís, qi don me thânë salvimet kundra mâ se dý të tretave të popullit shqiptar, tash ka me dashtun Zoti ndoshta me kthye nji ditë të tânë na në Shqipní e atbotë po vêhemi me hartue statistikat për me ndriçue rinín t’onë e historín. Për tash po të diftoj vetëm qi t’ime shoqe e t’ime re me gjithë foshnje i paskan internue ka disa muej në Tepelenë.

Mënyra e të thânit e ka në thue ( e ka ves ase zakon) âsht krutane. Tash vonë kam këndue në nji vjershë të keqe, me gjith qi m’u duk se ishte e Ernest Koliqit, në nji numër të Shqipnís së Lirë, … “Gru, buken mâ të mir’ qi ke na shtroni”! – Gruja k’qyre’ burrin b’zan e n’kamb’ po çohet”. Pra “bzân” përdor i bir’ i botës për me thânë “hesht”, nuk bzân, s’bân zâ”! E pra më duket madje se i a kam pasë qortue nji herë poetit t’onë këtë gabim gjuhe qi i thotë së bardhës e zezë. Ça me bâmë?

U gzova fort për rregullimin e plotë të pasaportës s’Ate. Kur e ké mênden me e përdorë? Në lidhje me kët’udhtim Të kam pasë bâmë edhe nji pyetje e po T’a përmênd prap vetëm tue kujtue se ke harrue me m’u përgjegjun, se ndryshe s’Ta kishem përsritun.

Tash më duket se s’më ka mbetun kurrgjâ mâ me T’u përgjegjun e, dorë për dorë, as me Të pyetun. Pra auf Wiederschreiben!

I Yti

M.Kruja /voal.ch /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here