Për herë të parë shfaqen për publikun, disa fotografi të rralla nga marshimi i ushtrisë serbe në territorin shqiptar, gjatë periudhës së luftës së Parë Botërore 1914 – 1918, kur trojet shqiptare u kthyen në arenë luftimesh ndërmjet dy blloqeve kryesore të përfshira në këtë konflikt. Në njërën anë ishin trupat franceze, serbe, greke dhe italiane (të Antantës) dhe në anën tjetër, forcat austro-hungareze dhe ato bullgare (të Bllokut Qendror).

Marshimi i këtyre armatave dhe veçanërisht i asaj serbe (ashtu siç shihet dhe në këto foto), u shoqërua me masakra, djegie, plaçkitje dhe shkatërrime ndaj popullsisë së pafajshme civile shqiptare, sidomos pjesës së përqëndruar në viset veriore dhe verilindore të vendit. Në marshimin e armatave serbo-malazeze në Shqipëri, në krye të tyre ishte dhe mbreti i Serbisë, Krajli Petar Karagjeorgjevic, së bashku me trashëgimtarin e tij, Aleksandrin.

Ata u detyruan të largoheshin nga atdheu i tyre, Serbia, për t’i shpëtuar rrethimit të forcave austro-hungareze, për të marshuar në kushte dhe terrene tepër të vështira, prej dimrit të egër të atij viti, me ngrica të acarta me temperatura disa gradë nën zero. Këto trupa do të rigrumbulloheshin në Selanik, pas një evakuimit të atyre nga anijet franceze dhe italiane, që kishin zbarkuar në ishullin e Korfuzit.

Me mijëra serbë, do të humbnin jetën nga ky marshim i gjatë mespërmes gadishullit të Ballkanit, shumë prej të cilëve do të vdisnin nga uria, sëmundjet, si dhe nga të ftohtit ekstrem.

Këto trupa, do të ishin pjesëmarrëse në shumë histori tragjike të masakrave që ato kryen, mbi krahina të tëra të banuara nga shqiptarët autoktonë (duke përfshirë këtu dhe Kosovën).

Shumë prej këtyre masakrave u denoncuan në shtypin e kohës, nga korrespondenti rus për Ballkanin, Leon Trocki (një nga liderët e ardhshëm komunistë të Revolucionit të Tetorit) dhe Dimitrije Tuçoviç, një ushtarak i njohur serb, i cili, do të guxonte të publikonte episode të fushatës shfarosëse ndaj shqiptarëve.

Fotot në fjalë që publikohen për herë të parë, nga Memorie.al, janë marrë nga katalogu “Albumet e luftës, 1914-1918”, të autores serbe, Andra Popoviç.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here