MUND TË JETË VEPRA MË E VJETËR ARTISTIKE
Gjersa një mani për vepra të artit figurativ bashkëkohor sa vjen e rritet në botën e sotme, arkeologët kanë zbuluar atë që mund të jetë vepra më e vjetër artistike.
Në një studim të publikuar në “Science Advances”, një ekip ekspertësh ka konstatuar se murali që paraqet një derr, zbuluar në shpellën në ishullin indonezian Sulawesi, është së paku 45 mijë vjet i vjetër, duke u bërë kështu vepra më e vjetër artistike që është gjetur deri më tash.
Edhe pse piktura, e cila paraqet një derr dhe dy forma që u ngjajnë duarve konsiderohet me vlerë për shkak të vjetërsisë së saj, mendohet se ka edhe të tjera si kjo.
“Nuk ka arsye për të supozuar, sidoqoftë, se kjo vepër e hershme në gur, është një shembull unik në Azinë Juglindore ose në rajonin me të gjerë”, kanë potencuar hulumtuesit në prezantimin e tyre.
Imazhi i derrit i zbuluar së fundi ka potencial për të vënë në pah shumë çështje të brendshme për historianët dhe arkeologët. Është më shumë se 25 mijë vjet më e vjetër sesa imazhet e kafshëve të ndryshme në shpella në Lascaux të Francës, që mendohet se datojnë para 20 mijë vjetëve dhe radhiten në mesin e pikturave më ikonike të shpellave në botë. Piktura e derrit është po ashtu rreth 1 mijë e 500 vjet më e vjetër krahasuar me një pikturë të ngjashme në Sulawesi, që ishte zbuluar më 2019.
Adam Brumm, arkeolog në universitetin “Australia Griffith”, që ka punuar në këtë studim, ka thënë për “New York Times” se “bazuar në sofistikimin e këtij prezantimi të hershëm të kësaj vepre arti”, derri mendohet se është realizuar nga një person modern. Sidoqoftë, identiteti i piktorit mbetet i panjohur.
Brumm i ka thënë “Times” që vepra e artit në shpellën në Indonezi është duke u përkeqësuar me të shpejtë.
“Kjo është shumë shqetësuese”, ka thënë ai. Sipas tij, duke marrë parasysh situatën aktuale, rezultati final ka të ngjarë që të jetë shkatërrimi eventual i kësaj vepre indoneziane të epokës së akullit, ndoshta edhe gjatë jetës sonë”. /artnews/ KultPlus.com