Ura e parë e rrënuar, që gjendej afër Xhamisë së Pashës, është ndërtuar nga Abdurrahman Pasha në vitin 1821, ndërsa është prishur nga regjimi i Mbretërisë jugosllave në vitin 1934, kur në afërsi të saj është ndërtuar një urë e re, me parametra bashkëkohore të pamjes arkitekturale. Kjo urë e vjetër e gurit mbi lumin Shkumbin, për dallim nga ajo e reja që ndërron pozicion, ka qenë disa metra mbi Hamamin e vjetër të qytetit, duke lidhur të dy anët përpara Xhamisë së Pashës

Nga Ismail ARSLLANI

Ata që kanë shkatërruar pamje dhe objekte të vjetra arkitekturore të vendbanimeve gjithandej gjatë historisë, që janë trashëgimi e civilizimeve, me vlera kulturore e historike, janë konsideruar  si barbarë. Tetova si qytet, me një pozitë jashtëzakonisht të përshtatshme gjeografike, rrëzë malit Sharr, me lumin Shkumbin që ndanë qytetin më dysh, ka trashëguar nga pushteti osman, pos disa objekteve, si Kalaja, Hamami, Teqeja, Xhamia e Larme (e Pashës), konakët e pashallarëve etj., edhe 4 ura të gurit përgjatë rrjedhës së lumit, prej lagjes së Çarshisë së Epërme e deri te ajo afër Spitalit të qytetit, prej të cilave, brenda një shekulli jo të plotë, u rrënuan 3 sosh nga pushteti (një, në vitin 1934 dhe, dy të tjera në vitin 1979) dhe asnjëra prej tyre nuk u rindërtua sipas pamjes së vjetër. Nëse kësaj ndodhie shtojmë edhe sheshin e vjetër të qytetit, me një rrethrrotullim, parkun me lulishte, shatërvanin dhe çezmën monumentale në mjedis, me shumë dyqane përreth, prej nga në pjesën lindore ngrihej një xhami e bukur që spikatej me arkitekturë osmane, por që u rrënuan në vitet e ’50-’60-ta, atëherë nuk është larg konstatimi që ky qytet dhe drejtuesit e tij nuk kanë tentuar që ta ruajnë pamjen e dikurshme, që nga prizmi i tashëm mund të dukej shumë atraktiv për vizitorë të ndryshëm dhe turistë ditorë, si vlera civilizuese të një qyteti me histori të begatë.

Ura te Spitali, e vetmja që ka mbetur në këmbë

DYSHIMET E TETOVARËVE PËR PRISHJEN E URAVE

Këto katër ura të gurit kanë qenë të një rëndësie të veçantë për frekuentimin e njerëzve nga një pjesë e qytetit në tjetrën. Për nga funksionaliteti dhe arkitektura ndërtimore, kanë qenë me elemente tipike orientale.

Ura e parë e rrënuar, që gjendej afër Xhamisë së Pashës, është ndërtuar nga Abdurrahman Pasha në vitin 1821, ndërsa është prishur nga regjimi i Mbretërisë jugosllave në vitin 1934, kur në afërsi të saj është ndërtuar një urë e re, me parametra bashkëkohore të pamjes arkitekturale. Kjo urë e vjetër e gurit mbi lumin Shkumbin, për dallim nga ajo e reja që ndërron pozicion, ka qenë disa metra mbi Hamamin e vjetër të qytetit, duke lidhur të dy anët përpara Xhamisë së Pashës.

Në një gjendje të këtillë të jashtëzakonshme të fatkeqësisë elementare, autoritetet e atëhershme komunale dhe të mbrojtjes civile, morën vendim që të rrënohet Ura e Gurit te Çarshia e Epërme, me qëllim që të zbuteshin pasojat e vërshimeve. Por prishja e saj nuk i kishte dhënë rezultatet e duhura, sepse materialet shkatërruese që zbritnin me shpejtësi të madhe nga gryka e lumit, kërcënuan urën e dytë me radhë të Shkumbinit, që gjendej pranë ish-Shkollës së Mesme të Mjekësisë.

Por ndodhi çudia: ura qëndroi deri në qetësimin e ujërave dhe qytetarët u gëzuan që shpëtoi kjo urë. Ditët në vijim, megjithatë, ishin dëshpëruese për tetovarët. Disa ditë pas qetësimit të vërshimeve, me përmbytje të mëdha, që nuk mbahej mend që të kishin ndodhur ndonjëherë në këtë qytet, autoritetet e Mbrojtjes Territoriale dhe asaj Civile vendosën që edhe kjo urë të prishet(!) Prishja e saj, pas qetësimit të ujërave në shtratin e lumit, kishte shtruar shumë dilema në mesin e qytetarëve. Ato ditë, ekspertë ushtarakë shpuan në disa pika të harkut të urës, për të vendosur mjete shpërthyese për shembjen e saj, përderisa qytetarët nga distanca shikonin të habitur e të mllefosur ngjarjen e rrallë, duke përjetuar shembjen si një humbje të pakthyeshme të një objekti trashëgimor me vlerë të lartë kulturore, historike e arkitekturale, që ishte shpirti i qytetit.

Ura e Gurit te Spitali i Tetovës (që prej disa tetovarëve të vjetër, emërohet si Ura e Qelebekut, sipas emërtimit të asaj lagjeje, apo si Ura e Derallës, sipas shtëpisë së Mehmet Derallës që gjendej afër), për fat, u kishte bërë ballë vërshimeve të lumit të tërbuar dhe kishte mbetur pa u prishë. Kjo urë edhe sot po funksionon dhe shfrytëzohet për trafik urban. Ajo mbeti si relikt i vetëm i një kohe të perënduar osmane, si një kujtesë për pamjen e vjetër të këtij qyteti, që ka ruajtur karakteristikat e arkitekturës osmane.

Ura e Kazazëve që u shemb në vitin 1979

URAT OSMANE PËSUAN IMPROVIZIME

Pas qetësimit të ujërave të Shkumbinit dhe pastrimit të materialit zallor e të shkëmbinjve, autoritetet komunale ndërtuan dy ura të improvizuara nga hekuri në vendet ku ishin urat e rrënuara të gurit. Njëra, ishte ura e hekurt e Çarshisë së Epërme, me një gjerësi minimale sa për të frekuentuar edhe me makinë, e cila pastaj u riparua dhe u zgjerua dhe po funksionon edhe sot, ndërsa ajo që u ndërtua te ish-Shkolla e Mesme e Mjekësisë, ishte po ashtu e hekurt, por shume e ngushtë, vetëm për këmbësorë.

Në vitet 2005-2006, nga përfaqësues të bashkësisë vendore “Gamgam”, u ndërmorën disa iniciativa për rindërtimin e Urës së Gurit pranë ish-Shkollës së Mesme të Mjekësisë, sipas pamjes së parë. Mbikëqyrës i rindërtimit të këtij objekti pritej të ishte Qendra Nacionale për Trashëgiminë Kulturore në Shkup, ndërsa financimin e saj (sipas deklaratave të kohës) ishte zotuar ta marrë përsipër Komuna e Bajram-Pashës nga Stambolli dhe Ministria e Kulturës e Qeverisë së Turqisë. Ministri i atëhershëm turk i Kulturës, Atilla Koç, kishte konfirmuar vendimin për nisjen e riparimit të urës, pas një vizite që kishte bërë në Tetovë nga fundi i vitit 2005. Nuk dihet se ç’ndodhi në ndërkohë në relacionet e komunave Tetovë-Bajram Pasha të Stambollit, kështu që premtimi nuk u realizua dhe nuk u kumtuan arsyet.

Ky shestim i parealizuar pati refleksione negative për tetovarët dhe Tetovën, të cilët me vite gjithnjë më shumë po shuanin shpresat për rikonstruktim autentik. Ndodhi një ndërtim të urës në vitin 2018, por jo ashtu siç pritnin qytetarët, që ura të marrë pamjen e dikurshme. Brigjet e lumit u lidhën me një urë bashkëkohore për trafik dhe përfundimisht nuk u kthye e nuk do të kthehet më pamja e dikurshme arkitekturale e kësaj pjese të qytetit, që në një të ardhme do të mund të ishte një atraksion turistik, me rregullimin urbanistik të brezit të lumit, që pjesërisht tashmë edhe ka ndodhur dhe është tërheqës për vizitorë. (koha.mk)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here