Prof. Dr. Shahin Leka

Skënderbeu si një personalitet shumëplanësh, politikan dhe burrë shteti i madh, strateg dhe komandant ushtarak, udhëheqës popullor e diplomat, të gjitha aftësitë dhe energjitë e tij, i vuri në shërbim të detyrës  themelore të kohës, çlirimit dhe mbrojtjes së vendit nga fuqia më e madhe e kohës, Perandoria Osmane.

Si burrë shteti Skënderbeu e kuptoi më mirë se kushdo tjetër, se plotësimi i detyrës historike për mbrojtjen e lirisë e të pavarësisë së Atdheut nga pushtuesit osmanë mund të arrihej vetëm nëpërmjet bashkimit të të gjithë forcave të Shqipërisë.

Nevoja e bashkimit politik, ekonomik e ushtarak të vendit, i shpejtoi ritmet e procesit objektiv të përqendrimit shtetëror. Lidhja e Lezhës, e cila brenda pak vjetësh u shndërrua në një organizëm shtetëror të përqendruar nën udhëheqjen e Skënderbeut, krijoi kushtet e domosdoshme për të përballuar situatat e  vështira të luftës dhe u bë faktor i rëndësishëm i fitoreve kundër pushtuesve osmanë. Kjo i dha mundësi Skënderbeut të organizonte e të drejtonte veprimet luftarake të përmasave të mëdha gjatë një periudhë që arriti kohëzgjatjen e një çerek shekulli.

Aftësitë e shumanshme të Skënderbeut nxorën në dritë strategun më famë botërorë dhe i dhanë mundësi atij të zhvillojë më tej artin ushtarak që arriti në nivelin më të lartë të kohës. Dukë përpunuar artin ushtarak, Skënderbeu u mbështet në kushtet politike dhe social-ekonomike të Shqipërisë së asaj kohe,  i mbështetur në parime të shëndosha, arti ushtarak i Skënderbeut zgjidhi me sukses shumë detyra të ndërlikuara, si krijimi i Forcave të Armatosura, mobilizimi dhe përhapja e tyre për luftë, shfrytëzimi i terrenit dhe përgatitja fortifikuese e tij, organizimi dhe kryerja e zbulimit strategjik, caktimi i qëllimeve, formave e metodave për zhvillimin e fushatave e betejave, organizimi dhe kryerja e manovrës strategjike, krijimi i aleancave ushtarake etj..

Metoda të luftës të përdorura nga Skënderbeu

Të habitur nga këto arritje në historiografinë botërore, ndërmjet të tjerash është shtruar çështja e metodave të luftës së armatosur të përdorur nga Skënderbeu në krye të një ushtrie të vogël kundër ushtrisë më të madhe e më të fuqishme të kohës. Shumë studiues të huaj duke kërkuar shkakun e fitoreve mundohen ta gjejnë atë në karakterin malor të vendit dhe në kështjellat e forta, çka është një shpjegim i ligjshëm. Së pari, në Ballkan ka edhe vende të tjera me terren malor e të thyer por, pavarësisht qëndresës, nuk e përballuan dot furinë e sulmeve të ushtrisë osmanë. Ndërmjet dy elementëve më kryesorë të luftimit njeriut dhe terrenit, shkaku kryesor i fitores ishin njerëzit, shpirti i atdhedashurisë, heroizmit masiv dhe vendosmëria e tyre për të përballuar çdo sakrificë, ishte forca dhe trimëria e atyre njerëzve të cilët siç e pohojnë vetë armiqtë “si tigra kthetër fortë dhe luftarak luftonin edhe me retë që kalonin sipër tyre”.

Ku dhe pak historianë si e Voigt, Jorgu e ndonjë tjetër dhe se fundi historiani zviceran Shmid me një tendencë të theksuar për të ulur vlerat e Skënderbeut e të veprës së tij, që e vlerësojnë Skënderbeun si një strateg  vetëm të luftës guerile. si një komandant çetash të malësorëve. Sigurisht Skënderbeu ishte një komandant shumë i zoti i luftës guerile, por ai ishte njëherazi strateg dhe komandant po kaq i zoti i luftës së rregullt. Analiza e luftërave dhe betejave  të zhvilluara tregoi qartë se Skënderbeu, duke qenë një njohës i thellë i artit ushtarak, kombinoi me mjeshtëri luftën e rregullt me luftën guerrile.

Për t’u ndeshur më kundërshtarin jo vetëm më metodat e luftës partizane, por edhe me beteja në fushë të hapur. Skënderbeut i duhej së pari të ndëshkonte një ushtri të rregullt. Ushtria e Skënderbeut me mundësi mobilizimi prej 15-20 mijë luftëtarësh e aftë të përhapej me shpejtësi në fushën e luftës, përbëhej nga garda pretoriane, repartet e kufirit dhe forcat ndihmëse. Strategjia e Skënderbeut vlerësoi drejt sasinë dhe cilësinë e ushtrisë si në pikëpamje të cilësive morale, ashtu edhe të aftësive taktiko e profesionale. Për kompletimin e ushtrisë Skënderbeu vendosi parimin “burrë për shtëpi” dhe hartoi listat e rekrutimit. Ky sistem që ka tiparet e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ishte mjaft i përhapur për kohën. Ai jepte mundësi për realizimin me shpejtësi të mobilizimit të përgjithshëm të popullit në luftë. Skënderbeu krijoi kështu i pari në Evropë në periudhën e mesjetës ushtrinë e përhershme dy vjet para Karlit XII në Francë i cili, vetëm në vitin 1445 krijoi një lloj ushtrie të përhershme dhe këtë ushtri. Shmidi e vlerëson si një masë të vogël luftëtarësh fshatarë e blegtorë krejt ndryshe nga çka na dëshmon Fallnagjer së “në krahinën e stërgjyshërve në Mat u bë regjistrimi në listë i banorëve të aftë për të luftuar”.

Beteja të ushtrisë shqiptare të komanduara nga Skënderbeu

Kjo ushtri më tipare të plota të një ushtrie të rregullt hedh vetëm themelet për të përdorur në fushën e luftës si taktikën partizane, ashtu dhe atë të luftës së rregullt. Konkluzione më të qarta mund të nxjerrim nëpërmjet një analize të argumentuar të betejave të ushtrisë shqiptare të komanduara nga Skënderbeu.

Së pari duhet të sqarojmë së lufta e rregullt në periudhën e mesjetës kryhej nëpërmjet ndeshjes në fushë të hapur të masës kryesore të forcave të të  palëve, të cilat mund të jenë rreshtuar përballë njëra-tjetrës ose fillojnë luftimin me afrimin në fushën e betejës. Të kësaj natyre janë një varg i tërë betejash të zhvilluara ndërmjet ushtrisë shqiptarë të udhëhequra nga Skënderbeu dhe ushtrisë osmanë. Po ndalemi në një trajtesë të shkurtër të 2-3 betejave, betejës së Torviollit dhe asaj të Albulenës ku tiparet e luftës së rregullt shfaqen qartë.

Në fushën e Torviollit, ku u zhvillua dhe beteja e parë në qershor të vitit 1444, ishin përhapur përballë njëra-tjetrës forcat turke me një efektiv prej 25.000 vetësh (këmbësorë e kalorës) dhe ato shqiptare. 9.000 luftëtarë në fushë të hapur dhe 6.000 të tjerë (kalorës e këmbësorë) të vendosur në mënyrë të fshehtë në shpinë të rendimit luftarak. Pas luftimesh të ashpra të të dy palëve, në një moment të vështirë Skënderbeu futi në luftim rezervën e maskuar, e cila përcaktoi fatin e betejës. Pas goditjesh të befasishme e të rrufeshme të rezervës, beteja përfundoi me shpartallimin e plotë të ushtrisë turke.

Beteja e Torviollit e zhvilluar në fushë të hapur ku të dy palët ishin rreshtuar përballë njëra-tjetrës, përmbushte të gjitha kriteret e një beteje sipas modeleve të luftës së rregullt. Kjo betejë farkëtoi më tej bashkimin luftarak të popullit shqiptar si dhe forcoi simpatinë dhe besimin e tij te Skënderbeu dhe për ushtrinë e re shqiptare të komanduar prej tij. Ajo pati jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë dhe i bëri fuqitë Evropiane të drejtojnë vëmendjen e tyre përsëri te Shqipëria.

Gjatë viteve në vijim betejat e rregullta ndjekin njëra- tjetrën, si beteja e Drinit dhe Oranikut në vitin 1448. Beteja e Pologut e vitit 1453, ajo e Oranrikut e vitit 1456 e shumë të tjera. Por beteja në të cilën Skënderbeu shfaqi largpamësi, aftësi mahnitëse dhe nivel të lartë strategjik, ishte beteja e Albulenës e zhvilluar në verën e vitit 1457. Ajo ishte ndër betejat më të mëdha mësymëse të zhvilluara në fushat e Evropës gjatë shekujve XV-XVI.

Veprimet luftarakë filluan më një tërheqje të thellë strategjike mashtruese te ushtrisë shqiptare, nga brezi kufitar në drejtim të Lezhës, duke synuar të krijojë te komanda turke bindjen e gabuar se forcat shqiptarë ishin të paorganizuara e të paafta për të përballuar ushtrinë e madhe turke, çka e detyroi të kërkonte ndihmë te Venetiku. Vijoi pastaj një heshtje e plotë prej 4-5 javëve e forcave të Skënderbeut, që e bëri mashtrimin tërësisht të besueshëm. Në të tilla rrethana si vigjilenca e komandës ashtu dhe disiplina e gatishmëria luftarake e forcave turke të përhapura në mënyrë të çrregullt në fushën e Albulenës po shkonin drejt rënies. Shthurja disiplinore dhe vapa e madhe e gushtit e kishin dobësuar aftësinë luftarake të kësaj ushtrie. Ideja e mashtrimit të Skënderbeut ishte realizuar me shumë sukses. Në momentin e përshtatshëm në mesditën e 7 shtatorit, formacionet shqiptare të cilat kishin zënë në mënyrë të befasishme lartësitë në lindje të fushës së Albulenës kaluan në mësymje të vrullshme e të fuqishme dukë e gjetur në befasi të plotë ushtrinë osmane. Humbjet e para për turqit të tmerruar e në panik ishin shumë të mëdha. Pas përpjekjeve për t’u organizuar, luftimi mori tërësisht pamjen e një beteje të rregullt, por zotërimin e gjendjes dhe epërsinë morale i kishin forcat shqiptare. Veç humbjeve të shumta që forcat turke pësuan në fushën ë betejës, grupime të çrregullta trupash asgjësoheshin nga pritat e ngritura në rrugët e tërheqjes. Fitorja ishte mahnitëse. Ushtria e vogël shqiptare prej 17.000 luftëtarësh mundi ushtrinë e madhe turke prej 50.000 vetësh. Humbjet ishin të pallogaritshme, rreth 20.000 të vrarë në fushën e betejës, veç shumë të tjerëve gjatë rrugëve të tërheqjes.

Fitorja e Albulenës ishte rrjedhojë e manovrës së thellë strategjike e cila bëri të mundur së pari mashtrimin e armikut dhe së dyti, nxjerrjen e forcave në kushte të përshtatshme si në pikëpamje të terrenit, ashtu dhe të befasisë së goditjes. Një manovër me përmasa të tilla e me një ide kaq të qartë nuk njihej atëherë jo vetëm nga ushtritë e vogla të vendeve të Evropës, por edhe nga ushtria e madhe turke. Po kështu, ndërtimi i formacionit të luftimit, mënyra e zhvillimit të mësymjes dhe rezultatet që arriti i japin betejës së Albulenës tiparet e një beteje fushore të përmasave të mëdha e zhvilluar sipas të gjitha kërkesave të luftës së rregullt. Është një ndër ato beteja kulmore të historisë së luftërave që mund të arrihet nga strategë e komandantë të mëdhenj, me vizion e personalitet të veçantë e që gëzojnë adhurimin e besimin e plotë të ushtrisë. Por ka historianw të cilët edhe pse i pranojnë përmasat e betejës së Albulenës, e vlerësojnë atë si një mësymje masive e rezultative, mohojnë manovrën strategjike të ushtrisë shqiptare.

Edhe vetë Shmidi pranoi së “Kjo (Albulena) ishte fitorja më e madhe që kishte arritur ndonjëherë Skënderbeu në fushë të hapur”. Por i ndikuar nga kronikat serbe, sipas të cilave tërheqja e Skënderbeut ishte katastrofë, apo edhe nga ndonjë e dhënë tjetër e kohës, Shmid konkludon së “ishin ndihmat e mëdha papnore në të holla e flotë të cilat e kthyen fatin e ndërruan shortin”. Po si kthyen fatin a thua si më magji, ashtu menjëherë si, me shkopin magjik. Jo zoti

Shmid, nuk mund të organizohet e të vihet në gatishmëri një ushtri e cila, sipas jush ishte e shpërndarë, shpartalluar e demoralizuar brenda pak javësh (në kushtet e shek. XV) edhe me mbështetjen e një ndihme financiare. Është absurde të mendosh se mund të mobilizohet, organizohet e të nxirren grupimet në pozicionet e nisjes e gjithë kjo veprimtari në afërsi të fushimit të ushtrisë turke prej 50000 vetësh, e komanda turke të mos marrë asnjë njoftim. Mesa duket informacioni i rremë i përhapur nga Skënderbeu pati ndikimet e veta, duke futur në rrjetin e mashtrimit jo vetëm komandën turke, por edhe më gjerë. Ndërkohë, historianit i takon t’i studiojë me kujdes të gjitha të dhënat e kohës, në të cilat shpesh gjejmë njoftime kontradiktore, të bëjnë përzgjedhjen për të kuptuar zhvillimin real të gjendjes.

Fitorja në Albulena pati pasoja tepër të rëndësishme. Sulltan Mehmeti II u detyrua të bëjë përpjekje të shumta për të nënshkruar me Skënderbeun paqen. Në pamundësi të saj u detyrua që për disa vjet rresht të heqë dorë nga strategjia mësymëse dhe të kalojë në strategji mbrojtëse. Fitorja e ushtrisë shqiptare pati rëndësi të madhe edhe në planin ndërkombëtar. Me dështimin e përpjekjeve të Perandorisë Osmane për pushtimin e Shqipërisë, dështoi në të njëjtën kohë edhe mundësia e zbatimit të planit strategjik të saj për pushtimin e Evropës.

Krijimi i aleancave ushtarake

Një nga detyrat më të rëndësishme të strategjisë, ku Skënderbeu shpalosi talentin e tij jo vetëm si strateg, por edhe si diplomat, ishte krijimi i aleancave ushtarake. Në vlerësimin e kësaj detyre Skënderbeu mbajti parasysh se përballimi ushtarakisht i goditjeve të perandorisë më të fuqishme të asaj kohe, ishte një detyrë shumë e vështirë për një popull të vogël. Në të tilla rrethana një aksion i përbashkët i vendeve Evropiane për të përballuar vërshimin osman kishte një rëndësi të veçantë. Skënderbeu zhvilloi një veprimtari të gjerë diplomatike për të siguruar bashkëpunimin ushtarak dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta të popujve evropianë nëpërmjet formimit të koalicioneve anti-osmane.

Themelet e kësaj veprimtarie mbështeteshin në pozitën gjeostrategjike të Shqipërisë, e cila, e vendosur në bregun lindor të Adriatikut, përbën një kryeurë të favorshme prej nga forcat e ushtrisë turke mund të hidheshin në Itali, e mandej të sulmonin Evropën. Për rrjedhojë lufta shqiptaro-turke e shek. XV mbronte jo vetëm lirinë e pavarësinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Evropës. Aleatët më të rëndësishëm për një aksion të përbashkët kundër Perandorisë Otomane ishin vendet e Evropës Qendrore dhe shtetet italike, të cilat gjithashtu ishin nën goditjen e drejtpërdrejtë të ushtrisë Osmane. Kjo situatë çoi në krijimin e aleancave dhe

organizimin e bashkëveprimit strategjik me Huniadin e Hungarisë, me Republikën e Venedikut, më mbretërinë e Napolit dhe Papatin. Edhe pse këto aleanca patën rezultatet e veta pozitive, nuk arritën objektivin kryesor strategjik, krijimin e një kryqëzate të përgjithshme ku Shqipërisë dhe Skënderbeut i ishte besuar një rol kryesor. Në të gjitha përpjekjet e bëra në këtë drejtim (për një periudhë gati 15 vjeçare), dështuan disa papë.

Kancelaritë e vendeve evropiane nuk i kursyen vlerësimet për Skënderbeun. Ato e cilësuan atë me frikë e respekt si formidable (i tmerrshmi) dhe i pa korruptuar. Sidoqoftë aleatët e jashtëm të Skënderbeut, me sa duket i ndërtuan marrëdhëniet e tyre më këtë strateg të shquar e diplomat të madh, duke u udhëhequr nga interesat e tyre imediate dhe jo nga ato të perspektivës. Në këto kushte populli shqiptar më prijësin e tij Skënderbeun, pa nënvlerësuar vlerën e faktorit të jashtëm e ndihmat që i dhanë në periudha të ndryshme, iu desh të mbështetej fuqimisht në truallin e vet e në rezervat e brendshme për t’iu bërë pengesë pushtuesve ormanë, duke mbrojtur jo vetëm lirinë e pavarësinë e Atdheut të tij për më tepër së një çerek shekulli, por u shfaq edhe si një forcë e madhe e pengesë e fuqishme kundër shtrirjes së agresionit otoman në drejtim të Evropës Perëndimore.

Atësitë e shumanshme të Skënderbeut nxorën në dritë strategun e komandantin më famë botërore. Skënderbeu dhe ushtria shqiptare hapën një front lufte në ekstremin perëndimor të Perandorisë Otomane, por në një drejtim tepër të rëndësishëm gjeostrategjik. Skënderbeu vlerësohet si gjenerali guximtar dhe strategu që askush nuk e zotëroi më mirë se ky mjeshtërinë e luftës, çka bëri që Papa Kaliksti IV ta emërojë Kapiten të Përgjithshëm të Selisë së Shenjtë.  Përballë këtyre fakteve të pohosh, sikurse vepron Shmid së Skënderbeu “nuk ishte asnjëherë në qendër të strategjive të mëdha”, sepse Sulltani ndiqte të tjera objektiva lufte e boshti i kryengritjes në malet perëndimore ua kishte lënë komandantëve të vet, do të thotë të injorosh tërësisht zhvillimin e ngjarjeve. Sigurisht Perandoria Osmanë në planet e saj të zgjerimit kishte drejtime strategjikë tepër të rëndësishme por pa dyshim një nga këto drejtime ishte edhe ai i Shqipërisë. Kujtojmë këtu se Skënderbeu dhe ushtria ë tij u ndeshën dhe fituan kundër dy sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë dhe 15 gjeneralëve nder më të zgjedhurit e saj. Madje vetë Shmid kundërshton vetën kur pohon së “‘sundimtarin arbër po hynte gjithnjë e më shumë në qendër të planeve strategjikë në perëndim dhe në Anatoli”.

Vlerësimet për heroin tonë kombëtar Skënderbeun janë plotësisht të dokumentuara, të vlerësuara e të gjithë pranueshme, janë njëherazi një dëshmi e qartë e madhështisë së këtij personaliteti historik. Përballë këtij realiteti të shtosh tezën së Skënderbeu na qenka një mit e të zvogëlosh sadopak vlerat dhe meritat e Skënderbeut si personalitet shumë planesh është më shumë së dashakeqe, e në rastin më të mirë tregues i një naiviteti të theksuar. Pse mit?! Pse është njohur e vlerësuar botërisht, se është bërë burim frymëzimi për popujt e madje për shumë poet e shkrimtarë. Me çfarë logjike ngrihen e thonë se Skënderbeu na qenka një mit?! Një absurditet i tërë. Nëse është shndërruar në mit në kuptimin pozitiv të fjalës është një tregues tjetër i vlerave dhe meritave të tij. Një fenomen i tillë ndodh me personalitete shumë të fuqishme që kanë lënë mbresa të thella në ndërgjegjen e popujve. Në këtë rast është detyrë e historianëve që nëpërmjet studimeve të thelluara të na japin figurën e Skënderbeut me të parët pa cenuar vlerat dhe madhështinë ë tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here