Nga Agron Luka
Duke filluar Parathanien…
Në “Luftën e Epirit/Ilirisë ose Lufta e Epidamn-Dyrrahit”, pjesë Luftrave Civile Romake, midis Çezarit e Pompeut (mars – qershor – korrik, 48 p. Kr.), ndryshimi vendimtar i betejës, i dedikohet peshkatarit, varkëtarit e detarit të varfër epirot-ilir, Amiklati. Ky e strehoi, e nderoi, e mbajti në shtëpi dhe e përcolli në besë mikun Çezar, duke e nxjerrë jashtë rrethimit me varkën e tij, duke e shpëtuar me këtë rast, pa e kapur rob dhe pa e ekzekutuar Pompeu!
Në këtë ngjarje, veproi kanoniku/ligji antik: Shtëpia asht e Zotëve Hyjnorë dhe e Mikut. Miku që vjen në shtëpi, edhe në gjak, asht në besë të zotit të shtëpisë dhe detyrimi ndaj tij përfshin edhe shoqnimin e përcjelljen deri në një kufi! Asokohe ende ishte në fuqi politeizmi, por kishte lindur edhe kulti i Aleksandrit të Madh, si reformator i një feje të re të përbotshme, si biri i perendisë Zeus, pastaj kulti i perandorëve romakë si hyjni perendi, të cilat u luftuan gjatë nga priftërinjtë e monoteizmit. Besnikëria e Amiklatit, është përzgjedhur dhe krahasohet te vargjet e Parajsës, nga vetë Dante, me besnikërinë e Shën Françeskut, me shembëlltyrat e Krishtit ndaj Zotit dhe me besnikërinë e Maries, e cila i qëndroi birit Jezus, deri në fund. (Dante Alighieri, La Divina Commedia, Con percorsi, verifice e letture critiche, Paradiso, bot. 1999, Torino, f 171-172; shih edhe skanimin e interpretimeve.)
Si shpjegohet, që në studimet tona të përditësuara (këtu edhe ato të rregulluara e të plagjiatuara retrospektive, të Demokracisë), autorë autoritete, autorë moderatorë televizivë të superpaguar, nuk e përmendën fare Amiklaten?! E pra ky, mund të rradhitet me personazhe mitologjikë e historikë: si Epidamni, Melisa, Poseidoni, Dyrrahu, Herakliu, bariu dhe orakulli Even i “deleve të Diellit”, të Apollonisë; si Tregerioni basileusi mitologjik siamez i Epirit, si Eurimedonti e Eurimeduza e Epirit, si Guneu i Perrebejve të Dodonës, etj, etj!
Ndërsa Wikipedia e Italisë në Google e ka një titull Amiclate, Wikipedia jonë nuk e ka marrë ende mundimin as për një copy – paste! (shih: https://it.m.wikipedia.org > wiki > A)
Po ashtu te “Battaglia di Dyrrhachium” (https://it.m.wikipedia.org > B …), nuk përmendet roli dhe emri i Amiclate, siç vetkuptohet as wikipedia shqiptare.
Iliria dhe Epiri i Ri…
Me raste, disa nga autorët antikë, filluar nga më të hershmit e shek VI-VII p.Kr. e deri tek më të vonshmit e shek V-VI, kishin përshkruar kushtet ekonomike, klimaterike, bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, detarinë, punimin e metaleve etj, lidhur me fiset ilire – epirote – thrake – dakomaze etj. Ata gjithashtu kishn skicuar edhe një përshkrim të këtyre banorëve të gadishullit Illirik, si të pa nënshtrueshëm, liridashës, punëtorë etj, ku kishin edhe ndonjë specialitet ekzemplar në botën antike, si vêna e mjaltit, anijet liburnike e gaetat me rrema e vela, kultivimi i linit. Autorët antikë, madje kishin regjistruar edhe disa mitologji, tregime – anekdota të pellgut mesdhetar, qoftë mbi anët pozitive të karakterit të tyre, e qoftë mbi ato më negativet. Herodoti, Aelani e Varroni, tregonin për gruan peone iliriane, multi profesioniste dhe që kryente disa punë njëherazi, që u bë e famshme nga vetë Dari i Persisë.
Skymni (III-II p.Kr.), bazuar mbi autorë antikë, më të hershëm, më konkretisht mbi temën, shkruante:
“Pastaj vjen Illiria, një tokë e gjatë me shumë popuj brenda.
Thonë se popullsia e saj është shumë e madhe, pothuajse 1, 5 milion banorë,
nga këta popuj disa banojnë në viset e brendëshme duke lëruar tokën,
disa të tjerë anës detit Adriatik. Një palë nga këta i binden pushtetit të basilejve,
disa të tjerë monarkëve; dhe një palë vetësundohen.
Thonë se i nderojnë shumë perenditë, se janë të drejtë dhe mikpritës,
se e duan jetën shoqërore dhe janë të shtënë pas një jete shumë të hieshme…
(Scymni, “Orbis Decriptio”, Europa, 414-424; Cit. spas “ilirët dhe Ilria tek autorët antikë”, bot. 1965, f 72-73)
Bazuar mbi këtë sintezë, natyrshëm mund të mendojmë se organizimi shoqëror i ilirëve dhe i fiseve të tjera kuftarë kushrini ose të përzierë me ta, ku hyjnë edhe qytetet tona, rregullohej me ligje ose të shkruara ose edhe të një tradite gojore. Mjafton të kujtojmë këtu Aristotelin, i cili kishte shkruar ose redaktuar 135 copë Kushtetuta/Politeia, ndër to edhe të Athinës, Dyrrahut, të Epirit, Molosisë. Simbas Aristotelit, njeriu është një “Zoon politikon, një qenie e gjallë e aftë për të krijuar një komunitet të organizuar”. (Aristoteli, Politica, Lib. IV e V, shkruan e diskuton mbi Kushtetutat e Apolonisë, Dyrrahut etj)
Po ashtu, Prokopi i Gazës, shkruante, mbi mikëpritjen dhe dashurinë njerëzore me të cilën banori epidamnas – dyrrahas e pret mikun dhe nevojtarin dhe i shtrin dorën e ndihmës, qoftë kur vjen nga toka e qoftë nga kur vjen nga deti.
(“Panegyricus in Imperatorem Anastasium”, cit. f 414)
Diodori i Siçilisë, bashkëkohës i Çezarit, shkruante, mbi luftrat e vazhdueshme mdis vllazërive ilire për gjaqe e sundime molosh/portesh, e më konkretisht tregonte edhe një lloj tregimi mitologjik e anekdote mbi vllazërinë ilire të Dyrrahut, të cilët kishin hedhur në detin Adriatik një palë hekura – spirancë të skuqur në qymyr dhe u betuan se do t’i jepnin fund armiqësive në mes tyre, vetëm kur atë spirancë ta nxirrnin të skuqur përsëri nga fund deti”! (Cit., nga “Ilirët dhe Iliria”…, f 144; shih edhe f 136; shih edhe Apianin etj)
Por, kishte edhe pushtues dinakë, që e shfrytëzuan mikpritjen ilire e luftra-mosmarrëveshjet e tyre, duke i prerë në bukë e në besë! Këtë e vinte qartë në dukje Straboni, kur e nënvizonte se, maqedonët e pastaj sidomos romakët, i shfrytëzuan këto veti pozitive dhe anën negative, duke i shpërngulur ilirët nga bregdeti në toka malore që nuk vlen as për bujqësi! (Straboni, Geographica, Lib.VII, 5, 6,7; cit, f 155)
Kemi shkruar herët mbi legjendën mitologjike dhe mbi prehistorinë e pikës detare dhe qytezës Epdamn – Dyrrah, bazuar mbi tezat e këndvështrimet e shkrim studimeve “të Marinëve shkodranë”, të cilët mbetën të mohuar e të harruar si padashje”, nga studiuesit shqiptarë të “realizmit – socialist”, nga Historia e Shqipërisë dhe nga ndonjë libër sintezë inercie xhondemokrati, amanetqar i ish “Dekanëve të vetëshpallur” të arkeologjisë e mitologjisë në kohën e enverizmit! (A. L., libri ΣΚΟΔΡΙΝΩΝ, bot. 2016, f 86-144 etj)
Po ashtu kemi shkruar mbi konstatimin e ekzistencën e Kodeve Kanonike, me nja tre a katër nene, qysh në mesjetën e kryqëzatave, kur këto ligje automatikisht veprojnë në konfliktin, midis Dukës Gjini I dhe peshkopit të Ndër Fandit, siç na kumtohet nga Memoria e shkruar e Maria Dukagjinit, më 1510. (Bot., në gaz. Shkodra; ribot., gaz. Dukagjini)
Kur, ish “Dekanët” e realizmit socialist enverist, filluan t’i bënin vetë të gjitha dhe madje filluan edhe “t’i jepnin mëndje Botës, sigurisht këta “Enverukë të vegjël”, duhej të kishin parasysh që “ndonjë pjesë kofshe mishi të zgjedhur e të shijshme” t’ia ruanin Zeusit, luanit a shqiponjës Enver. Kur përshembull, duhej hapur problemi i origjinës ilire, apo edhe më thellë, problemi pellazg, duhej cituar ndonjë tezë – ide e zbritur, ndonjë trajtesë me metodën e re materialiste-dialektike, ku duhej nënvizuar kujdesi i posaçëm dhe sidomos hapja duhej me citate nga shoku Enver, se si “Ai ishte përpjekur për ndriçimn e sqarimin e problemit etrusk e pellazg, nga koha e Stalinit e deri te Ismail Kadareja”…
(“Në rrugën për te pellazgët”, DRITA, 30 tetor 1988, f 10, vazhdimi, 8 nëntor 1988, f 10 etj)
Kjo ish metodë, për inerci ka gjetur e gjen terren edhe në Demokraci, ku, megjith meritat e studimit, na del se, “shoku Enver, na paska kontribute mbi strategjinë e stratagjemat e betejave midis Çezarit e Pompeut!
(durrëslajm.al > lufta-midis-çezarit-e-pompeut në…; Kol. Nevruz Zejnati, “Lufta midis Çezarit e Pompeut e zhvilluar në tokën tonë”, 13/09/2016)
Shtysa, më shumë ngacmimi, për ta shkruar këtë diskutim që më sillet rrotull prej disa dekadash, u bë emisioni Opinion i Tv.Klan, 17 maj 2020, ku intervistuesi e moderatori Blendi Fevziu, intervistoi arkeologun dhe ekspertin, autoritetin tonë të Luftrave Civile romake, dr. prof. Neritan Ceka, i cili u përqëndrua edhe “mbi shfrytëzimin e kombinimin e arkeologjisë me turizmin e huaj ftimprurës”. Emisioni televiziv, përveç ish të vjetrave, si: lokalizimin e fisit Parthin, në veri a në jug apo në shpinë-kurriz të Durrësit; përveç lokalizimit të stacionimit të dy ish kampeve kundërshtare dhe shkatërrimit të gjurmëve të tyre mbas vitit 1990 dhe ndonjë studimi mbi zbarkimin e Çezarit dhe intinierarin e tij në Akrokeraune, nuk duket se solli ndonjë risi. (shih N. Ceka, “Çezari në Akrokeraune – vende dhe gjurmë”. https://www.persee.fr > doc >; Iliria XXXV, 2011)
Si, “u harrua”, Amiklati, në kasollen e të cilit shkoi mik dhe gjeti shpëtimin Jul Çezari? Si ndodh që nuk e përmend fare as Wikipedia shqiptare në zërin “Beteja e Durrahut dhe Jul Çezari?! Pse kjo “harresë”, për më tepër kur edhe përkthyesi i Komedise Hyjnore, Pashko Gjeçi e kishte cekur e cukatur episodin, te Parajsa, qysh e pakta më 1966?!
(Dante Aligieri, PARAJSA, Komedia Hyjnore, Pashko Gjeçi, përkth. 1966; k XI, v 67-69, ku edhe sqaron: “Amiklati: ishte një peshkatar i vorfën (Në poemën e Lukani Farsalia), që flinte me portën çelë pa pasë frikë se do ta vjedhin dhe që nuk u shqetësohej se rrethëeqark vlonte lufta civile. Ai spati frikë as kur në kasollen e tij hyni natën vetë Çezari (që i kallte botës frikë) për ta transportue nga Durrësi, ku banonte, në Itali”. Shih, f 206 komente shpjeguese.)
Si e “kishin harruar Amiklaten”, edhe emisioni i M. Mema, në Top Channell dhe “enciklopedisti i Epidamn-Dyrrahut”, dr. prof. M. Zeqo, kur në shkrim shtesat e studimeve të përditësuara/të përmirësuara-rregulluara, disa herë, nuk ka lënë rast pa propozuar memoriale e pllaka, me nderime e me aminë! (M. Zeqo, “Jul Çezari dhe Jezu Krishti”, www.gazetadita.al> jul-çezari; 1 tetor 2019)
A nuk e meritonte sëpari ai emisioni dhe ai ish “vendi i kamp/lëmit të Qezarit”, një shpjegim me hartë skemë treguese? A nuk duhet ta kishte sot, ky ish kamp i Qezarit dhe ai tjetri i Pompeut mbi Petra/Shkamb, minmumi, një lloj pllake memoriale treguese, pa folur edhe për ndonjë monument mbi vetë Amiklaten?!
Përplasja Qezari – Pompeu dhe “Episodi Amiklates”…
Ajo që hyri në histori me emrin “Lufta e Epirit”/ në varjante “Lufta e Ilirisë”, në kuadrin e Luftës Civile Romake, midis Qezarit dhe Pompeut, u zhvillua në rrethinën e Durrësit, nga marsi e deri në qershor e korrik, të vitit 48 p.Kr.
(Epiri, sidomos Epiri i Ri dhe Iliria, si emërtime përgjithësuese etnosi kishin konkurruar gjatë dhe pikërisht pika e Epidamn-Dyrrahut ishte edhe pika e epiqendra ku konkurrenca ishte më e fortë. Kjo do të ishte shpjegimi, që në varjante herë del Iliria e herë Epiri, ku Epidamni e Dyrrahu janë qendra e tyre. Në autorët antikë inetrferenca e përzierja e fiseve ilire e epirote, shtrihet edhe në Mat e deri në Shkodër. Mbasi emërtimi Iliria dhe farmacioni i tij u përvetësuan nga sllavojugorët, emërtimi Epiri i Ri dhe formacioni i tij, jo vetëm nguli me qendër Dyrrahun (sidomos me Teodosin), por u ruajt edhe deri vonë edhe si emërtim me parametra nacionale, deri te Gjergj Kastrioti, te Gj. Muzaka e deri te Frang Bardhi, etj.)
Jemi te koha e Betejave midis Çezari e Pompeut, në Durrës, mars-qershor-korrik 48p.Kr. Këtë segment kohor e kishte përzgjedhur vetë Dante Aligeri, i bazuar kryesisht te poema e Lukanit, Farsalia dhe te ndonjë autor tjetër antik, si Apiani, Virgjili etj.
(https://www.terccanni.it/enciclopediia/anneo-lucano_%28Enciclopedia-Dantesca%29/.)
Nga Lukani, ne kemi zgjedhur dhe përkthyer këtë copë, si pëkthim i lirë:
Cezari tenton me kalue Adriatikun me tallazitje mbi një barkë me rrêma
Nata, që zakonisht të fton me fjetë kishte shue lodhjet e ankthet e luftës, po ofronte një pushim të shkurtë për të palumturit e kësaj nate fatale sidomos ata në një situatë inferiore, me u shpëlodhë me gjumë. Tashma qetësia mbizotnonte në kampin e luftës dhe ora e tretë kishte zëvendësue turnin e rojes. Qezari, tuj ecë i nervozuem nëpërmjet qetësisë së madhe, po përshpejtohej me krye veprime që me zor të madh do t’i kishte ba edhe nji skllav. Mbasi i la të gjitha mbas shpine, vendosi me luejtë e me pasë si shoqe vetëm Fatijet/Mojrat.
Si doli nga tenda, Qezari kaloj përtej trupave të rojeve të përgjumuna (tuj i ardh inad me vedin së si arriti më i shpëtue mbikqyrjës së tyne), kaloj bregdetin që bante një hark dhe gjeti shi aty ku dallgët i afrohëshin plazhit, nji barkë të lidhun më nji konop ndër shkamijtë e grrymë, ku vendoseshin edhe flute. (*flutet, ishin barishte të lidhuna duaj, i vendoseshin anash barkave për mos më u shkapet për shkamb dhe amortizonin goditiet. Sot përdoren goma të vjetra. Shën. pëkrth., M.L.).
Piloti dhe pronari i mjetit ndodhej në një banesë të qetë jo larg nga ai vënd. Kjo shpi nuk ishte e ndërtume krejt më landë drunit, po me shkopinjë të latuar e me kallamishte të kënetave dhe në anën e hapun ishte e mbrojtun më nji varkë të vogël të kthyeme përmbys. Çezari e shkundi nja dy-tre herë hymjen tu e ba më u dridh çatinë.
Amiklati, i zoti i shtëpisë, u çue prej shtratit, i cili ishte i bamë prej algave (barishte deti) të buta, tuj than më za të naltë:
-Kush asht ky i mbijetuem prej detit që vjen në shtëpinë teme? Kush asht ky njeri që e kanë çue Fat’hijet me shpresue se po gjên ndihmë nga kasollja jême?”
Kështu foli, e, mbasi që e çoj nji cop konop nga nji grumull i naltë me hî, ndezi një shkëndi të vogël, e zjêrmi i kap; nuk ka fare shqetësim për luftën: e din mirë se kasollët nuk janë synim i luftnave civile dhe as pasuni e sigurtë të një jete të varfën, apo Larë të përvuajtuna mbrojtëse shtëpiake! (*Larët, hyjni romake etruske, shpirtra gjeni mbrojtëse shtëpiake afërsisht si ora e shtëpisë tek ne. Shën. Përkth., M.L.) dhe as dhurata të shênjtnivë (të zotave) ende të pakuptuem! Cilit tempull e cilës shpi mund t’i kishte ndodhë që mos me e kap ankthi, në qoftëse dora e Çezarit do t’i kishte trokitë në portë?
Si e mbylli hymjen, paraprirësi i tha:
-Djalosh, mendo për pagësa ma të mëdhaja se sa dëshirat e tuja të vyeme e jepi liri shpresave tueja: në qoftëse ti, simbas urdhnavë të mija, do t’më trasportosh në Itali, prej atëherë e mbrapa mbijetesa jote nuk do të mvaret mâ nga varka, e nuk do të preokupohesh për me tërhek zvarrë pleqnin në varfëni. Mos hezito me ja ofrue fatin tand Zotit që don me ta mbush shtëpinë tande me pasuni të paprituna.
Këto kjen fjalët e Çezarit, i paaftë me u shprehë me një ton të përditshëm e normal, edhe pse i veshun me teshat e një plebeu.
Nga ana e tij Amiklati i varfër, iu përgjigj:
-Janë shumë arsyet që nuk këshillojnë më iu futë detit sonte: dielli në perêndim nuk ka ulë re të kuqe mbi dallgë, e as ka lëshu rrëzë uniforme: drita e tij âsht nda, nga njena anë shkone ka Noti (përsonazhi mitologjik qi përsonifikonte erën e jugut. M.L.) e në anën tjetër nga Borea (personazhi mitologjik për erën e veriut. M.L.).
Edhe ylli/dielli, në qëndër ishte pothujse pa’ dritë, dhe më momentin e zhdukjes (perêndimit) të tij i lejontë sytë me e fiksue dritën e vakët; e hana nuk asht çue në qiell e shkëlqyeshmë po si një drapën i hollë, e groposun (e hangun) saktësisht gjatë rrethit i ka mprehë qoshet në maja të mprehta: me ngjyrën e kuqe paralajmëronte erë; mandej e zbehtë dhe e trishtueme, ka marrë një shprehi të mavijosun e âsht zhdukë në pak kohë në sës të reve. Për ma tepër nuk më pëlqen se si lëviz gjëlbrimi, si dallga rreh plazhin, pasigurija ë delfinit më u përball me flutët, fakti që pata preferon me ndêj në tokë, qe lejlëku- që zakonisht cik sipërfaqen e detit – ka kurajon më fluturue nalt, që laraska ecën në plazh me hap të pasigurtë, tuj e zhyt kryet në ujë a thue së e shijon paraprakisht shiun. Por, në qoftë se çaste vendimtare dhe ngjarje të mëdhaja e kërkojnë, nuk do të hezitoj me të ofrue veprën tême: o do të arrij plazhin që do të më urdhënosh, ose do t’më ndalin vëtëm deti e erërat”.
E, si mbaroj së folunit, zgjidhi varkën e i lëshoj velat ernave: në frymën e ernavë nuk ranë vetëm yjët ë lëvizshëm nëpër hapsinë duke lanë shênja në drejtime të ndryshme, por u duk sikur u lëkundën edhe ujnat e palvizhmë që gjenden në majë të qiellit. Një tmerr i zi e mbloj hapsinën detarëe, tallazet vluenën gjithkund të rrezikshme me shumë vortulla e flutat e turbullta, edhe pse nuk e dijshin se ku kishin me u shkapetë ernat që ishin tuj ardhë, dhanë provë se ishin tuj u grumullue”.
(Lucano, Bellum Civile, V 508 segg., “Cesare tenta di attraversare l’Adriatico in tempesta su una barca a remi”. enricia.altervisa.org>Newton; Bellum civile_brani; www.latinovivo.com>Lucano; schede d letteratura – Lucano.htm – www.latinovivo.com)
Dante, siç e sipërshënuam xhestin e personazhit Amiklati e kishte vlerësuar dhe krahasuar me besnikërinë e vetë Jezu Krishtit ndaj kauzës hyjnore, me besnikërinë e virgjëreshës Marie ndaj të birit dhe me shembëlltyrat e Shën Françeskut!
Ndërkaq, lidhur me citimet bibliografike, për interpretimin e autorëve italianë por edhe të vetë Pashko Gjeçit, mund të formulohen vërejtje. Interpretuesit italianë kanë paraqitur gjithfarë interpretimesh me detaje e hollësi, por, pothuajse të gjithë bien në një lloj subjektivizmi dhe nënvlehtësimi, duke e paraqitur Amiklatin si një personazh minor e anësor, si një njeri asketik, e justifikojnë xhestin e tij me varfërinë e skajshme, se nuk kishte se çfarë të humbte veç prangat etj. Këtu, nga literaturat komentuese e interpretuese taliane, si me thanë “të pa fundme”, ne po prezantojmë një listë të pjesshme:
(https://it.m.wikipedia.org > wiki > B… Battaglia di Dyrrhachium – Wikipedia)
(https://it.m.wikipedia.org > wiki > A… Amiclate – Wikipedia)
(https://.enricia.altervista.org >/.Newton/.Bellum_civile_brani.pdf)
(https://www.treccanni.it/.enciclopedia/.amiclate_Enciclopedia-Dantesca😉
Simbas nesh askush, nuk e ka trajtuar pikën kryesore nga pikpamja se, ky ilir epirotas po zbaton Kanonikun e lashtë të Lekve (mbase të lanun testament edhe nga Aleksandri/Leka i Madh, biri i Zeusit hyjnor, pasardhësve Diadokëve …), dhe për më tepër është i vetëdijshëm mbi xhestin e Çezarit me iu nënshtrue vetëm orës, fatijeve e jo armikut, është i vetëdijshëm me sakrifikue për mikun deri edhe me jetë!
Gjithashtu edhe përkthyesi, komentuesi e interpretuesi shqiptar Pasho Gjeçi, përveç një lloj kopjimi nga literatura e hershme italiane, paraqet mangësi. Mund të vërehet se, përkthimet e reja alternative, përveç cilësisë së përkthimit, kanë përmirësime të ndjeshme në komentime e interpretime, të cilat janë një ndihmë e madhe për studentët unversitare dhe lexuesit e pasionuar.
Edhe filozofit K. Marks dhe mikut të tij F. Engels i kishte tërhequr vëmendjen beteja Çezari-Pompeu në “Luftën e Epirit në Durrës”. Ata vinin në dukje gabimet ushtarake të dy strategëve ndonjëherë edhe të rëndomta, vinin në dukje karakterin burrëror e stoik të Çezarit dhe ndërkohë vinn në dukje anët negative, si njeri i ulët, përfitues i lavdive e ndyrësirë të Pompeut, duke cituar autorë antikë si Apianin e deri edhe Shekspirin.
Ndërkaq edhe Marksit, që ishte një vërejtës i hollë, sa duket i kishte shpëtuar fakti se në natyrë e në historitë njerëzore, kishte raste sado të rralla si probabilitete, ku vepronte edhe një lloj trilli i fatit, i koinçidencës! Në rastin konkret: pika e kthesës vendimtare ishte Amiklati, i cili e nderoi dhe e respektoi Çezarin, si hyjni, si Zotin e Botës dhe jo veprimet ushtarake, stratagjemat e cic-micet e Çezarit. Vetë Marksi e kishte nënvizuar: “Cilido prijës ushtarak i rëndomtë romak, si përshembull Krasi, do ta kishte shpartalluar nja gjashtë herë Çezarin gjatë Luftës së Epirit”. (shih, F. Engels, “Vepra të Zgjedhura Ushtarake”, Vëll II, bot. shqip 1976, f 430-431; shih edhe skanimin)
Për më tepër, vetë Çezari e ka pohuar në shkrimet e tij, se Pompeu ngurroi, sepse po ta kishte vazhduar ofensivën, do ta kishte zhdukur edhe atë mbeturinë të shpartalluar megjth Çezarin vetë!
Edhe vetë Amiklati, duket si një personazh i ndonjë kulti vendas.
Kemi të bëjmë me ato raste të dialektikës kur faktorë subjektivë, trille e kushte specifike, dominojnë mbi të ashtuquajturit faktorë objektivë.
Në këto ide, ne kemi diskutuar edhe me disa autorë mbi interpretimin e “Privilegjeve dhe Testamentit të Aleksandrit të Madh”, gjetur si një farë Preambule, në Statutet Mesjetare të Shkodrës. Aleksandri i Madh, 33 vjeç, Zoti pronari i Dheut në të katër koordinatat, po ngrinte një fe të re botërore, ku ai “biri i Zeusit” (i barazvlershëm edhe si biri i Amoni etj), ishte mesia, madje që do fluturonte edhe në qiellin e perendive!
Këto diskutime e parashtrime ne i kemi botuar në shtypin e kohës, por me keqardhje u vu re se ndeshëm në çensurime e në influenca banale e deri me shije inkuizicioniste! Në këto realitete, u detyruam t’i ribotojmë të pa çensuruara simbas kopjes orgjinale, në librin ΣΚΟΔΡΙΝΩΝ, bot. 2016.
Tashti, edhe një çështje të fundit. Nga ish artet e antikitetit, në piktura enësh balte, afreske, skulptura, mozaik etj, nuk kemi ndonjë paraqitie të personazhit Amiklati! Mbase kjo lidhet edhe me rastësinë, etj, por mbase edhe me ndonjë ish përbuzje ndaj barbarëve, gjithsesi le të shpresojmë se diçka mund të gjendet, siç bie fjala për Tregerionin/Gerionin epirot, basileusin mitologjik baritor të Epirit!
Ndërkaq, nga miku ynë Pirro Qëndro, një studiues me banim në Itali, na ka ardhur njoftimi, mbi një grafikë që mendohet se paraqet Amiklatin e veshur me një gunë lëkurë cjapi përçor me gjth kokën me brirë. (shih fotoskanimin) Epirotët dhe ilirët e kishin dhinë të shenjtë dhe basileusat e tyre kishin edhe përkrenare me kokë e brirë sqapi, siç Aleksandri, Pirrua edhe diadokët, monedha e besileusit Trifon (142-138 p.Kr.), Skender beu etj, siç edhe kemi shkruar. (https://rilindjakombetareshqiptare.wodpress.com> …; shih edhe fotoskanimin)
Ka mundësi, gjithnjë simbas Pirros, që kjo grafikë ilustruese mesjetare të jetë gjendur në materialet e Papës Klementi XI, por gjithsesi, mbetet për gjurmime më të sakta.