Cilat ishin mendimet e një analisti politik të një gazete austriake në vitin e largët 1869, rreth rëndësisë së faktorit shqiptar në vigjilje të asaj që njihej asokohe si “çështja orientale”. Kush ishin për të shqiptarët dhe cila do mund të kishte qenë sipas tij, e ardhmja e tyre e afërt?

 Pjesa 1

Emri i tij vështirë të merret vesh, por ajo që ka më shumë rëndësi janë mendimet e vlerësimet e tij të shkruara në një fejton, gjini kjo shumë e përhapur në shtypin europian të kohës. Shkruan nën inicialin “K” dhe boton një cikël me emrin “Popujt e Orientit”, në vitin e largët 1869, në një gazetë që nga hulumtimi paraprak, del se botohej nën sponzorizimin e shoqërisë së famshme “Lloyd”, që ishte simboli i transportit dhe tregtisë në brigjet e Adriatikut, e që në atë kohë ishte një domen i plotë i Austro-Hungarisë. Gazeta në fjalë quhej “Die Debatte”, botohej në Vjenë dhe ekzistoi nga viti 1864-1869, duke e shtyrë në fakt ekzistencën e vet edhe dhjetë vjet të tjerë nën emrin “Die Tageszeitung”. Orientimi politik i saj, ishte ai tradicionalist konservator, në shërbim të objektivave të Mbretërisë dualiste. Cikli nis me një hyrje shtjelluese (shih: “Die Völker des Orients”, Feuilleton der „Debatte”, 19 shkurt 1869, Nr. 50. Viti VI, fq. 1) ku autori ndërsa kritikon mungesën e largpamësisë nga diplomacia vendase e ajo europiane, flet për kërcënimin e madh që po i bëhej paqes nga ajo që njihej si “çështja orientale” – ku nën këtë përcaktim, për kohën mendohej Ballkani – për shkak të zhvillimeve e dinamikave të reja që epoka kishte sjellë. Pikëpamja e autorit të fejtonit, i cili duket se ishte një njeri që pikësëpari kishte shkelur në çdo cep të rajonit dhe që pretendonte se njihte shumë mirë madje edhe Shqipërinë e shqiptarët, shkon – nëse do bënim një krahasim me realitetet e sotme – disi me atë të filozofit e sociologut të ditëve tona, Samuel P. Huntington (autori i “Përplasja e qytetërimeve”, 1996). Ndër të tjera ai thotë se: “Dhe bëhet fjalë në këtë katastrofë për një luftë të përgjithshme të Islamit me Krishtërimin, në të cilën, ngulitja e flamurit të Profetit dhe ngritja e Kryqit, në shumëanshmërinë e problemit dhe përzierjes së interesave, më shumë apo më pak, do të përfshijë të gjithë popujt muhamedanë; në anën tjetër të gjitha fuqitë e mëdha të krishtera”. Paralajmëron hapur krizën kur thotë se: “Po, kush e njeh Orientin dhe rrethanat që e përbëjnë, ashusikurse shkruesi i këtij artikulli, pas konstatimeve shumëvjeçare, para së gjithash karakterin dhe përpjekjet e popujve të tij dhe marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin, nuk ka më asnjë dyshim se shpërthimi i krizës që kaq kohë ia kemi pasur frikën, ndodhet shumë pranë”.

Parashikon gjithashtu se me apo pa hir, Amerika do të përfshihet në këtë luftë, duke i paraprirë si pakkush tjetër ndoshta në fakt për kohën, asaj çka do të ndodhte rreth pesë dekada më vonë dhe që historia do ta vlerësonte si “Lufta e Madhe” (dmth. Lufta e Parë Botërore). Për këtë arsye, dhe duke shpresuar se do ta njihte më së miri lexuesin e gazetës me tiparet dhe karakteristikat e popujve që i përkisnin asaj që në histori njihet si “fuçi baruti”, autori na shpalos përgjatë harkut kohor të një muaji ciklin në fjalë (që niste me paraqitjen e rumunëve dhe mbyllej me grekët), i cili në pjesën e pestë të tij përmbante edhe kapitullin mbi shqiptarët (shih: “Die Völker des Orients-Die Albanesen”, Feuilleton der „Debatte”, 27 mars 1869, Nr. 86. Viti VI, fq. 1). Sigurisht se nga këtu nis realisht interesi ynë për ta risjellë në jetë këtë shkrim, i cili pa dashur të polemizoj, rezulton të mos jetë zbuluar më parë e të mos jetë gjithashtu pjesë e cikleve të udhëtimeve, që botoheshin rëndom në gazetat austriake nga albanologë, historianë, arkeologë, diplomatë e studiues të disiplinave të ndryshme, që asokohe kishin nisur të shkelnin në hapësirat shqiptare të kohës. Transkriptimi dhe përkthimi i materialit në fjalë, duhet thënë qysh në krye të herës se përbën një sfidë më vete, pasi jo vetëm gjermanishtja paksa arkaike, por edhe deshifrimi i fjalëve të shkruara me një font nga familja e tipit “gotik”, të cilin hapësira gjermanishtfolëse rezulton ta ketë përdorur masivisht në shtypin e kohës, duke vijuar me shumicë madje deri në rënien e nazizmit, si një element i fortë identitar (i krahasueshëm me cirilizmin tek gjuhët sllave), bëjnë që materiali që po botojmë, të ketë vërtetë vlera. Pesha e tij realisht rritet kur i hedh një sy përmbajtjes së shkrimit, ku autori ka shkruar pa rezerva rreth karakterit, forcës, zakoneve, trimërisë, bukurisë së racës, e për më shumë, rëndësisë së faktorit shqiptar në rajon. Diku, autori thekson: “…ata, jo vetëm që hasen në një numër të madh dhe të përhapur gjeografikisht, por paraqesin edhe një popull të fuqishëm dhe me rrënjë, dhe formojnë më pas njërin ndër faktorët më të rëndësishëm në dramën e fundit që pritet të luhet”. Ky kontribut ndoshta është njëri ndër më pozitivët e shkruar ndonjëherë në hapësirën europiane të kohës rreth shqiptarëve, paçka se aty gjendet edhe ndonjë pasaktësi. Duhet pranuar se shkrimi i tij reflekton jo vetëm teoritë dhe praktikat e kohës, por edhe dijenitë e kufizuara në fusha si gjuhësia për shembull (por jo vetëm), ndërsa autori thotë se “shqiptarët merren vesh mirë në aspektin gjuhësor me fqinjët sllavë”, apo se Shqipëri do të thotë “vend i shkëmbinjve”.  Sidoqoftë, zelli, vërtetësia dhe dashamirësia, përkrah profesionizmit të autorit, dalin dukshëm  si elementë primarë menjëherë në pah.  Ai e nis duke pohuar se: “Ka popuj në kufinjtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjërësisht, bazuar në fatet, bëmat dhe cilësitë që shfaqin. Tek këto popuj bëjnë pjesë edhe popuj të tillë si shqiptarët”, por vë në dukje nga ana tjetër se Shqipëria, s’ishte prekur thuajse fare nga studiuesit e huaj, nëse e krahason me provincat e tjera të Turqisë europiane dmth. të Ballkanit.  Ndërsa ngre lart bukurinë e racës, i hyn madje krahasimeve në fushën e antropologjisë, vlerëson maksimalisht kostumet tradicionale, për të cilat pohon se s’kishte parë askund tjetër në Ballkan apo në Orient, ngjyra e kombinacione aq të natyrshme, të mrekullueshme e të llogjikshme, sa në ato të shqiptarëve. Flet gjerësisht për mënyrën e jetesës, banimin, ushqimin, qytetet më të mëdha, ngre lart dëshirën dhe zellin e shqiptarëve për t’u arsimuar (vëren megjithatë se stadi aktual në këtë apsekt, vinte si pasojë e mungesës së mundësive e mjeteve), kontributet në histori dhe në administratën e Perandorisë turke; i krahason me zviceranët në dëshirën për të shërbyer nën armë në ushtritë e huaja, vë në dukje tendencën për t’a lënë vendin e të parëve e shkuar në emigracion, por lavdëron përpjekjet për të sjellë përparimin në kontaktet që marrin me popujt e tjerë. Thekson sjelljen prej kaçaku të disa fiseve e rajoneve, por avokon e kërkon mirëkuptim, kur thotë se kurrsesi këto fenomene nuk duheshin parë si fakte nga të cilat të bluaje në kokë mendimin se shqiptari vjedh e vret si një ordiner, përkundrazi, ai urren veset e pasurimin jo të ndershëm. E krahason nga këmbëngulja me gjermanët dhe këshillon se, brenda një lëkure të sertë në dukje, gjendet një shqiptar human e fisnik. Flet për pasuritë e bekimin që natyra i kishte dhënë shqiptarëve, për parajsën e florës dhe faunës, ndjen keqardhje që megjithë prodhimet që sillte toka, puna e djersa e tyre, shqiptari mezi i përmbushte nevojat më elementare ekonomike. Bën krahasime, sjell të dhëna, nxjerr përfundime e ravijëzon prognoza afatshkurtra e afatgjata. Rendit katër grupime kryesore që përbënin bërthamën e popullsisë shqiptare, ku ndër to listohen edhe çamët. Cilëson si pikë kulmore të historisë Skënderbeun, por nuk e përmend askund Ali Pashën si një fenomen e kujtim historik shumë i afërt për kohën. Të habisin sidomos parashikimet e tij shpresëdhënëse, të cilët koha në fakt (ose fatkeqësisht) nuk do ti përmbushte, ndërsa thotë se: Nuk do jenë grekët ata që do të arrijnë hegjemoninë në Jug, por shqiptarët, dhe jo vetëm në Maqedoni dhe Thesali, por edhe në vetë Greqinë, ata do të bëhen zotër dhe këtë do ta arrijnë në mënyrën më të lehtë të mundshme, pasi në Veri të vendit, ata faktikisht janë shumicë. Për ta lënë në dorë të vetë lexuesit dhe për të pasur mundësinë e konsultimit me materialin origjinal, po e botojmë të plotë përmbajtjen e pjesës hyrëse të “ciklit mbi popujt e orientit” nga viti 1869, dhe më pas edhe kapitullin ku flitet ekskluzivisht për shqiptarët.

* **

Mbi ciklin “Popujt e Orientit”Orienti fiton dita-ditës tashmë më shumë interes. E ashtuquajtura “çështja orientale” po shkon gjithnjë e më shumë drejt një zgjidhje me kahje dhune; për një zgjidhje paqësore, as që bëhet fjalë. Diplomatët tanë rrallë e njohin udhëtimin e madh të historisë botërore dhe të lëvizjes së kulturave mbi tokë; Diapazoni i parashikimeve të tyre, megjithë mprehtësinë e dinakërinë që posedojnë, nuk arrin më tej se sa sot për nesër, dhe i gjithë arti i tyre shtetformues konsiston vetëm në atë, që zgjidhja, ashtusikurse edhe çështjet e tjera kohore, më konkretisht edhe ajo orientale, të mbahet në statuskuo aq sa mundet dhe ti mbivendosin problemet, duke i ndërruar thjesht vendet me njëri-tjetrin. Madje, edhe duke qëndruar galiç mbi fuçinë e barutit që kërcënon të shpërthejë çdo çast, ata këndojnë himnet e qetësisë dhe të paqes së përgjithshme botërore, dhe, duke i hedhur sytë nga Lindja, mendojnë se ekzistojnë akoma alternativa të mira dhe ngushëllohen me fjalinë e moçme: “Après nous, le déluge” (Pas nesh, qameti – shën. i përkthyesit). Por duke parë çështjen dhe zhvillimin që po marrin gjërat në Orient, ata gjenden të gjithë sot në vorbullën e një gabimi trashanik në atë që po bëjnë. Ata, akoma mund t’ia dalin si gjithnjë për momentin, ta mbajnë në frena konfliktin greko-turk që ua mbajti frymën pezull, dhe me këtë ta shtyjnë zgjidhjen, duke vendosur një afat të ri, por me këtë, shkaku i trazirave të përgjithshme në Orient nuk është shmangur; përkundrazi, e keqja me këtë bëhet edhe më e keqe dhe katastrofa që kërcënon të vijë, përshpejtohet edhe më shumë. Po, kush e njeh Orientin dhe rrethanat që e përbëjnë, ashusikurse shkruesi i këtij artikulli, pas konstatimeve shumëvjeçare, para së gjithash karakterin dhe përpjekjet e popujve të tij dhe marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin, nuk ka më asnjë dyshim se shpërthimi i krizës që kaq kohë ia kemi pasur frikën, ndodhet shumë pranë. Dhe bëhet fjalë në këtë katastrofë për një luftë të përgjithshme të Islamit me Krishtërimin, në të cilën, ngulitja e flamurit të Profetit dhe ngritja e Kryqit, në shumëanshmërinë e problemit dhe përzierjes së interesave, më shumë apo më pak, do të përfshijë të gjithë popujt muhamedanë; në anën tjetër të gjitha fuqitë e mëdha të krishtera. Meqë kjo luftë për këta të fundit, në të njejtën kohë do të jetë një luftë për të poseduar çelësin e mbretërimit të botës, në të cilën edhe Amerika nuk do të shohë më duarkryq, do të jetë pra me pak fjalë një luftë gjithpërfshirëse. Në këtë stad të gjërave, për pubklikun që lexon gazetën, nuk do të ishte pa interes, nëse ne do ti paraqisnim atij sipas pikëpamjes sonë, këta popuj të ndryshëm të Orientit, që do të duken me gjasë në skenën e nesërme të luftës, për aq sa ata përfaqësojnë, në një trajtesë sa më natyrale të mendimit dhe veprimit që ata posedojnë, me një fjalë të karaktereve të tyre, fesë, traditave e zakoneve, mënyrës së jetesës dhe arritjeve sociale. (Gazeta “Die Debatte”, 19 shkurt 1869)

***
Popujt e Orientit – Shqiptarët

Ka popuj në kufinjtë e botës së qytetëruar që janë të njohur në përgjithësi në publik vetëm nëpërmjet emrit, por që e meritojnë të njihen më gjërësisht, bazuar në fatet, bëmat dhe cilësitë që shfaqin. Tek këta popuj bëjnë pjesë edhe popuj të tillë si shqiptarët, apo siç i njohin në Turqi, “arnautët”. Ata veten e thërrasin “shqiptarë”. Në kontekstin e “çështjes orientale”, ata marrin një peshë edhe më të madhe se sa malazezët dhe boshnjakët të marrë sëbashku, dhe përballë armikut janë më të respektuar se sa grekët; jo vetëm ata të rajoneve në brendësi të vendit, por edhe ata të shtrirë buzë detit. Ata janë nga më të rëndësishmit dhe në disa aspekte, edhe më interesantët nga të gjithë popujt e litoralit adriatik e jonian. Pasi ata, jo vetëm që hasen në një numër të madh dhe të përhapur gjeografikisht, por paraqesin edhe një popull të fuqishëm dhe me rrënjë, dhe formojnë më pas njërin ndër faktorët më të rëndësishëm në dramën e fundit që pritet të luhet. Në krahasim me popujt e tjerë, ata dallojnë qartazi edhe nëpërmjet pamjes së tyre të jashtme dhe mënyrës së tyre origjinale të jetesës. Ata popullojnë një sipërfaqe me shtrirje të gjatë toke, e cila nis nga veriu, duke u kufizuar me Bullgarinë, Bosnjen dhe Malin e Zi, e deri në Greqi duke shkuar në jug, në lindje me Maqedoninë dhe Thesalinë, në Perëndim në pjesën më të madhe nga Deti Adriatik e ai Jon, duke përfshirë në vetvete atë që dikur njihej si “Mbretëria e moçme e Epirit”. Nuk ekziston asnjëra nga panoramat tokësore të Turqisë europiane që deri më tani, akoma të ketë mbetur akoma kaq e paprekur nga studiuesit e mirëfilltë, sa Shqipëria. Dhe akoma dhe sot e kësaj dite, ajo mbetet me siguri njëri ndër vendet më interesante të “trekëndëshit ilirik”. Shqipëria, që do të thotë “vendi i shkëmbinjve”, është – siç sugjeron ky emërtim, një vend malor e shkëmbor.

Gjeografia dhe klimaPërsa i përket lartësisë, thyerjes së terrenit dhe egërsisë që paraqesin malet e tij, ka më shumë ngjashmëri me Bosnjën. Por shkëmbinjtë e saj janë në vazhdimësi edhe më të thepisur e të pjerrët, dhe guvat e honet që ata formojnë më të shpeshta dhe më frikndjellëse  se sa ato të Bosnjes. Vetëm se malet shqiptare nuk janë aq të veshura nga pyjet se sa ato boshnjake në pjesën veriore të vendit. Shtrirja e tyre, zakonisht ka drejtimin nga lindja drejt perëndimit, dhe përfundojnë pranë deteve, duke formuar pjesërisht kepe e terrene paramalore. Vargmalet gjigande që shtrihen nga veriu në jug, që “hapin krahët e tyre” në brendësi të vendit, thuhej ndër të moçmit e Pindit. Shqipëria është gjitashhtu shumë e pasur në ujëra, liqene, lumenj dhe përrenj, dhe në brigje ka shumë gjire dhe limane, ndër të cilët ne do mund t’u tregojmë mbi Durrësin dhe Vlorën. Klima në përgjithësi është e shëndetshme. Në rajonet më të larta, ajo është e ashpër, përkundrazi, në luginat e ulëta e të thella dhe në dete, ajo është parajsore. Sipas klimës orientohet natyrisht edhe vegjetacioni i vendit. Në rajonet e ashpra shtrihen me kujdes frutat e malit e ato të egra, në ultësira dhe rajonet bregdetare rriten agrume të mrekullueshme. Madje atje has tek-tuk edhe palma.

Popullsia: sipas turqve, 2 milionëKështu, me pak fjalë është bërë ky vend, banorët e të cilit ne tashmë duam ti njohim më nga afër. Numri i banorëve të Shqipërisë, sipas përllogaritjeve turke, shkon në më shumë se 2 milionë. Në këtë kontigjent, rreth 1,500.000 janë shqiptarë të mirëfilltë. Por në këtë shifër nuk janë përfshirë akoma të gjithë shqiptarët, pasi këta banojnë jo vetëm në vendin e tyre të origjinës, por edhe jashtë tij, të shpërndarë kudo në Turqinë europiane, kryesisht në Rumeli dhe në Stamboll. Edhe në Maqedoni, Thesali e Greqi, kryesisht në pjesët veriore të saj, ata janë të përfaqësuar fort. Madje në Atikë dhe Moré ka shumë vendbanime e toponime shqiptare. Pas bullgarëve, shqiptarët janë populli më i madh dhe më i përhapur në territoret e Gadishullit ilirik. Nacionaliteti i shqiptarëve është një çështje, për të cilën studiuesit akoma nuk kanë rënë dakord ndërmjet tyre.

Gjuha e shqiptarit
Gjuha e këtij populli është një përzierje e shumë idiomave, konkretisht e greqishtes, turqishtes, latinishtes, sllavishtes dhe gjermanishtes. Ngaqë në këtë gjuhë hasen elementët sllavë dhe meqenëse shqiptarët në aspektin gjuhësor, mund të merren vesh më fqinjët e tyre sllavë, ka të tillë që i mbajnë ata për sllavë, por po aq mirë mund ti merrje ata në këtë mënyrë për italianë, grekë apo gjermanë.

Paraqitja e jashtme, doket dhe zakonet
Duke gjykuar mbi paraqitjen e tyre të jashtme fizike, si dhe nga doket e zakonet dhe mënyrën e jetesës, ata ndryshojnë rrënjësisht nga sllavët, dhe në pjesën veriore të vendit, që thuajse është i banuar plotësisht vetëm prej tyre, ata jetojnë të rrethuar nga sllavët, siç janë malazezët, boshnjakët, serbët e bullgarët, të izoluar tërësisht. Elementi origjinal i gjuhës shqipe është ilirishtja e vjetër dhe ky mbetet elementi më origjinal; ajo i ka asimiluar idiomat e huaja, duke i përshtatur në trupin e vet dhe ka mbijetuar në atë mënyrë që ky origjinalitet, i ka bërë gjuhëtarët profesionistë që merren me gjuhët antike, të mendojnë se shqiptarët janë pasardhësit e pellazgëve të vjetër. Le të supozojmë, megjithatë, se kjo pikëpamje është e sajuar, me këtë sidoqoftë nuk është fituar shumë, përderisa raca dhe nacionaliteti i pellazgëve akoma përbën në vetvete një pikëpyetje. Meqë ra fjala, sipas të gjitha të dhënave të mbledhura, rezulton e sigurtë se shqiptarët kanë origjinë indo-gjermanike dhe janë pasardhës, sidomos, të ilirëve antikë, të epirotëve të famshëm për ashpërsinë dhe trimërinë e tyre, të cilët dikur kishin bërë të dridhej madje edhe vetë Romën fuqiplotë, dhe që nacionalitetin e tyre, megjithë pushtimet e shumta e ndryshimin e raportteve që solli koha, në thelb e ruajtën të pandryshuar. Dhe pikërisht këtu ndjehet origjinaliteti i tyre. Ata ndryshjojnë në pamje të parë edhe nga popujt e tjerë të Turqisë europiane dhe formojnë ndër të gjithë ata, nga natyra, padiskutim, prerjen më të bukur të racës njerëzore. Në gjithë këto veçori të shqiptarëve, në krahasim me popujt e tjerë, ata ndahen mes tyre në shumë fise origjinale, të cilët dallojnë mes tyre sidomos nga gjuha (dialekti), veshja, mënyra e banimit, zakonet dhe mënyra e jetesës. Më kryesorët e këtyre fiseve janë së pari gegët, e së dyti toskët, së treti lebërit e në vend të katërt, janë çamët. Përveç këtyre katër grupimeve, ka edhe të tjerë më të vegjël, të cilët ne do ti trajtojmë shkurtimisht. Por le të shohim edhe një herë më nga afër shqiptarin, për të kuptuar, se si ai jeton, cilës familje shpirtërore i përket. /voal.ch /InforCultre.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here