Mbi 2 mijë vjet më parë, kryeqyteti i Francës, Parisi, banohej nga keltët e Galisë që e quajtën qytetin e tyre Parisii. Më pas më 7 korrik të vitit 52 Para Krishtit aty mbërritën romakët, që ngritën kampin e tyre. Ata e riemëruan qytetin Lutecia, që do të thotë “vend pranë një kënete”, pra një ambient shumë larg qytetit ekstravagant që njohim sot.
Krahasuar me Paris e sotëm, Lutecia romake kishte një shtrirje shumë më të vogël. Gjurmë të trashëgimisë, romake mund të shihen ende në këtë pjesë të qytetit modern, përfshirë Arènes de Lutèce, dhe Term dë Klyni.
Qyteti i Parisit shpesh etiketohet sot si “Qyteti i Dritës”, referencë e zakonshme për rolin që luajti kryeqyteti francez gjatë Epokës së Iluminizmit. Kur Parisi u bë kryeqyteti i Francës, duhej që qyteti të kishte një origjinë të lavdishme, ndaj nisi lindja e legjendave të ndryshme. Dhe një nga ato, pretendon se qyteti u themelua nga një grup trojanësh që ikën nga qyteti i tyre pas rënies së tij, pak e shumë e ngjashme me historinë e Eneas dhe Romës.
Eshtë e panevojshme të thuhet:emri i qytetit u lidh me atë të princit të Trojës, Paridit. Megjithatë, dëshmitë arkeologjike dhe ato tekstuale tregojnë një histori të ndryshme. Sipas provave arkeologjike, vendi i Parisit ishte e banuar tashmë që gjatë kohëve parahistorike, si fillim si në mesin e mijëvjeçarit të VIII Para Krishtit.
Deri në shekullin III para Krishtit, një fis galësh i njohur si Parisii, u vendosën në atë zonë. Më konkretisht, ata u vendosën në një vendbanim të fortifikuar në Dele de la Sit, një nga dy ishujt e lumenjve natyrorë të qytetit, dhe tjetri ishte Shën Lui.
Gjeografi grek Straboni, që ka jetuar midis shekullit I Para Krishtit dhe shekullit I Pas Krishtit, e përmend qytetin në librin e tij “Gjeografia”: “Fisi Parisii jeton pranë lumit Sekuana, që ka një ishull dhe një qytet që quhej Lukotosia”.
Kjo përsëritet nga Jul Çezari në librin e tij “Luftërat Galike”:… Lutecia që është një qytet i Parisii, vendosur në një ishull në lumin Senë”. Bazuar në provat tekstuale, dikush do të priste të gjente prova të bollshme arkeologjike të një vendbanimi gal në Dele de la Sit.
Por kjo nuk ka qenë e vërtetë, pasi gërmimet arkeologjike nuk kanë zbuluar ende ndonjë shenjë domethënëse të pranisë galike në ishull. Për pasojë, është spekuluar se Lutecia galike (e njohur edhe si Lutetia Parisiorum në Latinisht, dhe Lutèce në frëngjisht), mund të ketë ekzistuar diku tjetër, ndoshta në Nanter, në veriperëndim të qendrës së qytetit të Parisit.
Kjo hipotezë mbështetet kryesisht tek zbulimet e kohëve të fundit. Për më tepër, siti ishte braktisur rreth kohës së shenjave të para të pranisë romake në Paris, pra gjatë sundimit të hershëm të perandorit romak August. Popullsia galike e Lutecias u transferua në vendbanimin e ri romak.
Sipas Cezarit, kur fisi Parisii dëgjoi për ardhjen e romakëve, e shkatërruan Lutecian, në vend se ta lejonin atë të binte në duart e armikut, “Pasi riparuan urën, të cilën armiku e kishte shkatërruar gjatë ditëve të mëhershme, Augusti e udhëhoqi ushtrinë e tij dhe nisi të marshojë përgjatë brigjeve të lumit për në Lutecia. Kur mësoi këtë gjë armiku i vuri zjarrin Lutecias, duke shkatërruar edhe urat që të çonin në qytet: Romakët ecën nëpër kënetë, dhe për t’u pozicionuar në brigjet e Senës”.
Pas pak, midis romakëve dhe galëve u zhvillua një betejë. Këta të fundit, të drejtuar nga Kamulogenusi, një nga togerët e Verxhixhetoriçes, u mposhtën. Lutecia ishte tashmë në duart e romakëve. Ata ndërtuan një Lutecia të re në bregun e majtë të lumit Senë, aty ku ndodhet sot Montanj Shën Zhënëvjevë.
Për romakët e lashtë, vendi ishte i njohur si Mons Lucoticius. Ajo zonë u zgjodh pasi ishte larg zonave që mund të prekeshin shpesh nga përmbytjet. Si shumë qytete të tjera që themeluan romakët, Lutecia iu nënshtrua një masterplani pak a shumë të rregullt.
Vendbanimi i ri kishte dy rrugë kryesore që kryqëzoheshin në qendër të qytetit – cardo maximus (rruga veri-jug), dhe decumanus maximus (rruga lindje-perëndim). Cardo Maximus ishte rruga kryesore e qytetit dhe shtrihej pingul me lumin Senë. Me kalimin e shekujve, ajo ka mbetur edhe sot e pandryshuar.
Kjo rrugë e lashtë korrespondon sot me Rrugën Shën Zhak, Rrugën Rue De la Sit dhe Rrugën Shën Martin. Romakët ndërtuar një paraqitjen ortogonale të qytetit me insulolet (blloqet), duke ndërtuar rrugë dytësore paralelisht me Cardo maximus dhe Decumanus Maximus .
Lutecia romake përfshiu jo vetëm Montanj Shën Zhënëvjevë, por edhe Ilë de la Sit, dhe një rrip të vogël toke në bregun e djathtë të Senës. Por krahasuar me vendbanimet e tjera të mëdha romake në krahinën e Galisë, Lutecia nuk ishte në fakt shumë e madhe.
Sugjerohet që qyteti antik shtrihej në atë kohë në një sipërfaqe prej 60-70 hektarësh. Sa për krahasim Nim-i i sotëm (Nemausus) shtrihej në mbi 220 hektarë, Lioni (Lugdunum) 350 hektarë dhe Reims (Durocortorum) në 600 hektarë. Vlerësimet për popullsinë e Lutecias romake variojnë nga 5.000 deri në 10.000 banorë.
Gjithsesi, ajo shërbeu si qyteti kryesor i Parisii. Më e rëndësishmja, në Montanj Shën Zhënevjevë u ngritën monumente publike, diçka që bëhej normalisht nga kryeqytetet provinciale, pasi secili kërkonte të imitonte qytetin e Romës. Disa nga këto monumente i kanë mbijetuar kohës, dhe mund të shihen sot në Qarkun e Pestë të Parisit.
Një nga këto është Arana e Lutecias. Edhe pse quhet zakonisht amfiteatër, monumenti nuk është saktësisht i tillë, për sa i përket modelit të tij. Si amfiteatrot e tjerë romakë, Arena e Lutecias ka një arenë rrethore (rreth 40 m të gjatë). Por forma tarracore që rrethon më shumë se gjysmën e perimetrit të arenës, e bën monumentin të duket më shumë si një teatër grek, sesa romak.
Vlerësohet se monumenti kishte një kapacitet prej 17.000 personash. Si amfiteatrot e tjerë në të gjithë Perandorinë Romake, në Arenën e Lutecias organizoheshin si shfaqje teatrale ashtu edhe ndeshje mes gladiatorëve. Arena që u ndërtua gjatë shekullit I Pas Krishtit, ka shërbyer si një vend argëtuese në shekujt që pasuan.
Gjatë fundit të shekullit III Pas Krishtit, Lutecia u plaçkit nga barbarët, dhe amfiteatri u shkatërrua. Menjëherë pas këtij incidenti, gurët e amfiteatrit u përdorën për ndërtimin e një muri mbrojtës në Dele de la Sit. Përveç kësaj, vetë siti u shndërrua në një varrezë të krishterë.
Amfiteatri u riparua gjatë shekullit VI, por kur u ndërtua Muri i Filipi II August gjatë fillimit të shekullit XIII, Arena e Lutecias mbeti poshtë rrënojave të tij. Me kalimin e shekujve, vendndodhja e saktë e arenës u harrua. Mbetjet e amfiteatrit romak, u rizbuluan në fund të shekullit XIX, saktësish në vitin 1869 nga arkeologu francez Teodor Vake.
Mjerisht, restaurimi i Arenës së Lutecias ishte gjithashtu edhe shkatërrimi i saj i fundit. Në vitin 1870, shumica e mbetjeve të monumentit origjinal u shkatërruan, në mënyrë që të krijohej një hapësirë për një garazh ku do të futeshin mjetet e transportit publik.
Shkrimtari i famshëm francez, Viktor Hygo, bëri gjithçka mundi për të shpëtuar atë që mbeti nga reliket. Ai drejtoi një fushatë për mbledhjen e fondeve, që solli restaurimin e sitit. Në fund, siti u hap si një shesh publik, dhe sot është pjesë e një kopshti të vogël.
Një tjetër monument i rëndësishëm nga Lutecia romake, që ka mbijetuar deri më sot janë Term de Klyni, banjot publike të qytetit. Ashtu si arena, edhe banjot ndodhen në Qarkun e Pestë të Parisit. Ndonëse nuk dihet data e saktë e ndërtimit të monumentit, besohet se Term de Klyni është ndërtuar në fund të shekullit të I dhe fillimin e shekullit II, dhe u përdor për jo më shumë se dy shekuj.
Kur sulmuan barbarët, edhe Term de Klyni, pat të njëjtin fat me amfiteatrin. Fatmirësisht, ato nuk u shkatërruan plotësisht. Për më tepër, monumenti ruajti madhështinë e tij, edhe pasi Perandoria Romake ishte rënie të lirë. Për shembull, është spekuluar se në vitin vitin 360 pas Krishtit, Juliani u shpall perandor i Romës pikërisht në Term de Klyni.
Pasi u rrënua Perandoria Romake, banjot mbetën në rrënojat e një pallati mbretëror të mbretërve frankë. Monumenti ka mbijetuar deri në ditët e sotme, dhe vlerësohet të jetë një nga banjot romake më të ruajtura në Evropë. Pas mbarimit të sundimit Romak në Gali, Lutecia u riemërua si Parisi, pas Parisii.
Me kalimin e shekujve, shumë prej mbetjeve të Lutecias Romake u zhdukën. Por qyteti romak nuk u harrua plotësisht, pasi artefakte të kësaj epoke të tejkaluar, dilnin në skenë herë pas here. Madje, zbulime të reja ndodhin edhe vitet e fundit. Në majin e vitit 2006, një rrugë e kohës së perandorit August u zbulua gjatë një gërmimi në Montanj Shën Zhënevjevë. / ancient origins – bota.al